Takimi Stoltenberg-Kurti: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do ta bënte rajonin dhe Evropën më të sigurt!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti  ndodhet për një vizitë  zyrtare në Bruksel ku u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Kurti gjatë takimet theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO do ta bënte rajonit e Ballkanit edhe më të sigurte.

NATO është aleanca më e mirë e sigurisë që bota ka parë. Në takim me sekretarin Stoltenberg theksova se prezenca e saj në Kosovë është e domosdoshme për të mbajtur paqen dhe për të ofruar siguri, dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO do ta bënte rajonin dhe Evropën më të sigurt”, tha Kurti përmes një postimi në Twitter.

Ndërsa Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, është mënyra e vetme për të arritur zgjidhje të qëndrueshme politike, mes të dyja palëve.

Në takimin që pati sot me kryeministrin Albin Kurti, Jens Stoltenberg bën të ditur se NATO, mbështet përpjekjet për të riaktivizuar bisedimet me Prishtinës dhe Beogradit.

”Mirëprita Albin Kurtin, për të diskutuar zhvillimet në Kosovë dhe rëndësinë e NATOs dhe KFOR-it, për stabilitet në Ballkanin Perëndimor. NATO mbështet përpjekjet për të riaktivizuar bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit. Dialogu është mënyra e vetme për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme politike”.

Gjatë ditës së sotme Kurti do të takohet me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi si dhe me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

Kurti në vizitën e tij të parë në Bruksel, që prej se është zgjedhur kryeministër i Kosovës, po ashtu do të marrë pjesë në një seancë të Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian.

Mbrëmjen e së mërkurës, Kurti u takua edhe me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe siç njoftoi Qeveria e Kosovës, në këtë takim, Kurti ka thënë se dialogu do të jetë parimor dhe i përgatitur mirë.