Kthesë gjeopolitike e Perëndimit përballë revanshit të të kolonializuarve

Dr.sc.Sanja Vujaçiç, Gjeopolitika[i]

“Kur nuk jeni në tryezë”, thonë polakët të cilëve gjatë historisë u është dashur të përballen me tekat e mbretërive fqinjë, “kjo do të thotë se jeni në menù”. Kështu përshembull, gjenerali de Gol nuk ishte informuar për zbarkimin e trupave aleate me 6 qershor 1944 në bregdetin e Normandisë dhe as në  Jaltë nuk ishte në tryezë me “të mëdhenjtë”. E për këtë e kuptoi se mund të gjendej në mënunë anglo-amerikane.

Këtu e ka burimin “degolizmi” i pasluftës apo veçantia franceze me të cilën kjo fuqi kontientale ruajti, relativisht me sukses, ndikimin në botë gjë që përfundoi me erën Miterand. Pra, deri te “paradoksi Shirak”. Pikërisht Shirakut i cili, nga njëra anë ruajti dobësinë e tij të veçantë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shtet të cilin, gjatë rinisë së tij e kishte vizituar gjithandej, duke punuar si kamarier në restoratet Howard Johnson. Nga ana tjetër, për shkak të kundërshtimit të ashpër të luftës në Irak, disa analistë e rreshtojnë në radhët e agjitatorëve anti-amerikanë. Këtë “njollë” të fundit në raportet franko-amerikane u përpoq ta fshinte pasardhësi i Shirakut, Nikola Sarkozy. Jo vetëm që e ktheu Francën, në vitin 2014, në komandën i integruar të NATO-s, jo vetëm që refuzoi JO-në referendare franceze për Marrëveshjen e Lisbonës të kohës së Shirakut, por shfaqi një zell të pabesueshëm, megjithëse të njollosur edhe me interesa vetjake financiare, për katastrofën ushatarake në Liban. Në të vërtetë, karriera e tij post-presidenciale tashmë zhvillohet me ritmin e proceseve gjyqësore për shkak të dyshimit të bazuar për vepra penale të kryera gjatë veprimtarisë së tij politike. Megjithatë kjo nuk ndryshon asgjë në faktin se pasardhësit e tij nuk kanë zgjedhje tjetër. Të promovojnë universalizmin republikan të veçantë francez- në gjuhën ultra-liberale angleze.

Njëlloj si francezët, të cilët kanë humbur identitetin “gjatë përkthimit në anglisht”, me ndihmën e strukturave brukseli-ane dhe NATO-s, po ashtu atë e kanë humbur edhe europianët e tjerë kontinentalë, e për pasojë habiten me provincializmin e territoreve të tyre të cilin e ka formalizuar pikërisht kthesa gjeopolitike anglo-amerikane. Europianolindorët i gëzohen rënies së ndikimit të fqinjëve perëndimorë të përceptuar si kolonizatorë, ndërsa këta të fundit thërrasin mea culpa dhe shpresojnë te çudia- uniteti eropian aq shumë i dëshiruar dhe kurrë i realizuar. Ndërkohë, ish të kolonizuarit nga kontinentet e tjerë kolonizojnë pa komplekse. Si pra duhet të pozicionohet Europa përballë kthesës gjeopolitike amerikane dhe revanshit të të kolonizuarve?

Revanshi i të kolonizuarve

Ky proces në radhë të parë ka të bëjë me Kinën, e cila përfitoi më së shumti me vendosjen, në nivel planetar, të modelit ekonomik- liberalizmit dhe kapitalizmit që paraprakisht i modeloi shoqëria perëndimore kështu si e njohim neve sot. Bëhet fjalë për modelin i cili, si puna e shpatës që ka dy teha, është njëkohësisht produktiv dhe destruktiv. Është produktiv kur u mundësoi rritjen ekonomike, në sajë të së cilës 300 milionë kinezë, 200 milionë indianë, 40 milionë indonezianë dhe 30 milionë brazilianë, për një periudhë vetëm prej njëzet vjetësh, dolën nga varfëria. Është destruktiv sepse njëkohësisht gjeneron pabarazi që asgjësojnë lidhjet shoqërore dhe ndërgjenerative në të cilat bazohet çdo shoqëri dhe qytetërim. Ose kur prodhon sasi tejet të mëdha hedhurinash, ndotje ajri me emetim të gazit karbonik për shkak të vartësisë nga lëndët djegëse fosile; kur pa ndërpreje dhe gjithandej zvoglon territorin e botës bimore dhe shtazore. Del pra se bëhet fjalë për modelin ekonomik të njerzimit, i cili, për tu mbajtur në jetë, është i detyruar të ecë nëpër tehun e thikës, në mënyrën e ekuilibristit. Mjafton një lëvizje e pavëmendshme që të shkaktojë dhjetimin ose zhdukjen e racës njerzore, ndërsa për ruajtjen e ekuilibrit si patericë i shërben vetëm tregu. Por tregu është shërbëtor i mirë por pronar i keq.

Pikërisht këtë e ka kuptuar klasa sunduese kineze. Ose më mirë të themi ajo, në ndryshim nga europianët, ajo nuk u besoi britanikëve apo amerikanëve se është e domosdoshme që gjithçka ti nënështrohet tregut, por tregun botëror e vuri në shërbim të zhvillimit të shtetit të tij dhe, për pasojë, në një kohë rekord u transformua si asnjë vend tjetër në historinë e shoqërive njerzore para saj. Për një periudhë prej 30 vjetësh ajo funksionoi si laborator i globalizimit. Për këtë sot është e natyrshme dëshira e Kinës dhe e vendeve të tjera në rritje e sipër, si Brazili apo India, për të treguar fuqinë e tyre në skenën ndërkombëtare. Është e kuptueshme edhe nevoja e tyre për tu hakmarrë ndaj historisë. Kryesisht në atë pjesë që ka të bëjë me memorien e të kolonializuarve, në të cilën mbizotëron shija e hidhur e poshtërimit. Këtu e ka burimin edhe revanshi i të kolonializuarve dhe solidariteti me elitat e tyre që i udhëheqin në këtë drejtim.

Kështu, ministri brazilian i financave, në muajin tetor të vitit 2011, e pyeti me shumë dëshirë kolegun e tij portugez nëse i nevojitej ndihmë për buxhetin portugez. E njëjta kënaqësi ngërthen të kolonizuarit kur arrijnë te ata lajmet për pjesën në rritje të kuadrove nga India, Gana apo Zambia, në sistemin shëndetsor britanik. Ose lajmi se ndër informaticienët më të mirë në SHBA dhe në Kanada janë indianët, pakistanezët, vietnamezët dhe kinezët, pavarësisht nga fakti nëse kanë ose jo shtetësinë amerikane apo kanadeze. Ose lajmi se miliarderët kinezë po blejnë kështjella franceze me bodrume vere prestigjoze, si dhe ferma bujqësore franceze. Në rastin e Kinës, aktualisht sfiduesja zyrtarë e hegjemonizmit amerikan, problemi është më i ndërlikuar. Është fjala për një nga qytetërimet më të vjetra në botë pas atij egjiptiano-nubian, shumë më të vjetër se ai judeo-kristian. Por ai, në shekullin e nëntëmbëdhjetë duroi poshtërime të mëdha nga ana e fuqive europiane: marrëveshje të padrejta si ajo e vitit 1842 të cilën e imponuan britanikët për hapjen e porteve në detin e Kinës së Veriut; plaçktija dhe djegia e pallatit veror të perandorit në vitin 1860, luftërat e opiumit dhe hapja e imponuar e koncesioneve në Nanking, Shangai, Pekin etj.  Më pas marrja e leksioneve nga BRSS-ja, madje edhe nga superfuqia më e re-SHBA-të e cila mund të lavdërohej vetëm me dyqind vite histori të sajën. Pra është i pritshëm, madje tashmë edhe i përceptueshëm njëfarë revanshizmi i klasës udhëheqëse kineze dhe mobilizimi i popullit rreth saj, madje edhe në raport me fuqitë e “reja” oksidentale që e kanë dominuar për më shumë se një shekull. Ky revanshizëm kryesisht synon drejt orientimit të përbuzjes që vjen prej të gjithave atyre që u është dashur të durojnë (madje edhe ato që Kina përpiqet t’ua imponojë sot fqinjëve). Prej këtu vjen edhe entuziazmi kinez dhe strategjia momentalisht provokative, e cila manifestohet më së miri në përballjen efektive me problemin e vartësisë nga eksporti i hidrokarbureve nga Lindja e Mesme. Rrugët ekzistuese: Hormuz, Malaka, ngushtica Formoza (Tajvan) etj, kontrollohen nga anijet amerikane, britanike dhe në një masë më të vogël franceze. Gjë që i shqetëson pushtetarët kinezë, sepse në rast tensionesh me këta shtete mund të ndodhë ngadalsimi ose zvoglimi i furnizimeve të Kinës me hidrokarbure. Për këtë, që para dhjetë vjetësh, ka filluar investimi për ndërtimin e porteve të reja, naftësjellës dhe gazsjellës mes Pakistanit në Detin Arabik dhe Xin Jangut. Kjo do ti mundësojë Kinës evitimin e rrugëve eventualisht të bllokuara që nuk i kontrollon dhe shfrytëzimin e rrugëve të saj- atyre direkte që anashkalojnë ngushticat e Azisë Lindore.

