Mbërrijnë 40 800 doza të vaksinës Astra Zeneca në Rinas, Manastirliu: Presim mbi 250 mijë të tjera në ditët në vazhdim

Shqipëria ka marrë sasinë e radhës të dozave të vaksinës AstraZeneca, nëpërmjet mekanizmit COVAX. Ditën e sotme kanë mbërritur në Aeroportin e Rinasit 40,800 doza, teksa në ditët në vijim pritet një tjetër sasi prej 250,000 vaksinash. Synimi është që deri në fund të prillit vendi ynë të ketë 700 mijë vaksina të mbërritura, për të arritur objektivin prej 500 mijë persona të vaksinuar deri në fund të majit.

Kjo sasi e vaksinave është pritur në Aeroportin e Rinasit, nga Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj. Manastirliu tha se nëpërmjet mekanizmit të COVID, Shqipëria ka paguar për 1,140,000 doza nga të cilat kanë mbërritur 38400.

“Në total, Shqipëria ka paguar për 1,140,000 doza, 38400 kanë mbërritur ku janë shpërndarë për arsimtarët dhe pedagogët, ndërkohë me këtë sasi do të shpërndahet për vaksinimin masiv +60 si edhe të gjitha grupet e riskut. Deri më tani mbi 400 mijë doza të siguruar, janë vaksinuar mbi 300 mijë qytetarë”, tha Manastirliu.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama është shprehur se nuk do të ulet ritmi për vaksinimin masiv të qytetarëve.

“Mbërrijnë 40,800 doza të vaksinës AstraZeneca, nëpërmjet instrumentit Covax, teksa presim mbi 250,000 vaksina në ditët në vijim, për të mos e ndalur ritmin e lartë të vaksinimit, derisa çdo qytetar të mbrohet nga virusi i rrezikshëm”, shkruan Rama.