Pambuku në Rajonin Xinjiang ‘Nuk i Merr Frymën Popullit’…

Nga Genc Mlloja

Askënd nuk habit intensifikimi i fushatës propagandistike të një grupi vendesh perëndimore lidhur me ritualin 'sezonal' për shkelje të të drejtave të njeriut në disa zona të Kinës ku jetojnë minoritete etnike, kryesisht të besimit mysliman, apo edhe të vetë popullsisë së vendit. Nuk çudisin askënd edhe sanksionet e vendosura prej disa vendeve më promotore të këtij skenari ndaj disa individëve dhe entiteve kineze nën pretendimin e ‘shkeljes së të drejtave të njeriut’, një format tashmë i konsumuar i përdorur jo vetëm kundër Kinës por edhe ndaj vendeve të tjera të konsideruara kundërshtare në rrethana të caktuara kombëtare dhe ndërkombëtare sikurse po ngjet tani. Aq më pak e gjithë kjo ‘stuhi në një gotë caji’ nuk impresionon aspak opinionin e gjerë publik kinez, e vetë komunitetet e atyre etnive minoritare që tashmë janë mësuar me një ‘përkujdesje’ të tillë që u serviret herë pas here në forma nga më të ndryshmet sepse janë mësuar kur, përse dhe në çfarë rrethanash thirret në skenën politike një kartë e tillë.

Këtë radhë thelbi i kësaj fushate shabllone është e përmbledhur në pretendimet e ngritura prej shefit të ri të diplomacisë amerikane Antony Blinken sipas të cilave ndaj popullsisë myslimane ujgure dhe minoriteteve të tjera ne Xinjiang, një rajon autonom Ujgur në veriperëndim të Kinës, as më shumë e as më pak ‘ushtrohet genocid’. E përdorur si ‘argument’ sulmi propagandistik nga vende të cilat kanë qenë historikisht burimi i krijimit të një sistemi të tillë anti-njerëzor, që vetë fjala u përket gjuhëve të tyre të folura, të cilën e kanë modifikuar më vonë me grimasa demokratike duke e mbajtur në këmbë në shumë vende, madje edhe të tyret, është tejet paradoksale. Kur jemi në shekullin e 21-të dhënia shpirt e një njeriu me fjalët ‘më more frymën’ është alarm për formën e re të genocidit, diskriminimit racial që vazhdon në forma të ndryshme dhe që po has gjithnjë e më shumë në kundërshtimin e paepur të popujve liridashës dhe po dënohet në nivel ndërkombëtar!

Për tu kthyer tek fushata anti-kineze më duket me shumë interes ajo që ka tërhequr vëmendjen dhe përbën temë për diskutim: koha dhe rrethanat kur ajo ndodh sepse ‘akt-akuza’ vetë është më shumë për tu mbajtur shënim për dokumentacion arkivor sesa për substancën çka mbart në formatin e përsëritur të kohëve të shkuara në forume të ndryshme ndërkombëtare dhe mjetet mediatike perëndimore.

Pikë së pari nuk ka dyshim se thelbi i këtij qëndrimi të ashpër të Uashingtonit ndaj Kinës për të mbajtur të tensionuara marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve i ka rrënjët në ambicjen permanente amerikane për supremaci botërore një linjë që u përçua nga administrata e mëparshme e ish-Presidentit Trump, por duket qartazi se vazhdon edhe me administratën e Presidentit të tanishëm Joe Biden. Kjo linjë është bërë më e theksuar kur pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar po shikon kah një rend i ri global botëror pas goditjes fatale që po jep pandemia kovidiane në rruzullin tokësor. Multilateralizmi shikohet si shpresa për siguri, paqe, mirëqenie e përparim në botë, unilateralizmi konsiderohet në dëm të pjesës dërmuese të vendeve, kryesisht atyre në zhvillim.

