Nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Gjykatës Kushtetuese dhe OSBE-së në Shqipëri

Kryetarja e Gjykatës Kushtetetuese të Republikës së Shqipërisë, Vitore Tusha dhe Ambasadori i Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, SH.T.Z. Vincenzo Del Monaco, nënshkruan sot në datën 14.04.2021, në ambientet e kësaj Gjykate, Memorandumin e Mirëkuptimit për “Bashkërendimin dhe Bashkëpunimin në zbatimin e projekteve dhe veprimtarive që synojnë të mbështesin Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, qëllimi i të cilit është krijimi i një kornize bashkëpunimi në lidhje me termat dhe kushtet që do të dakordësohen midis Palëve.

Gjatë takimit për nënshkrimin e këtij Memorandumi, Kryetarja Tusha falenderoi përzemërisht Ambasadorin Del Monaco për bashkëpunimin e frytshëm dhe intensiv me Zyrën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, veçanërisht gjatë dy vjetëve të fundit, si dhe theksoi rëndësinë e këtij Memorandumi për Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë me qëllim organizimin dhe zhvillimin e veprimtarive që synojnë ofrimin e mbështetjes teknike dhe forcimin e kapaciteteve për përmbushjen e misionit kushtetues në garantimin e epërsisë së Kushtetutës dhe forcimit të demokracisë në vend.

Nga ana e tij, Ambasadori Del Monaco, pasi theksoi rolin dhe pozicionin e rëndësishëm që mbart Gjykata Kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të individit, forcimin e demokracisë dhe ruajtjen e stabilitetit të vendit, shprehu vlerësimin dhe kënaqësinë e tij të veçantë për mbështetjen që po i ofrohet kësaj Gjykate në funksion të promovimit të veprimtarisë së saj, në përputhje me angazhimet, standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë.