Pozitiviteti në Luftën e Përbashkët për Klimën Zbut edhe Tensionet Politike

Genc MLLOJA

Qasja drejt multilateralizmit si rruga e vetme për komunitetin ndërkombëtar që të kapërcehen vështirësitë e mëdha shumëplaneshe me të cilat po ndeshet bota sot ka qenë alternativë të cilën udhëheqja kineze e ka ofruar prej shumë vitesh si rruga më efikase për të arritur një objektiv të tillë, dhe madje e ka zhvilluar atë nga vitit në vit në përputhje me zhvillimet e shumta dhe të shpejta ndërkombëtare. Kjo u rikonfirmua unanimisht në takimin e nivelit të lartë virtual midis Presidentit Xi Jinping dhe Kancelares gjermane Angela Merkel dhe Presidentit francez Emanuel Macron, iniciator i kësaj tryeze më 16 prill 2021, duke patur në rendin e ditës mbi të gjitha çështjen jetike mbi klimën, si dhe marrëdhëniet Kinë-BE, bashkëpunimin kundër pandemisë dhe probleme të tjera ndërkombëtare e rajonale.

E shprehur më poshtë me pak fjalë por koncentrat në përmbajtje për çfarë u dakortësuan Xi-Macron-Merkel ka një rëndësi të veçantë për këta vende, BE por edhe për mbarë komunitetin ndërkombëtar: ata ranë dakord t'i përmbahen multilateralizmit, të zbatojnë plotësisht Marrëveshjen e Parisit të vitit 2015, të ndërtojnë së bashku një sistem të qeverisjes globale të klimës të drejtë, të arsyeshëm e me përfitime të ndërsjella dhe të përpiqen për rezultate pozitive, të balancuara dhe pragmatike të Samitit virtual për Klimën, i cili është propozuar nga Shtetet e Bashkuara dhe është planifikuar të zhvillohet më 22 e 23 prill 2021 me pjesëmarrjen e 40 udhëheqësve të vendeve të ndryshme të botës, përfshi edhe Presidentin Xi, i ftuar special nga partneri i tij amerikan Joe Biden.

Presidenti Xi u rikonfirmoi bashkëbiseduesve të tij francez e gjerman në takim i cili, sipas njoftimeve të shtypit, ishte i ‘papritur’, si dhe mbarë opinionit publik botëror angazhimin e pandryshuar të Kinës për të arritur kulmin e lëshimit të karbonit brenda vitit 2030 dhe shmangien e emetimeve të karbonit deri në vitin 2060. As Parisi, as Berlini sikurse as edhe vende të tjera kyçe të interesuara në këtë aspekt nuk kanë patur ndonjë dyshim lidhur më këtë qëndrim konsistent të Kinës, por tërheq vëmendjen kthesa që po marrin zhvillimet ndërkombëtare në drejtim të rrjedhës së normalitet të frymës së bashkëpunimit dhe mirëkuptimit pas një farë ‘hutimi’ e mëdyshje në gjirin e bllokut europian si pasojë e ofensivës së sforcuar të administratës se re amerikane të Joe Biden që të krijonte një front anti-kinez, i cili as më shumë as më pak i ngjasonte politikës së dështuar te ish- presidentit Donald Trump.

Macron e Merkel u bënë dëshmitarë të rizotimit të udhëheqësit të vendit të dytë më të fuqishëm ekonomikisht në botë me një rritje impresionante vjetore edhe me 2021 në kushtet e lakut të pandemisë se do të arrijë uljen më të madhe të intensitetit të karbonit në rruzullin tokësor dhe kalimin nga kulmi i lëshimit në asnjanësimin e karbonit në kohën më të shkurtër në histori. Presidenti Xi la të kuptohet se kjo ndërmarrje nuk është ‘fushë me lule’, do të jetë një betejë e vështirë, por, sipas tij, trajtimi i ndryshimit të klimës është kauza e përbashkët e mbarë njerëzimit dhenuk duhet të përdoret si një mjet negocimi gjeopolitik, një objektiv për të sulmuar vendet e tjera ose një justifikim për pengesat tregtare.

Kina do ta mbajë fjalën dhe do t’i zbatojë premtimet, dhe i ka përfshirë arritjen e kulmit dhe të asnjanësimit të karbonit në planin e vet të përgjithshëm për përparimin ekologjik, duke promovuar zhvillimin e një ekonomie të gjelbër, me karbon të ulët dhe qarkulluese, tha presidenti kinez.

