Rinisin fluturimet në Rinas/ Kontrollorët turq marrin në dorë kullën e vrojtimit

Pas dy ditëve në një situatë të pazakontë, më në fund vendi do t’i rikthehet normalitetit. Sipas përkthyeses së delegacionit turk, kontrollorët turq kanë mbërritur që mbrëmë në Rinas, duke ardhur nga Podgorica.

65 kontrollorë të trafikut ajror kanë ndaluar punën ditën e djeshme duke kërkuar plotësimin e disa kërkesave si: rikthim i kolegëve në punë; shfuqizim i vendimeve të bordit; rikthimi i pagës së plotë sipas kontratës kolektive; transparencë financiare e plotë për vitin 2020; një anëtar sindikate të jetë anëtar bordi.

Në Shqipëri janë zhbllokuar fluturimet esenciale për ditën e enjte, ndërsa nga dita e premte do të vazhdojnë edhe ato komerciale. Fluturimet në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të vendit “Nënë Tereza” kanë mbetur të bllokuara nga mëngjesi i së mërkurës, si pasojë e pezullimit të punës nga kontrollorët ajrorë të kompanisë private “Albcontrol”, që menaxhon kontrollin e fluturimeve.

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku në konferencën për mediat nga aeroporti i Rinasit sqaroi se fluturimet esenciale - fluturimet humanitare, emergjente, shëndetësore, diplomatike, shtetërore dhe ushtarake do të nisin ditën e sotme (8 prill).

“Ju njoftoj që kemi arritur që me një përpjekje shumë të madhe gjatë natës së mbrëmshme të ruajmë sasinë e vaksinave, të konsiderueshme që duhet të vinte dje në Shqipëri por që është bllokuar për shkak të kësaj greve të paligjshme dhe do të vijë sot rreth orës 3 pasdite ku më pas do të fillojë shpërndarja ashtu siç ishte planifikuar”, tha Balluku. Ministrja informoi qytetarët që do të jetë e pamundur që të kemi fluturime të aviacionit civil por tha se po punohet për gjetjen e një zgjidhje e cila do të mitigohet ditën e nesërme.

“Nesër që nga orët e para të mëngjesit dhe gjatë gjithë ditës do fillojmë të kemi operime normale në aeroportin e Rinasit për të gjithë udhëtarët e fluturimeve komerciale”, shpjegoi ministrja Balluku.

Ministria e Infrastrukturës ka ngritur padi për disa prej kontrollorëve, të konsideruar prej saj si “organizatorë të një greve të paligjshme”. Prokuroria e Tiranës nisi veprimet e para, dhe në polici u shoqëruan të paktën 28 kontrollorë.

Ndërsa shumica prej tyre u lanë të lirë, për tre të tjerë është nxjerrë një urdhër ndalimi nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Problemi i krijuar me menaxhimin e trafikut ajror ka përplasur presidentin e vendit Ilir Meta dhe kryeministrit, Edi Rama. Presidenti kërkoi auditim të kompanisë “Albcontrol” nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ndërsa Rama i quajti “dokrra” kërkesat e tij.

Presidenti u shpreh se “po ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit në lidhje me menaxhimin e situatës në aeroport” dhe tha se palët “duhet të respektojnë të drejtat dhe detyrimet reciproke, pa tejkaluar në mënyrë shproporcionale me reagimin e tyre, përgjegjësitë ligjore mbi këtë rast”.

Në anën tjetër kryeministri Edi Rama tha se problematika e krijuar në menaxhimin e trafikut ajror është “e nxitur” nga Meta dhe opozita.

Të mërkurën në Shqipëri u bllokuan të gjitha fluturimet në Aeroportin e Rinasit, pasi që më shumë se gjysma e kontrollorëve deklrauan “paaftësinë për të punuar në kushte të stresit” dhe hynë në grevë duke kërkuar kthimin e pagave që kishin para shkurtimeve që u bënë për shkak të pandemisë.

Punonjësve u janë ulur të ardhurat gjatë vitit 2020, sepse për shkak të pandemisë, numri i fluturimeve në aeroportin “Nëna Tereze” ka rënë për 57 për qind.