Për këtë, shekulli XXI nuk do të jetë i orientuar nga Atalantiku si  shekulli XX, por do të jetë i qendërzuar në rajonin Azi-Pacifik. Ky devijim po ndodh në sytë tanë dhe po përshpejton efektivitetin e Globalizimit 4.0. Në fillim të shekullit XXI Europa gradualisht po pushon  së qëni qendër e botës, e tillë siç ishte për shekuj me radhë. Ndikimi i saj ekonomik, tregtar dhe kulturor, rëndësia e saj politike, ushtarake dhe demografike është gjithnjë e më e vogël në krahasim me kolosët azitatikë dhe brazilianë; dhe së shpejti edhe me shtete në rritje e sipër, veçanërisht Meksikën, Turqinë, Nigerinë dhe Afrikën e Jugut. Si  gjithmonë në histori, europianët e përjetojnë keqazi një qendërzim të ri të botës. Sa herë që ndikimi dhe mbifuqia perëndimore vihen në pikëpyetje, Perëndimorët krijojnë armiq: rrezikun e verdhë             që përmend Bismarku, rrezikun e kuq (BRSS) ose në fund të shekullit XX, islamizmin. Sot jemi dëshmitarë të rritjes së ksenofobisë e cila Kinën, partnerin kryesor ekonomik amerikan, mund ta shndërrojë në armikun e tij kryesor. Perëndimi në luftë kundër armiqve niset në mënyrën e zakonshme: me shpikjen e rajoneve të reja gjeografike. Si puna e atij Ballkanik, edhe rajoni indo-pacifik nuk ekziston. Ai është vetëm një mjet gjeografik për të drejtuar territorin e synuar. Si është shpikur?