Nga ana tjetër fushata e tanishme anti-kineze është dukshëm edhe një përpjekje për të frenuar vendet aleate europiane të SHBA, kryesisht vendet anëtare në BE, ndaj zgjerimit të lidhjeve dhe bashkëpunimit të tyre me Kinën. Duke u ofruar një qëndrim tjetër nga ai i Trumpit, që serviret si më pro euro-atlantik administrata e Bidenit kërkon në këmbim që vendet e BE-së të kufizojnë bashkëpunimin e tyre me Kinën, që po njeh rritje e ridimensionim dhe për shumë syresh është bërë ‘oksigjen’ në përpjekjen për tu rimëkëmbur në kushtet e pasojave shkatërrimtare pandemike. Marrëveshja e Përgjithshme për Investimet, e përfunduar midis Kinës dhe BE-së në fund të dhjetorit 2020, ka qenë një ngjarje historike kur të dy palët kremtuan edhe 45-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Duke komentuar rrugën drejt kësaj ngjarje në një koment të saj radio DW vinte në dukje më 19 dhjetor 2020 pak ditë para nënshkrimit të marrëveshjes se diplomatët në Bruksel thonë nëse një marrëveshje me Kinën arrihet para fundit të vitit (2020), kjo mund t'i bëjë më të ndërlikuara bisedimet e para të BE-së me Presidentin e ri të SHBA, Joe Biden. “Demokrati Biden, i cili do ta marrë detyrën në 20 janar, fillimisht dëshiron t'u përmbahet tarifave ndëshkuese të SHBA kundër Kinës. Biden dëshiron që hë për hë t'i përmbahet edhe kursit kundër Pekinit të ashpërsuar nga paraardhësi i tij Donald Trump”, theksonte komenti i DW. Marrëveshja në fjalë parashikon mbrojtjen e investimeve dhe ka për qëllim të mbulojë prodhimin industrial, shërbimet financiare, transaksionet e pasurive të patundshme dhe industrinë e ndërtimit, si dhe transportin etar dhe ajror. Gjasat janë që BE nuk e ka luksin të bëjë një kthesë 180 gradë në lidhjet bashkëpunuese me Kinën për të ndjekur ambicien amerikane të linjës së ashpër ndaj këtij vendi.

Ndërkohë çfarë duket se është më irrituese në sytë e Uashingtonit është rritja e madhe e autoritetit të Kinës në arenën ndërkombëtare dhe në organizatat e ndryshme ndërkombëtare, e veçanërisht ne Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Organizatën Botërore të Shëndetësisë prej kujt SHBA ishin pothuajse vetëizoluar nën administratën e presidentit Trump.

Por gjurmë ka lënë aspekti njerëzor – popujt në mbarë botën i kanë hedhur sytë nga Kina si kontribuese kryesore në luftën kundër sëmundjes vdekjeprurëse kovidiane në fillim me ndihmat e shpejta me pajisje mjekësore e ekspertizë dhe specialistë, dhe tani me solidaritetin e ripërsëritur për furnizimin e tyre me vaksinat anti-Covid, që Pekini zyrtar e konsideron si produkt global publik një qëndrim i cili po gjen mbështetje gjithnjë e më të gjërë të komunitetit ndërkombëtar, madje edhe në radhët e vendeve të BE-së.

Por po kaq i dukshëm në zemratën anti- kineze të SHBA është aspekti ekonomik, kur në skenën botërore paraqitet një Kinë e cila parashikon rritje prej 6.1 përqind të ekonomisë së saj më 2021 kundrejt një stanjacioni të frikshëm në shumë vende perëndimore, përfshirë edhe vetë SHBA, me perspektiva të deklaruara pesimiste.

Po a është skenari genocidian ‘Xinjiang’ argument i tillë që të justifikojë me baza synimet e vërteta të ‘erërave të acarta’ që fryjnë nga Uashingtoni drejt Pekinit?

Duke iu përgjigjur një pyetje në një konferencë shtypi më 26 mars Wang Yi, shefi i diplomacisë kineze, tha se çështjet që kanë të bëjnë me Xinjiang kanë qenë të lidhura me luftën kundër dhunës, terrorizmit dhe separatizmit, të cilat minojnë rëndë të drejtën për mbijetesë dhe zhvillim të të gjithë grupeve etnike që jetojnë atje. Por duke folur për realitetin e tanishëm ai deklaronte se ka katër vjet a më tepër që nuk ka patur incidente terroriste dhune në Xinjiang duke garantuar sigurinë e banorëve vendas.