Ai theksoi se Kina do t'u përmbahet parimeve të barazisë, përgjegjësive të përbashkëta, por të ndryshme sipas aftësive përkatëse, do të promovojë zbatimin e Konventës Kuadër për Ndryshimin e Klimës të Kombeve të Bashkuara (UNFCCC) dhe të Marrëveshjes së Parisit dhe do të zhvillojë në mënyrë aktive bashkëpunimin Jug-Jug për ndryshimin e klimës.

Për të gjithë është e freskët ngjarja historike e suksesit të Kinës për zhdukjen e varfërisë në mbarë vendin zyrtarisht më 2021 një dekadë më parë se ç’është objektivi i përfshirë në axhendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm të miratuar nga shtetet anëtare të OKB-së në vitin 2015. Kjo arritje në një vend më një popullsi prej 1.4 miliard njerëz i tregoi tërë komunitetit ndërkombëtar jo vetëm vitalitetin e zhvillimit të shoqërisë kineze, por mbi të gjitha seriozitetin e saj konsekuent në plotësimin e objektivave dhe përgjegjësive në plan kombëtar por edhe global duke e parë botën si një bashkësi me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin në të mirë të përparimit të gjithë popujve dhe të paqes se sa si një ambicje për hegjemonizëm. Ky sukses ishte një vlerë e shtuar në rritjen e besimit të mbarë njerëzimit se Kina, udhëheqja e saj, u përmbahen zotimeve që marrin në shkallë ndërkombëtare.

Biseda virtuale Xi-Merkel-Macron mori vlerë të veçantë edhe për faktin se u zhvillua në prag të Forumit mbi ndryshimet globale të klimës, një iniciativë e Presidentit amerikan Joe Biden pasi administrata e tij u distancua nga bojkoti i Marrëveshjes së Parisit duke iu ribashkuar kësaj iniciative mbarëbotërore çka duhet pranuar se përbën një hap të paktën për momentin drejt shkëputjes nga ambicja e politikës izolacioniste amerikane e ushqyer jashtë realitetit të botës së sotme për të qenë ‘numri një’ në këtë planet ku të gjithë kanë të drejtën për atë copë diell që u takon.

Nga ana tjetër këto zhvillime kreshendo në marrëdhëniet Kinë-BE janë të rëndësishme kur më 8 maj 2021 fillon procesi i Konferencës për të Ardhmen e Europës, e cila ka në axhendën e bllokut perspektivat e kontinentit të vjetër kur, sikurse e pranojnë vetë strategët e saj, ai ka nevojë urgjente për një konfiguracion të ri, që shkon madje deri në rishikimin e shumë traktateve dhe aleancave të pas Luftës së Dytë Botërore.

Jo kuriozitet, realitet: 12 vizita të Merkel në Kinë!

Gjej rastin të evidentoj rolin që ka luajtur Kancelarja Merkel në zhvillimin konstruktiv të marrëdhënieve me Kinën në interes jo vetëm të vendit të saj por edhe të BE-së dhe shumë vendeve aleate europiane dhe në këtë kontekst më duket kuptimplotë fakti që qysh prej vitit 2005 ajo ka vizituar Kinën 12 herë. Ky nuk është kuriozitet por realitet!

E në vijim të trajtimit të kësaj teme shtrohet pyetja se si reaguan bashkëbiseduesit e presidentit Xi lidhur me problemet e diskutuara më 16 prill?

Presidenti Emmanuel Macron theksoi në fjalën e tij në samit se Franca mirëpret njoftimin e Kinës për të arritur asnjanësimin e karbonit deri më 2060, gjë për të cilën ai tha se është një angazhim i madh që pasqyron vullnetin e Kinës për të marrë përsipër përgjegjësi të rëndësishme. Pala franceze është e gatshme të punojë me Pekinin për të nxitur më tej marrëdhëniet ekonomike dypalëshe dhe BE-Kinë, për ta ndihmuar Afrikën të arrijë zhvillimin e gjelbër dhe për të bërë përpjekje për t’i ndihmuar vendet në zhvillim të ulin borxhet, tha ai.

Nga ana e saj, kancelarja gjermane Merkel theksoi se është e rëndësishme për Gjermaninë, Francën dhe Kinën të forcojnë bashkëpunimin lidhur me ndryshimin e klimës.