Koncepti „Indo-Pacifik“

Për fuqitë Perëndimore dhe aleatët e tyre (SHBA, Japoni, Indi, Australi dhe Francë) të pranishme në qendrën e re të botës, Azia “indo-pacifike” është para së gjithash territor i pasigurisë dhe destabilitetit në rritje. Koncepti Indo-Pacifik përpiqet të rregullojë rivalitetin strategjik në këtë zonë, ku Perëndimi e quan agresiv qëndrimin e Kinës, e kësisoj ofron zgjidhje që bëjnë pjesë në fushën ushtarake. Kjo strategji për nga vetë termi lidh dhe mbulon sipërfaqet e dy oqeaneve, dhe përfaqësohet, sipas zhargonit të gjeografisë detare, nga struktura përreth ishujve, ngushtica, porte dhe koridore. “Indo-Pacifiku” përcaktohet si zonë e hapur dhe e lirë në mënyrë që të theksohen projeksionet e fuqive të mëdha aleate detare, ose në mënyrë që të vihet në plan të parë rëndësia e transportit ndërkombëtar detar të kësaj zone dhe, ambicjet e tyre në lidhje me të,  justifikohen me konceptin e mbrojtjes së lirisë së lundrimit detar. Në këtë kuptim, “Indo-Pacifiku” dhe spektri gjeografik që nënkupton ai, mbështetet në përceptimin e ndërvartësisë gjthnjë e në rritje të linjave të komunikacionit që lidhin  Oqeanin Indian me pjesën tjetër të botës. Sepse, një numër i madh rrugësh detare kritike (Sea Lanes of Comunication-SLOC) kalon nëpër këtë teritor të madh oqeanik. Ngushtica e Hormuzit dhe gadishulli i Adenit lidhin Europën dhe Lindjen e Afërt me Oqeanin Indian, ndërsa ngusticat e Malakës dhe Sundit janë lidhja mes Oqeanit Indian dhe atij Paqësor.

Në këtë territor, pirateria somaleze mes viteve 2008 deri në 2016, u bë shkak për operacione detare anti-piraterie të përbashkëta të NATO (BE dhe SHBA), Rusisë dhe  Kinës, gjë e cila shtroi pyetjen e përmasave të marrëveshjeve ndërkombëtare ndaj kërcënimeve në këtë zonë detare me rëndësi të veçantë. Në këtë kontekst, BE-ja edhe sot e kësaj ditë mban misionin e saj detar në këtë zonë nëpërmjet operacionit “Atlanta” dhe programeve për forcimin e aftësive detare dhe bregdetare të sigurisë. Krahas luftës kundër piraterisë, qëllimi i së cilës është të pengohet zhvillimi i veprimtarive të mëdha kriminale, si tregtia e armëve, drogave dhe njerëzve, por ashtu edhe lufta kundër peshkimit ilegal nëpërmjet masave për zvoglimin e impaktit të tij në ekosistemin indo-pacifik.

Këto kërcënime jotradicionale ndaj sigurisë përputhen me tensionet në kufinjtë detarë. Së pari, mes Kinës dhe shteteve të ASEAN-it në Detin e Kinës së Jugut. Shkak i përplasjeve është bërë marrja në dorë e kontrollit nga ana e Pekinit në pothuaj tërë territorin e Detit kinezojugor, mbi bazën e të “drejtave historike” si dhe të kontrollit të rrugëve detare në nëntë linja që përfshin tri të katërtat e këtij territori. Për këtë Kina në këtë zonë po kryen operacione masive të pushtimit të ishujve të vegjël, transformimit të shkëmbinjve koralorë në porte, aerodrome dhe lloje të tjera infrastrukture. Lëndë tjetër  e konfiktit është edhe kundërshtimi kinez i të drejtave të pronësisë së Japonisë në ishullin Senkaku. Kësaj i duhet shtuar edhe rivaliteti strategjik në rritje e sipër mes Indisë- në funksionin e fuqisë ruajtëse të Oqeanit Indian dhe Kinës e cila ka shpërndarë aty flotën e saj detare, në mënyrë të veçantë që nga vitit 2017, kohë kur është instaluar në Xhibuti. Në matjen  forcave janë përfshirë edhe SHBA-të, flota detare e së cilës  gjithnjë e më shumë po përballet me strategjinë ekspansioniste të Kinës dhe ushtrisë së saj që kërcënon rajonin edhe me forca ajrore. Të tre shtetet, Japonia, India dhe SHBA, të cilëve u është bashkuar edhe Australia, ndjehen të kërcënuar nga realizimi i “rrugës së mëndafshit” kineze (Belt and Road Iniciative-BRI), sepse dimensioni i saj detar nënkupton modernizimin e një numuri të madh infrastrukturash portuale në territoret bregdetare të Oqeanit Indian, përfshirë edhe nënkontinentin Indian, e më tej edhe disa porte në Afrikë e deri në Oqeani.