Por me këtë rast më duket me vlerë për lexuesin që të njihet me disa të dhëna e fakte të përditësuara që e kanë zanafillën tek burimi i përfolur, që është vetë Xinjiangu, vetë populli i atij rajoni, vetë komunitetet e ndryshme etnike, e konkretisht ai Ujgur, që jetojnë e zhvillohen e begatojnë atje në tokat e tyre nën lulëzimin ndër të tjera të pambukut… Në krye të herës disa fakte mbi gjendjen e popullsisë Ujgure. Nga viti 2010 deri më 2018 numri i popullsisë është rritur nga 10.17 milion në 12.72 milion shifër që tregon një rritje prej mëse 25 përqind, që është një shtim 2 përqind më i lartë se sa ai i popullsisë Han gjatë të njëjtës periudhë. Lind pyetja: a mund të quhet ky genocid etnik? Gjatë pesë viteve të fundit ekonomia e këtij rajoni është rritur me një ritëm mesatar vjetor prej 6.1 përqind dhe të ardhurat për frymë 5.8 përqind, dhe një ndër arritjet më të rëndësishme është zhdukja e varfërisë ekstreme sikurse ka ndodhur në shkallë kombëtare në Kinë e shpallur më 25 shkurt 2021. Tre milionë njerëz që jetonin nën nivelin e varfërisë e kanë tejkaluar atë fazë tashmë. Indeksi i zhvillimit njerëzor (HDI) është dyfishuar gjatë 30 viteve të fundit. Numri i të punësuarve është rritur 2 përqind vitin e kaluar ose 17.2 përqind në pesë vitet e fundit dhe të gjithë grupet etnike kanë të drejtë të zgjedhin punësimin, gëzojnë të drejta të plota pune dhe shpërblimi.

Liria e besimit e grupeve etnike është e mbrojtur me ligj në Xinjiang dhe disa hollësi si për shembull libri i shenjtë i besimit mysliman Kurani është përkthyer në gjuhën Ujgure dhe tre gjuhë të tjera etnike.

Pas një vizite në Xinjiang, ambasadori i Pakistanit në Kinë shprehu habi se kishte “disa xhami në të njëjtën rrugë dhe shërbimet publike dhe lehtësira në ambientet e xhamive janë përmirësuar vazhdimisht. Në veçanti i gjithë personeli klerik lokal ka mundësi për programe trajnimi në ambiente klasike islame për të kryer purifikimin ritual, për radio dhe TV, shërbime mjekësore e arsimore dhe te tjera shërbime jetike”.

Nga ana tjetër, në rajonin Xinjiang gjuhët dhe kulturat e të gjithë grupeve etnike janë te mbrojtura në përputhje me ligjin. Gjuhët ujgure dhe nëntë gjuhë të tjera etnike me shkrim dhe të folur janë gjerësisht të përdorura në drejtësi, qeveri, sistemin arsimor, media dhe botime. Për shembull, në monedhën kineze – kartmonedhën Renminbi- janë pesë gjuhë të stamposura, duke përfshirë gjuhën ujgure.

“Përpjekjet për të kritikuar dhe stigmatizuar Kinën mbi Xinjiang nisen nga një axhendë e fshehtë . Ata synojnë të dëmtojnë imazhin e Kinës nëpërmjet shpifjeve të pabaza, të mbjellin përçarje midis Kinës dhe vendeve arabe dhe islamike, dhe madje të pengojnë dhe minojnë zhvillimin e Kinës”, tha Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi në një intervistë më 26 mars 2021 në Pekin.

Në fakt autoritetet kompetente kineze nuk janë kursyer në argumente energjike plot të vërteta lidhur me realitetin e gjërave. Ministria e Jashtme u tregoi gazetarëve një video në një konferencë të rregullt shtypit para disa ditësh për të qartësuar pse e ashtuquajtura çështje e Xinjiang-ut është thjesht një komplot strategjik i SHBA-së që synon të destabilizojë Kinën. Video-ja ishte mbi një fjalim të Lawrence Wilkerson, shefit të shtabit të ish-Sekretarit amerikan të Shtetit Colin Powell, në Konferencën e Uashingtonit të Institutit Ron Paul. Në fjalim, Wilkerson thoshte se nëse CIA do të synonte të destabilizonte Kinën, mënyra më e mirë për ta bërë atë do të ishte shkaktimi i trazirave shoqërore dhe sulmi nga brenda. Më poshtë më konkretisht: "Në Xinjiang të Kinës ka 20 milionë ujgurë, nëse CIA-ja mund t'i shfrytëzojë si duhet... Për prishjen e stabilitetit në Kinë metoda më e mirë është fabrikimi i trazirave, domethënë nxitja e ujgurëve për ta shkatërruar Kinën nga brenda". E shkruar e zeza në të bardhë ky ishte skenari i gushtit të vitit 2018 i paraqitur nga koloneli në pension Wilkerson.

Por çfarë thonë ata që realisht janë të interesuar për mbarëvajtjen e minoriteteve etnike, përfshirë ato myslimane në Kinë ?

