Media në fushatën elektorale, 10 turpe që i dimë por nuk i themi

"Vera e re në fuçinë e vjetër"

Nga ROLAND QAFOKU

Zgjedhjet e 10-ta parlamentare të postkomunizmit që do zhvillohen më 25 prill po sjellin jo pak veçori për median shqiptare. Në ditë të zakonshme media punon non stop. Punon çdo sekondë, çdo minutë, çdo orë, çdo ditë e çdo muaj të vitit. Por, ama në fushatë media “punon” edhe 25 orë në ditë. Është një betejë mes medias së re dhe asaj tradicionale që ka nxjerrë në pah jo vetëm disa karakteristika, por edhe disa mëkate. Më saktë disa turpe që edhe pse i dimë dhe i themi mes nesh nuk i bëjmë publike. Ato nisin nga pozicionimi si në llogore në mbështetje ose armiqësi me partitë politike e deri te raportet me median sociale e deri te përdorimi politik i gazetarëve. Kjo fushatë ka lënë pas në kohë edhe të vetë gazetarët gjithashtu që në kushtet e reja disa janë tallazuar duke mos u marrë me perfeksionimin e profesionit, por në turravrapin e shumicës së gazetarëve që nuk synonë pasqyrimin e fushatës duke shkuar në terren, por që e kanë kthyer në synim të vetëm kapjen dhe drejtimin e një emisioni. Është një garë e ethshme që e ka dëmtuar shumë median dhe gazetarinë deri në atë farë mënyre saqë sot politikanët diktojnë gjithçka. Por kjo fushatë ka nxjerrë zbuluar edhe prapambetjen e politikanëve që ende nuk e kuptojnë se media është transformuar më shpejt se sa mendohej duke i lënë pas në mentalitetin e tyre të vjetëruar. Ti marrim me radhë.

  1. MEDIA MË E NDARË SE KURRË ME PS E PD

Kurrë nuk do ta kishin parashikuar që pas 30 viteve nga rrëzimi i komunizmit media shqiptare të ishte kaq e pozicionuar. Sapo hap televizorin dhe e fikson në një stacion, e merr me mend dhe e di se çfarë do thotë. Sapo dëgjon një gazetar apo analist në një emision e merr me mend se kë parti do mbështesë dhe sapo klikon një portal e ke shumë të sigurtë se çfarë pikëvshtrim të lajmit do ketë. Vërtetë në këtë fushatë kemi Partinë Socialiste nga njëra anë dhe Partinë Demokratike dhe aleatët e saj në anën tjetër. Por njëkoësisht ne kemi edhe gazetërt që mbështesin PS-në dhe nga ana tjetër gazetarë që mbështesin PD-në dhe aleatët e saj. Të gjithë ngjajnë si të vendosur në llogore, aq sa arrin të kuptosh qartë fare madje edhe se për kë do votojnë ata. Pak apo aspak ka gazetarë dhe analistë që nuk janë të pozicionuar.  Këto zgjedhje e nxorën shumicën zbuluar.

  1. MEDIA E PORTALEVE MË E FORTË SE AJO TELEVIZIVE

Në Shqipërinë me 2.8 milionë banorë funksionojnë 800 portale. Pra, pak më shumë se në çdo 3 mijë shqiptarë ka 1 portal. Ndoshta jemi në vendet me numrin më të madh të portaleve për banorë. Në vitet e fundit mund të quhet se vendi ynë është pushtuar nga portalomania. Shumicës së shqiptarëve u është mbushur mendja se me një portal ata mund të jenë dikush, mund të bëhen faktor e madje mund të ndikojnë edhe në politikë. Gazetar, ose jo. I madh, e i vogël. I arsimuar, apo i paarsimuar. Me para, apo pa para, të gjithë janë sulur drejt hapjes së një portal në të cilin nuk ka rëndësi se çfarë shkruan. Një pjesë e shfrytëzojnë për vendosje gjobash, një pjesë se po krijojnë pushtet dhe një pjesë për të kapur ndonjë gjë. Një panoramë që të bën të ndjesh keq nëse si gazetar ke të vetmin synim të bësh gazetari. Prandaj, sot në Shqipëri vërtetë ka shumë portale, por ska profesionalizëm. Ka shumë lajme, por shumë pak të vërteta. Edhe kur një portal i bën opozitën e qeverisë, ajo është thjesht një opozitë militante, pa rregullat bazë të gazetarisë dhe është e shoqëruar me parimin “vishja se i kemi armiq”. Ajo që veçohet është se gazetat tradiconale janë drejt shuarjes dhe se vetë portalet e këtyre gazetave janë më të forta se sa versioni print. Po tani që jemi në fushatën elektorale? Portalet sërish janë në ofensivë. Është një kaotizëm që nuk kupton se cila forcë politike mbështetet dhe përse e mbështet. Më pas vjen facebook-u dhe instagrami që janë përmbytur nga lajme fushate. Disa portale publikojnë një lajm në versionin e tyre. Disa kanë tituj që nuk kanë asnjë rregull bazë të gazetarisë dhe vërtetë janë për studim shkencor. Dhe të tjerë akoma janë për studime ndërkombëtare që edhe vetë world wide web do çuditej.