Pra, Indo-Pacifiku është koncepti që maksimalizon ambicjet e fuqive kryesore rajonale.

Ambicjet amerikane dhe japoneze

Për SHBA-të, koncepti Indo-Pacifik ka ekzistuar që në kohën e administratës Obama në ligjikën e pivotit. Megjithëse përmbante dimensione ekonomike, polititike dhe strategjike, shumë shpejt komponentja detare doli në plan të parë. Në vitin 2010 Hilari Klinton, atëbotë sekretare shteti, konkludoi se siguria në linjat detare të komunikacionit në bazenin indo-pacifik kërkonte forcimin e bashkëpunimi edhe në sigurinë detare mes Australisë, Singaporit, Indonezisë dhe Indisë. Pas kësaj filloi adoptimi i doktrinës detare amerikane, në përputhje me synimin e kooptimit të forcave për projeksione në Oqeanin Indian dhe kundërvënien dinjitoze ekspanzionit kinez në pjesën Perëndimore të Oqeanit të Qetë. Pra koncepti Indo-Pacifik i SHBA-ve shërbeu për racionalizimin e rreshtimit të saj ushtarak kundër Kinës, dhe kjo nëpërmjet  rritjes së pranisë ushtarake të SHBA-ve në rajon dhe forcimin e lidhjeve mes fuqive detare në të.

Qëndrimi japonez ndikoi ndjeshëm në pjesën amerikane që ka të bëjë me kundërvënien në drejtim të kërcënimit detar kinez ndaj vizionit të “hapur dhe të lirë” për territorin Indo-Pacifik. Pikërisht zhvillimi i partneritetit të fortë strategjik mes Tokios dhe Indisë, ose më mirë të themi, përfshirja e Indisë në këtë vizion ishte pikënisja që mundësoi konsolidimin e konceptit Indo-Pacifik.

Ambicjet australiane dhe indiane.

Nga ana e saj, Australia që në vitin 2013 në Librin e Bardhë të saj mbi mbrojtjen shihte te përvetësimi i konceptit Indo-Pacifik mundësinë për njohjen e statusit të saj si ishull-kontinent në linjën ndarëse mes dy oqeaneve. Njëkohësisht ky koncept, për faktin se përfshinte Indinë, ishte rast për Australinë për zgjerimin e partneritetit të sigurtë që mbështetej shumë te SHBA-të. Gjtihshtu ky koncept nënvizon prioritetin që Kanbera i jep ruajtjes së sigurisë së rrugëve detare-SLOC. Partneriteti me Indinë i mundëson asaj një raport më të ekulibrar të forcave në zgjidhjen e problemeve të zgjerimit bregdetar kinez në Oqeani  deri në Fixhi dhe Vanatua.

Për Indinë koncepti Indo-Pacifik përfaqëson një kuadër ideal strategjik për zgjerimin e ndikimit diplomatik nëpërmjet projektimit të politikës së jashtme nga fqinjësia e saj drejt Azisë Lindore dhe Oqeanit të Qetë. Njëkohësisht, me zhvillimin e partneritetit strategjik me SHBA-të, Japoninë dhe Australinë, Deli mbrohet nga përkeqësimi i mundshëm, i raporteve me Kinën për shkak të pranisë së re të flotës detare kineze në Oqeanin Indian gjë që e irriton tejet shumë.

Ambicjet franceze

Franca është shteti i fundit nga ky territor e cila konceptin Indo-Pacifik e integroi në politikën e saj të mbrojtjes (në vitin 2019). Indo-pacifizmin e saj ajo e pohon nëpërmjet projektimit oqeanik të bazuar në statusin  saj si shtet bregdetar të bazenit indian, pacifik dhe astralian. Departamentet franceze të përtejdetit në zonën Indo-Pacifike u gjëndën kësisoj në mesin e politikës globale të hapësirës franceze- i ashtuquajturi Arkipelagu francez. Me Klipertonin dhe territoret  jugore antarktike, ishujt indo-pacifikë përfaqësojnë 93% të EEZ-së-zona ekskluzive ekonomike franceze përtejdetare, e cila për nga madhësia është e dyta në botë. Prania ushtarake franceze si dhe burimet ajrore-detare, tokësore dhe njerzore që disponon EEZ-ja e bëjnë këtë shtet një partner europian të kërkuar.