Në punimet e sesionit të marsit të këtij viti të Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, ku Kina është anëtare duke filluar nga 1 janari i këtij viti në mandatin e saj të tretë që kur është anëtarësuar në këtë organizëm të sistemit të Kombeve të Bashkuara, përfaqësuesit e 21 vendeve arabe dhe islamike shprehën qëndrimin e tyre në mbështetje të Kinës lidhur me çështjen e minoriteteve etnike, e cila, nga ana e saj, konfirmoi gatishmëri për të punuar me vendet arabe dhe islamike në mbështetje të parimit të mosndërhyrjes dhe të mbrojtjes bashkërisht të të drejtave të ligjshme dhe interesat e vendeve në zhvillim.

Ndërkohë një dokument i mbledhjes së nëntë të ministerialit të Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Shtetet Arabe mbajtur kohët e fundit theksoi përpjekjet e rëndësishme të Kinës për tu kujdesur për minoritetet etnike dhe shprehte mbështetjen për qëndrimin e drejtë të saj ndaj Hong Kongut.

eri tani nuk vihet re asgjë e re në argumente, të paktën nga çfarë parashtroi Sekretari i Shtetit Antony Blinken, që ishin si vazhdim i deklamimeve të administratës Trump kundër qëndrimit kinez ndaj popullsisë myslimane ujgure dhe minoriteteve të tjera ne rajonin autonom Xinjiang duke iu referuar akuzës për “genocid”.

Së pari, të gjithëve u shkon në mëndje se në situata të veçanta kanë dalë në skenë kush më shumë e kush më pak kartat e të drejtave të njeriut në Kinë, Tibeti, Tajvani, Hong Kongu, dhe madje edhe çështje rajonale. Por nuk kanë munguar edhe kritika specifike amerikane (!!) ndaj Pekinit për synimet e tij të rrisë influencën globale nëpërmjet teknologjisë së telekomunikacionit, medias sociale, arsimit dhe shkëmbimeve kulturore.

Gjej me vend të citoj ambasadorin kinez pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork Zhang Jun, i cili në një intervistë të drejtpërdrejtë në televizionin CNN me gazetaren e mirënjohur Christiane Amanpour më 27 mars tha se gjatë viteve të fundit më tepër se 1000 njerëz, duke përfshirë diplomatë dhe gazetarë shumë nga të cilët prej vendeve myslimane, kanë vizituar rajonin Xinjiang duke hedhur poshtë pretendimin e CNN se ky rajon ka qenë i mbyllur për zyrtarët dhe gazetarët e huaj. “Çfarë kanë parë është realiteti i vërtetë”, Ambasadori kinez i tha gazetares Amanpour duke i kujtuar se a mund të quhet genocid kur një popullsi shtohet më shumë se dy herë brenda katër dekadave.

“Gjithnjë e më tepër studiues në botë kanë parë më qartë gënjeshtrat mbi Xinjiang të gatuara nga forcat perëndimore anti-kineze duke përfshirë Amerikën. Gazetari francez Maxime Vivas ka botuar një libër ‘Fundi i Lajmeve të Rreme mbi Ujgurët në Xinjiang’ (The End of False News about the Uygurs in Xinjiang) ku vë në dukje se nuk ka asnjë fjalë të vërtetë në njoftimet anti-kineze të Ujgurëve në Perëndim”, deklaroi Elijan Anayat, zëdhënëse e qeverisë popullore e Rajonit Autonom Ujgur Xinjiang (XUAR) në një konferencë shtypi në Pekin më 31 mars 2021 që është e botuar në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme kineze.

“Pambuku është i bardhë, por disa zemra njerëzish janë të zeza”, Elijan Anayat tha duke hedhur poshtë trillimet mbi ‘punën e detyruar’ në industrinë e pambukut të Xinjiang. Ajo tregoi se nuk ka problem të ‘punës së detyruar’ në industrinë e pambukut të rajonit. “Disa forca anti-kineze në SHBA dhe perëndim gatuan këtë shpifje për të mposhtur industrinë e tekstilit të pambukut në Xinjiang, tu privojnë punëtorëve migrantë të të gjithë grupeve etnike të drejtën e tyre të punësimit dhe tu shkatërrojnë jetën e tyre të lumtur”. Me këto fjalë e përfundonte panoramën e saj mbi të vërtetën e gjendjes në Xinjiang Elijan Anayat, zëdhënëse e qeverisë popullore të atij rajoni./CRI