Njoftimi i Kinës për kontributet e përcaktuara në shkallë kombëtare është ambicioz e shumë i rëndësishëm për reagimin global ndaj ndryshimeve klimatike dhe BE-ja është e gatshme të forcojë komunikimin dhe përshtatjen e politikave me Kinën, vuri në dukje Merkel.

Sipas saj, Gjermania u kushton rëndësi mundësive të sjella nga zbatimi i Planit të 14-të Pesëvjeçar të Kinës për bashkëpunimin Gjermani-Kinë e BE-Kinë dhe është e gatshme të thellojë bashkëpunimin ekonomik e tregtar me përfitime të ndërsjella me të, të forcojë komunikimin në ekonominë dixhitale, sigurinë kibernetike e çështje të tjera, si edhe për t’i trajtuar kompanitë e të gjitha vendeve si të barabarta dhe për të shmangur pengesat tregtare.

Një takim i tillë në këto momente sigurisht nuk mund të anashkalonte shqetësimet e tanishme të njerëzimit e mbi të gjitha luftën kundër pandemisë COVID-19 dhe rimëkëmbjes ekonomike mbarëbotërore.

Vaksinat nuk duhet të bëhen një mjet i konkurrencës midis fuqive të mëdha, shtoi kreu i shtetit francez. Sipas tij, Franca është e gatshme të forcojë me Kinën bashkëpunimin në shpërndarjen e drejtë të vaksinave dhe bashkërendimin mbi problemin bërthamor iranian e çështje të tjera rajonale.

Kthim amerikan në realitetin botëror?

A kemi një ndryshim të kursit të Presidentit amerikan Joe Biden ndaj Kinës e zhvillimeve botërore, e cila përçonte frymën e Luftës së Ftohtë fill pasi hyri në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar 2021?

Konkretisht ndërsa Presidenti Xi zhvillonte një takim të papritur virtual me Merkel dhe Macron emisari i posaçëm presidencial amerikan John Kerry, i mbiquajtur si Cari i Presidentit Biden për klimën, ishte në Shangai për bisedime me autoritetet kineze lidhur me sfidat e botës përballë ndryshimeve klimatike.

Sigurisht që vizita e Kerry-t ishte një mundësi për të zbutur tensionet politike midis dy vendeve ndërsa Pekini zyrtar si në takimin e Alaskës ashtu edhe në bisedimet në Shangai ua ka bërë të qartë autoriteteve amerikane se pretendimet e tyre për çështje si të Xinjiang apo Hong Kong janë ndërhyrje në punët e brendshme të Kinës.

Është fakt se nuk mund të arrihet një zgjidhje globale mbi klimën pa Kinën dhe SHBA meqenëse dy fuqitë më të mëdha ekonomike në botë zënë afro gjysmën e emetimeve të gazrave në atmosferë.

Dhe kjo u konfirmua me rastin e vizitës katër-ditore të të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan për klimën John Kerry javën e kaluar në Shangai.

Në një bisede virtuale të premten e kaluar me emisarin e lartë amerikan, Zëvendëskryeministri Han Zheng deklaroi të premten e kaluar se Kina dëshiron të ruajë komunikimin dhe kontaktet me SHBA për një sinergji të forcave të tyre për zbatimin e Marrëveshjes së Parisit me të gjithë palët.

Kurse sipas një deklarate të përbashkët të publikuar të dielën nga Ministria e Mjedisit dhe e Ekologjisë e Kinës, Kina dhe SHBA-ja janë të angazhuara për të bashkëpunuar me njëra-tjetrën dhe me vendet e tjera për të trajtuar krizën e klimës.

“Duke ecur përpara, Kina dhe SHBA-ja janë të vendosura për të punuar së bashku, si edhe me palët e tjera, për të forcuar zbatimin e Marrëveshjes së Parisit”, theksohet në deklaratën që u publikua pas takimit në Shangai midis të dërguarit të posaçëm të Kinës për çështjet e ndryshimit të klimës Xie Zhenhua dhe të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan për klimën John Kerry.

Të dyja palët janë të angazhuara për të bërë përpjekje për ta mbajtur rritjen mesatare globale të temperaturës nën 2 gradë celsius, duke e kufizuar atë në 1.5 gradë, që është një përputhje me Nenin 2 të Marrëveshjes së Parisit, sipas deklaratës. Të dyja palët shprehën gjithashtu pritshmëritë e tyre për samitin e ardhshëm virtual mbi ndryshimin e klimës më 22 dhe 23 prill.