Dilemat europiane

“Arkipelagu francez” mundëson hyrjen e BE-së në mesin e preokupimeve gjeopolitike të reja si dhe të sfidave të tregtisë botërore. BE-ja, që nga publikimi i strategjisë së saj detare të vitit 2014 dhe misionit të sukseshëm kundër piraterisë detare “Atlanta” gjithnjë e më shumë po përjetohet si fuqi detare. Megjithatë, ajo ende nuk është e gatshme për të zhvilluar mjete efektive (diplomacia dhe ushtria) nëpërmjet të cilave do të ishte në gjendje të pozicionohej qartë si e tillë përballë kthesës gjeopolitike amerikane dhe revanshit të të kolonizuarve.

Të mosqënit dakord në radhët e antarsisë së BE-së ilustrohet më së miri me ngurrimin e Grupit të Vishegradit ndaj çifit franko-gjerman, të cilit ky grup në të vërtetë nuk ia mohon kapacitetin e nxitjes së ndërtimit të konstruksionit së BE-së, por shpreh frikën se “zërat periferikë” do të dëgjohen më pak nëse nëse “motori” i BE-së është i  “tejzëshëm”. Në lidhje me Bregzit-in, për grupin e Vishegradit, mësimi që duhet nxjerrë është faji që ka Brukselit në këtë mes. Sipas vendeve antare të grupit në fjalë, dalja e Britanisë është pasojë e kafshimit të sovranitetit të shteteve antare të BE-së dhe marrja e fuqisë nga ana e Brukselit. Europa Lindore është për më pak Europë (për rikthimin e fuqisë në kryeqytetet e vendeve antare të BE-së), në ndryshim nga francezët që janë për më shumë Europë, ose përndryshe ajo do të shpërbëhej. Në të njëjtën kohë, vendet antare të grupit të Vishegradit  theksojnë se nuk kanë ndërmend të imitojnë britanikët me “Çekzit” apo “Polexit”, sepse do të duhej të viheshin para dilemës “nga të shkohet?”. Ato nuk e kanë luksin, si Britania e Madhe, të shpresojnë se do të mbijetojnë, në sajë të së shkuarës së afërt të lavdishme, pozicionit gjeografik, apo fuqisë ekonomike dhe ushtarake.

Për këtë, BE-ja vazhdon të funksionojë edhe përkundër konstatimit se nuk është e mirë, sepse nuk dihet çfarë do të bëjnë pa të. Koha kalon, BE-ja mbetet jokoherente, e pareformuar, sepse Frexit-i do ta linte Europën në konfiguracionin e para luftërave botërore. Ndërkohë, më kot, shkrimtarja polake Eva Tomson u bën thirrje polakëve “ta lënë mënjanë shijen e  hidhur dhe ta çlirojnë diskursin politik nga shpirtërat e së kaluarës. Të braktisim mentalitetin e të kolonizuarve”. Thirrje së cilës duhet ti përgjigjen të gjithë europianët, kryesisht kroatët.

Sepse europiano-perëndimorët janë njëlloj të kolonizuar nga normat anglo-amerikane si rusët, kinezët, indianët dhe ne. Ndërkohë të mos mendojnë sesi të mbyllen në vetvete dhe të genden para dilemës nëse është më i mirë dominimi rus, kinez apo amerikan, por sesi të federohen akoma më shumë dhe ta vënë në shërbim të tyre luftën për dominim.

[i] https://www.geopolitika.news/analize/dr-sc-sanja-vujacic-geopoliticki-zaokret-zapada-pred-revansom-koloniziranih/

Përktheu për Argumentum.al: Xhelal FEJZA

© Argumentum