  1. BETEJA E SHIKIMEVE NË REAL TIME

Sapo Edi Rama dhe Lulzim Basha nisin një aktivitet të fushatës, ndjekësit më shumë e kanë mendjen jo te ajo që thotë dhe atë që ndodh, por te shikueshmëria. Në cep të ekranit që transmetohet në televizion, por edhe në ekranin e facebook, shfaqet versoni real time dhe aty shikueshmëria nuk gënjen. Pikërisht këtu nis beteja se cili ka shikueshmërinë më të lartë, Rama apo Basha. Vërtetë youtube dhe facebook nuk gënjejnë, por marifetçinjtë shqiptarë janë në punë. Së pari ata angazhojnë me urdhër partie të shtypin butonin like. Ata që janë super të apasionuar mund të shtypin edhe butonin zemër e kuqe. Ndërsa të tjerë që e njohin akoma më mirë këtë teknikë bëjnë share në disa faqe fantazma pamjen ku del shefi i tyre dhe fap shikueshmëria rritet. Por, nëse shikon faqet nga ku janë bërë share të rezulton se janë diku në Indi, e deri në Kinë. Kjo është për të qeshur dhe për të qarë. Është beteja më idiote e shikueshmërisë.

  1. MEDIA ËSHTË NË FUSHATË POR JO NË TERREN

Kanë ikur ato kohë kur gazetari bënte realisht punë e gazetarit. Si një gazetar me afër 25 vjet përvojë, më duken kujtime aq të bukura, por aq të largëta që kur niste fushata zgjedhore bëhej një përgatitje tepër e veçantë. Në fillim stafi bënte mbledhjen më të rëndëishme të vitit. Për sa kohë do ishte fushata gazetarët nuk ishin më të sektorizuar. I binte që edhe një gazetar i sektorit të sportit do angazhohej me fushatën. Të tjerët po e po. Ndaheshin detyrat për çdo parti. Sigurohej agjenda e partive dhe caktoheshin edhe gazetarët që do mbulonin ata. Fotografët dhe kameramanët që do ndiqnin aktivitete e tyre nga Vermoshi deri në Konispol. Gazetarët e rinj që e lexojnë këtë pasazh u duket sikur bëhet fjalë për disa UFO që po bëjnë xhiro këtej nga Toka. Jo. Ka qenë brezi ynë i gazetarëve që kështu punonte dhe kjo ishte mëse normale. Ky stil tashmë është përmbysur. Në televizione çdo gjë vjen e gatshme. E filmuar, e montuar dhe transmetimet live janë me regji qendrore të vetë politikanëve. Vërtetë media është në fushatë, por gazetarët janë në zyrë dhe jo në terren. Askush nuk lëviz nga zyra, por ama të gjithë shkruajnë dhe publikojnë për fushatën. Në fakt çdo gjë është kjo, vetëm gazetari nuk është. Dhe ne gazetarët me përvojë na duket vetja jo vetëm të lashtë dhe nuk kemi lidhje me këtë realitet, por si ata gjyshët që tregojnë përralla të tipit: Na ishte një herë një fushatë zgjedhor dhe ne që shkonim cep më cep të Shqipërisë…..

