T’u kërkojmë, jo t’u këndojmë!

Editorial i Argumentum

Nisi si shaka  dhe rastësi, por po kthehet vërtet në një alergji pathologjike. Eshtë fjala  për këngët foklorike për Kryeministrin Rama  që  po « mbijnë si kërpudhat pas shiut »; duke e paraqitur atë si udhëheqësin dhe shpëtimtarin çudibërës! Rastet më të fundit i pamë javën e kaluar në Kuç dhe në Gjirokastër; në këtë të fundit, solistja e  njohur  Julia Cenko, tejkaloi çdo parashikim kur e priti me këngën  « Mirëserdhe Edi Rama » Një kopje e keqe që të kujtonte Grupin e të Rinjve të Gjirokastrës, kur 43 vite më parë interpretuan « Mirë se erdhe Enver djali » Ndonëse Kryeministri Rama bëri mirë që  e shmangu vazhdimin e këngës, për fat të keq kjo dukuri po kthehet në një ves shumë të keq.

Thurja e këngëve për liderin për së gjalli dhe në prani të tij fizike është një rast i veçantë ose «  sui generis » që nuk ekziston, madje konsiderohet fyes për këdo  në vendet perendimore. Po qe se kjo do të vijojë më tej, të mos të habitemi kur ashtu si dikur këngët për liderët tanë t’i dëgjojmë dhe më shpesh në festivale, gëzime, gara dhe konkurse apo t’u ngrihen dhe monumente !. Sepse,  siç i thonë fjalës  « sheh fiku fikun dhe piqet »

Dihet se interpretimi i këngëve  të tilla ishte ritual i zakonshëm  gjatë diktaturës ; por në Shqipëri ajo u ngrit në piedestal si «  art i politizuar ». Të paktën atëhere kishte një shpjegim ideologjik, edhe pse sërish absurd : Partia, me udhëheqësin në krye, veprat e tyre ishin Perëndia vetë, burimi i gjithë të mirave, dielli dhe hëna! Ndërtimi i një fabrike, hapja e një rrugë, inaugurimi i një hoteli, spitali e shkolle, jetëgjatësia, gjithçka i dedikohej udhëheqësit largpamës, si vepra të tij lavdiplote ! Ndërsa të këqiat ashtu siç po tentohet të veprohet dhe tani  u atribuoheshin grupeve armiqësore, opozitës, medias, ca të degjeneruave, dhe sidomos armikut të brendshëm dhe  të jashtëm!

Kësisoj, populli « me krenari » këndonte  këngë dhe hidhte valle për Partinë dhe udhëheqësin, si lumturisjellësit e popullit!

Mirëpo, nëse atëhere edhe mund të « gëlltitej » ky justifikim, të ngresh këngë për liderët politikë sot  në demokraci, kur ka shumë parti, rotacion dhe alternativa politike, kur Kryeministri  vetë sa qeveris si kryepërgjegjës, kjo tingëllon shumë më absurde dhe më e turpshme se atëhere. Për pasojë, nëse  mirëkuptohet pozicioni i detyruar i artistëve tanë dje, nuk mund tua falim sot  mbasi përdhosin emrin e tyre dhe folklorin tonë.

Për t’u bindur për sa thamë, shkoni dhe shikoni kudo në Europë dhe në SHBA ! Nuk do të gjeni asnjë këngë apo poezi për Kenedin, Reaganin, Bush-ët, Klintonin, Obamën, ndonëse kanë shkruar historinë ! As në Gjermani për Adenauer, Brant, Kohl që bënë epokë me themelimin dhe ribashkimin gjerman dhe europian. Gjeni një këngë apo vjershë për  Merkel që ka 15 vjet si Kancelare! S’ka ! Sikurse dhe në Francë nuk gjen për Gjeneralin mitik De Gol, Presidentin emblemë Mitterand, as në Itali, askund! Madje, megjithë gjeninë dhe mrekullitë politike, ata në kohën e tyre janë kritikuar dhe fshikulluar jo pak! Vetëm pas vdekjes, ata janë nderuar, duke u vendosur emrat e tyre rrugëve, aeroporteve, qendrave kulturore, etj.

Ndodh kështu se në demokraci, kryeministrat ngarkohen  për të qeverisur me kabinetet e tyre, ama si kryeshërbëtorë e jo si kryehyjni ;  ata marrin votën e një shumice të elektoratit për të qeverisur sa më mirë, duke u munduar t’u shërbejnë të gjithëve. Kur e justifikojnë besimin me punë ata rizgjidhen  një dhe më shumë herë ; por ama kritikat, vërejtjet dhe qortimet nuk u ndahen derisa u «  bëhet dalja ». Dhe, siç thotë Arnold Wrasow « liderët  marrin pak më shumë faje dhe shumë më pak merita »

Nëse do t’u ngriheshin këngë, vjersha dhe përmendore sidomos për së gjalli, siç veprohet në rregjime autoritare, liderët do të shenjtëroheshin dhe do t’u ngrihej « kulti i individit »; kësisoj, do të bëheshin të pakritikueshëm, të paprekshëm dhe të pazëvendësueshëm, duke nxjerrë artificialisht « jashtë loje » alternativat e tjera politike. Më konkretisht, nëse prirja për t’i thurur këngë liderëve tanë do të vazhdojë, atëhere dikush mund të shtrojë natyrshëm pyetjen: » E po mirë, atëhere, kur ne kemi një lider të tillë që zgjidh gjithçka si me magji  dhe «  me një të rënë të shkopit »  atëhere pse u dashkan zgjedhjet në çdo 4 vjet, rotacioni, partitë e tjera  dhe vetë pluralizmi demokratik ?

Shkak tjetër themelor që nuk lejon këngë të kësaj natyre është shqetësimi i madh se çdo të ndodhë nesër kur liderët «  të bien nga fiku » madje ndonjë prej tyre të shkojë «  prapa hekurave »  nga drejtësia ? Apo kur t’u zbulohen skandale dhe afera të ndryshme tronditëse, siç ka ndodhur e po ndodh në Francë me ish -Presidentin Sarkozy, në Greqi, Kroaci dhe gjetkë.

Ndaj, sa nuk është vonë, t’i thuhet NDAL sa më parë kësaj  dukurie të shëmtuar. Po si? Fare thjeshtë. E para, duke u dhënë fund epiteteve  servile dhe bujës ndaj liderëve tanë, në pushtet dhe në opozitë, deri aty sa  të krahasohen me Skënderbeun  dhe vetë Zotin vetë! Së dyti, vetë liderët të tregohen më modestë, të heqin dorë nga autolëvdatat dhe rrahja e gjoksit, sikur të ishin të rënë nga qielli; së treti, ata të urdhërojnë menjëherë bashkëpuntorët e tyre kudo që të mos lejojnë më «  cirqe » të tilla qesharake me folklorin e bukur të popullit.

Në fund të fundit, është elektorati që « u jep hakun gjithkujt », ama kursesi duke i kënduar, por kryesisht duke i kritikuar, qortuar dhe duke u kërkuar liderëve që ata të bëjnë përherë e më shumë për popullin. Se në fakt, ajo që bëjnë në postin e tyre të lartë nuk është trimëri e heroizëm ca më pak ekskluziv i tyre, por thjesht detyra për të cilën janë besuar dhe paguhen për një periudhë të kufizuar kohe. Boll më me «  estrada » të tilla folklorike, nëse duam vërtet të shkojmë në Europë!

/argumentum.al

© Argumentum