NATO nis stërvitjet ushtarake në Shqipëri/ Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi inspekton përgatitjet e FA për “Defender 21”

NATO nisi të enjten stërvitje ushtarake në Shqipëri, me pjesëmarrjen e mijëra forcave nga Shtetet e Bashkuara.

Stërvitjet në këtë shkallë janë të parat në Ballkanin Perëndimor që nga Lufta e Dytë Botërore, tha koloneli amerikan, Joseph Scrocca.

Ai tha se Shqipëria është “një aleate e vendosur e NATO-s që nga viti 2009” dhe “një partnere e vlerësuar e sigurisë - si në rajon, ashtu edhe në nivel global”.

Trupat amerikane janë vendosur në Shqipëri qysh më 26 prill.

Ato do të mbajnë stërvitje në gjashtë baza tokësore, detare dhe ajrore në Shqipëri deri më 10 qershor.

Shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, Kroacinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, janë vende anëtare të NATO-s.

“Ky mision historik demonstron aftësinë tonë për të shërbyer si një partner strategjik i sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe në rajonet e Detit të Zi”, tha Scrocca.

Stërvitjet e koduara si “DEFENDER-Europe 21” janë ushtrime vjetore shumëkombëshe, të cilat udhëhiqen nga SHBA-ja.

Natyra e tyre është mbrojtëse dhe përqendrohet në parandalimin e agresionit.

Në kuadër të tyre, rreth 28,000 forca të SHBA-së dhe 26 vendeve të tjera do të kryejnë operacione gati të njëkohshme në më shumë se 30 zona trajnimi, nisur nga Baltiku dhe Afrika deri në rajonet e Detit të Zi dhe Ballkanit.

Scrocca tha se stërvitjet si këto janë “shembulli kryesor i aftësive tona kolektive”.

Kiel | Mk 41 Seaking 89+52 startet von Deck des Tenders A 512 Mosel

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi inspektoi në pjesën ushtarake të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” infrastrukturën e përkohshme për pritjen e trupave, duke respektuar edhe masat kundër përhapjes së COVID-19.

Ministri Peleshi e konsideroi stërvitjen “Defender 21” si shumë të çmuar për rëndësinë strategjike të Shqipërisë dhe rolin që vendi ynë luan si vend anëtar i NATO-s.

“Bëhet fjalë për një ngjarje historike sepse është stërvitja më e madhe e ndodhur ndonjëherë në Shqipëri dhe rajon. Është një stërvitje e cila jep mesazhe të rëndësishme për rëndësinë strategjike të Shqipërisë dhe për rolin që vendi ynë ka dhe do të ketë në të ardhmen në të gjitha zhvillimet gjeopolitike duke patur në krah aleatë shumë të fortë. Partneri ynë më strategjik që, le të themi janë Komanda Europiane e SHBA, është organizatore e kësaj stërvitjeje, natyrisht në kuadrin e NATO-s, me pjesëmarrje të madhe të trupave amerikane por edhe të vendeve të tjera pjesë e Aleancës. Ne jemi vend pritës dhe do të marrim pjesë me rreth 1000 efektivë aktivë. Unë sot kam ardhur me shefin e Shtabit të FA, gjeneralmajor Begaj, për të parë pikën hyrëse të trupave që do të ulen në pistën e Rinasit. Këtu janë facilitetet e nevojshme për të pritur edhe më pas sipas planit, vazhdon stërvitja. Do të kemi vizita shumë të rëndësishme në ditët në vazhdim nga NATO, nga Komanda Europiane e SHBA, Komanda Supreme Operacionale e NATO-s që siç e thashë puntojnë tek rëndësia dhe mesazhet strategjike të kësaj stërvitje për vendin, rajonin por edhe për gjithë Europën”, u shpreh ministri Peleshi.

DEFENDER-Europe është një manovër e madhe e përvitshme, e përbashkët dhe shumëkombëshe, e udhëhequr nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila ka për qëllim rritjen e gatishmërisë dhe të ndërveprimit mes ushtrisë amerikane, dhe atyre të vendeve të NATO-s dhe të vendeve partnere. Këtë vit, më shumë se 28 mijë forca, nga 27 vende, do të kryejnë operacione pothuajse të njëkohshme në më shumë se 30 zona trajnimi, në shumë vende, prej Baltikut e deri te zonat e rëndësisë strategjike si Ballkani dhe Deti i Zi. Gjatë operacioneve të përbashkëta në Portin e Durrësit, në Shqipëri, marinarët e Ushtrisë dhe të Marinës amerikane do të bashkëpunojnë dhe do të koordinohen me partnerët dhe me aleatët për të demonstruar aftësinë ushtarake amerikane për dislokim emergjent trupash dhe pajisjesh kudo në botë, në rast krize

 

© Argumentum.