SHBA-ja inkurajon Kosovën dhe Serbinë të arrijnë marrëveshje

Raportet SHBA-Kosovë, sigurimi i vaksinave kundër COVID-19 dhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, kanë qenë tema të diskutimit ndërmjet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe ushtruesit të detyrës së ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker.

Njoftimi është bërë nga presidenca e Kosovës, e cila citon zyrtarin e lartë amerikan të ketë thënë se në lidhje me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, “SHBA-ja inkurajon palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive drejt arritjes së marrëveshjes ligjërisht të obligueshme, e cila do të rezultonte në njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”.

Duke folur për raportet mes Kosovës dhe SHBA-së, ambasadori Reeker ka theksuar se ato janë të bazuara në vlerat demokratike dhe qëllimet e përbashkëta.

“Ambasadori Reeker rikonfirmoi interesimin e Presidentit (të SHBA-së, Joe) Biden për të mbështetur Kosovën drejt zhvillimit dhe zbatimit të reformave të nevojshme. Po ashtu, ambasadori Reeker potencoi angazhimin e SHBA-ve për të mbështetur shtetet e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në komunikatën e Presidencës së Kosovës.

Nga ana e saj, presidentja Osmani ka nënvizuar se partneriteti me SHBA-në është jetik për realizimin e prioriteteve të institucioneve të Kosovës në sigurimin e vaksinës kundër COVID-19 për qytetarët e Kosovës, si dhe zbatimin e reformave te brendshme.

Osmani ka theksuar se për Kosovën, ndriçimi i fatit të të pagjeturve mbetet prioritet të cilin institucionet synojnë ta shtyjnë përpara dhe për këtë ka kërkuar përkrahjen e SHBA-së.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet tyre.

Për dallim nga administrata e kaluar amerikane e ish-presidentit, Donald Trump, e cila nuk koordinohej shumë me evropianët në lidhje me dialogun, administrate e re amerikane ka treguar një përkushtim më të madh për të çuar procesin përpara në bashkëpunim me Bashkimin Evropian i cili ndërmjetëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë./Rel