  1. FUSHATA PO BËHET NË STUDIOT E EMISIONEVE TELEVIZIVE

Megjithatë në terren jo, por në studio po. Gazetarët janë stacionuar në studiot me kondicionerë dhe të ftuarit që diskutojnë dhe debatojnë aty janë realisht fushata reale. Ata që nuk e njohin këtë teknikë, duhet ta dinë se sa luftë më e fortë në fushatë bëhet për të ftuarit në studio. Politikanët kanë shumë dëshirë të jenë në studio televizive. Por, ata tani ndjehen të përkëdhelur sepse ka aq shumë televizione, studio dhe emisione saqë nuk e kanë fare problem ftesën. Dikur kur ftoje një politikan në studio, ai e merrte për një nder të madh që I kishe bërë. Jo pak herë jam vënë në pozitë të vështirë nga falenderimet e tepruara të politikanëve në kësi rastesh afër një dekade më parë. Më kujtohet një deputet i sapozgjedhur të cilin e kishim ftuar në një nga studio televizive u ekzaltua aq shumë saqë sapo mbaroi intervista porositi si dhuratë për secilin pjestar të stafit si dhuratë nga një palë këpucë për të cilat nisi të pyes gazetarët me numrat e këmbëve. U qetësua vetëm kur ia shpjeguam se kjo gjë nuk funksiononte kështu dhe se ftesa e një gazetari në studio nuk ishte dhuratë, por pjesë e punës së tij. Po tani? Tani kemi anën e kundërt. Politikanët as duan t’ia dinë nëse i fton apo jo. Nëse nuk i fton ti, ka plot të tjerë që i fton. Çdo politikan e ka të sigurtë që do ta ftojnë në emisione. Në çdo televizion mesatarisht ka nga katër apo pesë emisione që nisin mëngjes dhe përfundojnë në mbrëmje vonë. Nëse këtë e shumëzon me rreth 50 televizione që janë në vend, janë pra 250 emisione që janë të gatshëm të ftojë nga kandidati më i parëndësishëm për deputet i partisë më të parëndësishme e deri te presidentit i Republikës. E keni vënë re? Të gjithë u janë sulur televizioneve dhe të gjithë janë sulur emisioneve. Madje politikanët tashmë po ftohen dhe në spektakle humori dhe pse aty të bëjnë për të qarë. Realisht fushata është pikërisht në studio televizive.

  1. ÇDO GAZETAR, NJË EMISION, PËR TË VËNË DUART NË KOKË

Ka një mani në median shqiptare në dy tre vitet e fundit. Tani në fushatë kjo është bërë edhe më e theksuar. Çdo gazetar i mundshëm është jo vetëm i gatshëm, po e ka synim të karriës së vet të ketë një emision të mundshëm në një televizion të mundshëm. Është e trishtueshme se karriera e gazetarëve në median shqiptare është kaq deformuar. Kulmi është kur disa reporterë shumë të mirë terreni kanë lënë mikronfonin dhe janë stacionuar në studio. Pse? Pikërisht për të drejtuar një emision. Nuk po merrem me aftësinë e veçantë të tyre për të “kapur” këtë pozicion, por më shqetëson shumë fakti që ata kanë braktisur atë që dinë të bëjnë më mirë dhe që për këtë vlerësohen më shumë, raportimin e lajmit nga terreni. Por ata besojnë se është arritje e madhe në karrierën e tyre kapja e një emisioni në studio. Kjo rendje është forma më e dëmshme që i bëhet profesionit. Është një rendje që pavarësisht se çfarë bën dhe çfarë sjell, çdo gazetar të ketë emisionin e vetë. Gati si mania e bareve dhe kafeneve në fillim të viteve ‘90-të në Tiranë saqë mjeshtri i batutës, i paharruari Kiço Blushi nxorri në atë kohë shprehjen lapidare: Gjysma e shqiptarëve bëjnë kafe dhe gjysma e shqiptarëve pinë kafe. Që mund ta pështasin: Gjysma e gazetarëve bëjnë emisione dhe gjysma e gazetarëve shikojnë emisione. Aktualisht në media është edhe më e theksuar. Nëse do kishin mundësinë, çdo gazetar do kishte emisonin e vet. Kjo është për të qarë dhe për të qeshur. Vërtetë në Shqipëri ka disa gazetërë që kanë me më shumë se një dekadë qa drejtojnë emisione politike. Por shumica e tyre kanë një karrierë mbi supe në media. Kanë startuar dhe kanë një përvojë të madhe si reportërë, veçanërisht në atë të shkruar. Kanë  drejtuar gazeta dhe newsroom-e në televizione. Kanë shkruar analiza dhe shkrime pa përmendur që kanë botuar libra e kanë bërë studime të ndryshme. Dhe pas gjithë kësaj karriere është mëse normale të drejtojnë një emision politik. Dikush mund të vërejë që emisione politikë drejton edhe ndonjë që nuk ka bërë më shumë se spikeren dhe nuk e njeh se çfarë është terreni. Po. Por këta lloj nuk janë modeli më i mirë. Modeli më i mirë janë ata që i kanë dhënë më shumë gazetarisë jo ata që i kanë marrë më shumë asaj. Kështuqë gazetarë që drejtojnë një emision politik vetëm e vetëm se njohin një politikan të fortë te PS apo te PD që i mbështet kjo është shenjë degradimi të profesionit tonë. Për të mos kaluar te ata që drejtojnë emisione politike pa qenë asnjë ditë gazetar, porse ia ka arritur kësaj duke i gjetur anën shefit të televiziont. Ironia e emisioneve të tilla inflacioniste arriti kulmin një ditë kur në një televizion të rëndësishëm një politikan ishte i ftuar brenda ditës në tre emisione të ndryshme. Kjo nuk është vetëm e tepërt. Kjo është e turpshme dhe skandaloze për nivelin e medias. Sigurisht këtu fajtorë nuk janë gazetarët dhe moderatorët e emisioneve, por drejtuesit e televizioneve që nuk kanë kulturën minimale të mënyrës se si bëhet televizioni dhe se si funskionon media.

