Përgjaket Elbasani vetëm pak ditë para zgjedhjeve/ Reagon ambasada amerikane dhe BE

Një ish-zyrtar i partisë opozitare ka mbetur i vrarë dhe një police është plagosur në qytetin e Elbasanit, në një përleshje të armatosur duke shënuar incidentin më serioz, disa ditë para zgjedhjeve te përgjithshme në Shqipëri.

Pjerin Xhuvani, 56 vjeç, i cili mendohet se është angazhuar në mbështetje të fushatës e Partisë socialiste mbeti sot i vrarë në qytetin e Elbasanit.

Policia njoftoi se është vënë në pranga autori i dyshuar i vrasjes, Arbër Papleka, i angazhuar në fushatën e Partisë Demokratike, si pjesë e stafit të drejtuesit politik për qarkun e Elbasanit, Gazmend Bardhi. Papleka, një ish pjestar i forcave speciale të policisë, është vetdorëzuar. Katër persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, mes të cilëve dhe një punonjëse e policisë, e cila sipas njoftimit zyrtar, po përpiqej të parandalonte krimin.

Mbetet e paqartë dinamika e ngjarjes. Dyshohet se mbështetës të Partisë Demokratike kanë bllokuar automjetin me të cilin lëvizte Xhuvani, dhe kanë kërkuar ndërhyrjen e policisë, pasi dyshonin se ai po lëvizte me para për të blerë vota. Sipas të dhënave ende jo zyrtare, dyshohet se mes palëve ka patur dhe një shkëmbim zjarri. Autori i dyshuar i vrasjes, Papleka, mësohet të ketë deklaruar në polici se ai ka vepruar në kushtet e vetmbrojtjes.

Xhuvani ishte denoncuar më parë nga Partia Demokratike, si pjesë e konfliktit mes mbështetësve të saj dhe atyre të Partisë socialiste në Elbasan gjatë ditës së verës.

Ndërsa pas ngjarjes drejtuesi politik socialist për qarkun e Elbasanit, Taulant Balla akuzoi hapur Partinë demokratike. “Sot kanë ardhur në Elbasan furgona, prej ku grupe paramilitare, njerëz të armatosur nga qytete të tjera kanë zbritur dhe kanë terrorizuar qytetarë elbasanas për qametet që gjoja i presin pas 25 prillit!”, deklaroi ai për gazetarët.

Në një postim në Twitter, kryeministri Edi Rama u shpreh se “dëshpërimi i humbësve nuk duhet e nuk do të na bëjë të humbasim as qetësinë, as durimin, as besimin se 25 prilli do të sjellë bashkimin e shqiptarëve për ta ngjitur Shqipërinë në majën e merituar dhe ndëshkimin kuptimplotë të forcave që duan të ribëhen gjarpër rreth këmbëve tona!”.

Ende deri në mbrëmje nuk ka patur një version zyrtar mbi ngjarjen. Sipas policisë “janë shoqëruar në Drejtoritë Vendore të Policisë Elbasan dhe Tiranë, disa persona të dyshuar se kanë dijeni apo lidhje me ngjarjen”.

Reagon ambasada amerikane dhe Delegacioni i BE-së

Në një deklaratë të saj për ngjarjen e ndodhur në Elbasan, ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri i bën “thirrje zyrtarëve të zbatimit të ligjit të hetojnë këtë incident sa më shpejt dhe në mënyrë të plotë, të identifikojnë autorët dhe t’i dënojnë me të gjithë forcën e ligjit. Ata që përfshihen në dhunë të tillë duhet të ndëshkohen”. Deklarata bën të ditur më pas se ambasadorja Yuri Kim “i ka kërkuar Presidentit Meta, Kryeministrit Rama dhe Kryetarit të Partisë Demokratike Basha të ushtrojnë vetëpërmbajtje – dhe të udhëheqin në të njëjtën mënyrë – ndërsa çështja është duke u hetuar. Veprimet tona duhet të bazohen në fakte, jo në frikë apo thashetheme. Kur vetëm disa ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 25 prillit, ne përsërisim deklaratën tonë të 26 marsit duke bërë thirrje që udhëheqësit – ata që janë në pushtet dhe ata që kërkojnë pushtet – të refuzojnë qartazi dhunën. Ambasada Amerikane do të vazhdojë të monitorojë situatën nga afër”, përfundon deklarata e ambasadës amerikane.

Nga ana tjeter edhe Delegacioni i Bashkimit europian është shprehur se “akti i dhunshëm që ndodhi sot në Elbasan duhet të hetohet me shpejtësi nga autoritetet kompetente, dhe duhen bërë të qarta përgjegjësitë dhe të ndiqet plotësisht”. Përfaqësia e BE-së bëri gjithashtu thirrje “për përmbajtje dhe shmangie të dhunës, retorikës nxitëse dhe gjuhës së urrejtjes në këtë moment vendimtar të fushatës elektorale".