Triumfi’ i multilateralizmit

“Ne shikojmë një nevojë për multilateralizëm”, theksoi Merkel duke e deklaruar qartë pa asnjë ekuivok se është në dakortësi më Presidentin Xi për domosdoshmërinë që të shmanget lufta e ftohtë. Këtë Merkel e tha më 27 janar, vetëm një javë pasi Biden hyri zyrtarisht në Shtëpinë e Bardhë me skemën e krijimit të një aleance kundër Kinës, dhe shumë vëzhgues e konsideruan këtë si një paralajmërim që Gjermania si motorja e BE-së nuk do ta ndiqtë aleatin e përtej Atlantikut në këtë skemë.

E Merkel shkoi më tëj në caktimin e piketave të qëndrimit të Berlinit ndaj platformës amerikane me këto fjalë: “Unë do të doja tejet shumë të shmanget ndërtimi i blloqeve. Mendoj se nuk do tu shërbente shumë shoqërive nëse ne themi se kjo është Kina dhe këto janë SHBA dhe ne po grupohemi ose me njërin ose me tjetrin. Ky nuk është kuptimi si duhet të jenë gjërat”.

Por krahas ndryshimeve në qëndrime rreth aspekteve të të drejtave të njeriut Merkel shikon kah dialogu në frymën e kartës së OKB-së dhe dinjitetit të secilit për të luajtur një rol në zbatimin e tyre.

Ndërkohë a mund të luajë Europa rolin e një farë amortizuesi midis SHBA dhe Kinës në kushtet e tanishme? Mendoj se po sepse kështu u shërben interesave të Europës nëse arrin të mbajë një autonomi strategjike, gjë që e mundëson rolin e lartëpërmendur. Ndoshta po e them në mënyrë popullore, por përvoja ka treguar se po u vendosen të gjitha vezët në një shportë ka rrezik të thyhen të gjitha. Europa, BE-ja posaçërisht, e treguan se nuk janë për këtë alternative!

Në fakt Presidenti francez Macron ia dha përgjigjen partnerit amerikan Biden në fillim të shkurtit 2021 kur ky i fundit e quajti Kinën “konkurrentin më serioz” duke deklaruar me 6 shkurt se BE duhet të ruaj autonominë e saj strategjike dhe të ketë politikën e saj ndaj Kinës. Dhe Merkel ishte konkrete duke thënë se tashmë e kemi bërë një hap në këtë drejtim me marrëveshjen e investimeve të përgjithshme me Kinën. “Unë mendoj se BE-ja duhet të ketë politikën e saj vetjake ndaj Kinës”, ajo tha në prani të Macron duke u kujtuar SHBA se duke marrë në konsideratë pikat e dakortësisë me ta ka shumë shkaqe si lufta kundër ndryshimit të klimës e mjaft të tjera që “na shtyjnë të punojmë me Kinën, qartësisht në frymën e forcimit të multilateralizmit”.

Konkluzion: Bota nuk mund të përparojë në ‘territor të minuar’

Dakortësia midis Kinës dhe BE-së lidhur më luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe shumë çështje të tjera të interesit reciprok të kurorëzuara më Marrëveshjen e Gjithanshme për Investimet Kinë-BE e përfunduar më 30 dhjetor 2020, që u përforcua në takimin e fundit virtual Xi-Merkel-Macron, tregon qartë se kalimi i viteve dhe zhvillimet pasuese mbarëbotërore, te papriturat si pandemia dhe dështimi i skenareve për krijimin e ‘aleancave të ngushta strategjike’ kanë zhvleftësuar shumë mendime e taktika të hartuara ndaj Kinës para viteve 2010, që tani vetë hartuesit e tyre perëndimorë i quajnë naive është një provë e qartë se Pekini dhe Brukseli si dhe mbarë komuniteti ndërkombëtar nuk po ecin në një ‘territor të minuar’ sa u përket marrëdhënieve të tyre sikurse pretendon ndonjë analist perëndimor.

Përkundrazi kjo dëshmon se qëndrimet e pjesës dërmuese të politikanëve në botë po bëhen më pragmatistë dhe realistë, duke patur si mbështetje dhe nxitje një rritje të ndërgjegjësimit të popujve, të shoqërisë civile se nuk ka rruge tjetër veçse ajo e bashkëpunimit shumëpalësh me përfitime reciproke në paqe dhe siguri. ‘Pjesa e luanit’ e të mirave materiale të planetit tokë në mënyrë të pashmangshme duhet të anojë më shumë nga popujt…/Cri