  1. PREFERENCAT E VETË PARTIVE PËR MEDIAT

Ka aq shumë televzone dhe portale saqë në një farë mënyre politikanët kanë një të drejtë të kenë një lloj selektimi për atje ku shkojnë dhe me kë gazetar do realizojnë intervistën apo emisionin. Por në vend që të ndodhte kjo, në median tonë po ndodh një çudi. Politikanë që cuditërisht janë kryesisht të opozitës janë pikërisht ata që selektojnë se ku mund të japin intervistë. Në mentalitetin e tyre mjafton të jenë prezent në dy televzionet më të mëdha apo kombëtarë dhe te të tjerët nuk ua ndjen shumë. Kjo është mungesë e hapur profesionalizmi por edhe një mungesë vizioni. Por unë do ta quaja dritëshkurtërsi edhe nga stafi që është pak tu thuash mizerabël. Një polikan opozitar është i destinuar të shkojë edhe në një media që ndiqet shumë, por edhe në një media që ndiqet pak. Edhe te një gazetar i vjetër dhe me eksperinecë por edhe te një gazetar i ri. Ai duhet të shkojë edhe te një media që e mbështet por edhe te një që e ka kundërshtar. Vetëm kështu ai fiton audiencë dhe vëmendje duke rritur rrethin e atyre që e ndjekin. Disa politikanë jo vetëm që nuk e njohin këtë teknikë komunikimi por arrijën deri atje sa të shpërfillin çdo gjë tjetër që nuk është në preferencat e tyre politike, në shijet e tyre pa shije dhe në marrëdhëniet e tyre personale. Këtu rol kanë sigurisht edhe specialistët e komunikimit politik të partive që ose nuk e kanë haberin në këto punë ose shefat politikë nuk i dëgjojnë fare ata. Është thjesht një komunikim oriental i hedhur në kosh.

  1. KQZ DHE MEDIAT

Tashmë është krijuar një përvojë për mediat në fushatat elektorale. Dikur as që bëhej fajlë që një televizion të kishte detyrim kohën e caktuar forcave politike. Tashmë kjo është e sanksionuar dhe për këtë KQZ ka meritën e veçantë. Më kujtohet se shumë vite më parë kur u bë matja e parë televizive në një fushatë zgjedhore rezultoi se disa televizione u kishin dhënë 0 minuta partive që nuk i mbështesnin. Sot kjo është për të qeshur dhe është pozitiv fakti që të gjithë gazetërët këto ditë më shumë kanë merak kohën që do vënë në dispozicion të partive se sa ecurinë e fushatës. Janë në një garë se cili do jetë më i sakti me dhënien e kohës partive respektive në fushatë. Është një arritje jo e vogël kjo pavarësisht se në pamje të parë duket si e parëndësishme sepse është e normalizuar tani. Megjithata ka ende ndonjë media që nuk do tia dijë shumë për këtë gjë që tregon prapambetje dhe aspak profesionalizëm. Për të mos shkuar te portalet, një pjesë e të cilave as që e kanë në agjendë që duhet të publikojnë lajme për të gjitha forcat politike sipas rregullit të kohës dhe numrit të lajmeve.

  1. MEDIA E ANALISTËVE DHE JO E REPORTERËVE

Sot analisti në Shqipëri është kthyer në një institucion. Madje duke e lënë në hije edhe reporterin. Nuk ndodh kjo në asnjë vend të botës. Fareed Zakaria është padyshim një nga analistët më të mirë të SHBA. Drejtues i revistës prestigjoze “Newsweek”, për shumë vite ai është edhe analist në CNN për çështje politike, lokale dhe ndërkombëtare dhe për këtë është shumë i vlerësuar. Por ama edhe më shumë i vlerësuar se Fareed Zakaria në SHBA është Christian Amanpour, reporterja e luftës po e CNN që raporton nga çdo konflikt. Shtëpia e saj ka edhe muzen personal në të cilin janë të vendosur objekte nga çdo vend që ajo ka raportuar. Madje edhe nga Shqipëria e vitit 1997. Epo këtu në Shqipëri ky raport është përmbysur. Këtu edhe dikush që nuk ka panuar asnjë ditë në media, mund të vetëshpallet analist dhe vetëm pse flet në një televizion kombëtar krekoset se kush e di se çfar është. Ore zotëri, nise këtë punë nga hiçi, bëj disa vite reporterin atje ku është rreziku. Pastaj bëj redaktorin dhe drejto disa reporterë. Pastaj akoma drejto ndonjë redaksi gazete apo neësroom lajmesh. Dhe pasi ke kaluar dekada me këto punë, bëhu edhe analist po të duash. Por ama kalo nga këto shtigje që të bëjnë gazetar. Sepse, nga hiç në analist, është një përmbysje e këtij profesionit tonë saqë ky fenomen është bërë për studim shkencor. Fakti që të mbështet dikush apo partia, nuk do të thotë që e ke atë profesion.

  1. LAMTURMIRË PRINT NË FUSHATË

Mbreti i medias, shtypi i shkruar ka kohë që ka vdekur. Disa testata ende sforcohen të jenë në treg por edhe fuqia e tyre ka rënë ndjeshëm. Lajme që portalet i nxjerrin në mëngjes nuk vlejnë fare që të jenë edhe në mëngjesin tjetër në versionin print vetëm e vetëm se ti vazhdon të këmbëngulësh se je gazetë e madhe. Të gjithë duhet të falenderojnë Bashkim Hoxhën që është pikërisht ai autori që i mban ende në këmbë. Nëse Bashkimi nuk do ti lexonte më, jam i sigurtë që as këto gazeta nuk do ekzistonin as formalisht. Por “plaku” i mëngjesit që prej 24 vjetësh ka durimin të bëjë të njëjtën gjë me kohë për të lexuar është kthyer në një arkeolog mediatik që çuditërisht na krijon perceptimin sikur po vë në funksion Koloseun dhe piramidën e Keopsit. Pyetja ime është: A ka ndonjë politikan që ka merak që të dalë në faqen e parë të një gazete? Nëse po, ai dhe stafi i tij ka mbetur prapa. Është thjesht një fosile. Vetë gazetarët nuk blejnë më gazeta e jo më lexuesit. Iphon-i në dorë është telefon, gazetë, televizion, kamera, aparat fotografi dhe gjithçka dhe askujt nuk ia ndjen për printin. Dikur vërtetë ishte ndryshe, por teknologjia ka ndryshuar aq shumë dhe në kohë të shpejtë saqë edhe ata që e shpikën nuk e dinin se çpo bënin. Por tani një gazetë në letër është thjesht harxhim i kotë letre e boje dhe energji gazetarësh që për hir të vërteës kanë mbetur shumë pak. Ata që vazhdojnë të punojnë në gazeta janë të fundit e mohikanëve të medias. Ajo që vlen dhe mbetet aty janë vetëm analizat ekskluzive. Vetëm për to kanë gazetat kanë vlerë. Të tjera vështirë është të sforcohesh ti mbash. Kur sot në SHBA, Britani e gjetkë testatat që kanë bërë histori nuk ekzistojnë më, çdo mund të bëjnë ato në Shqipëri? Përgjigja është afërmendsh./fjala.al