Turqia shpall neutralitetin në krizën mes Rusisë dhe Ukrainës! Goditje Bajdenit?

Zoran Meter, Gjeopolitika[i]

Turqia mbetet neutrale në krizën mes Rusisë dhe Ukrainës, por është e gatshme të mbështesë përpjekjet diplomatike të orientuara drejt zgjidhjes së saj, deklaroi me 15 prill 2021, ministri turk i punëve të jashtme Mevlut Çavushogllu (Sipas Daily Sabah).

“Ekzistojnë probleme në Donbas, por ekziston edhe Marrëveshja e Minskt. U ofrojmë palëve që këtë problem ta zgjidhin me paqe dhe në mënyrë diplomatike. Turqia mbështet integritetin territorial të cilido vend-Ukrainës, Rusisë e të gjithë të tjerëve. Ndërtojmë marrëdhënie me Rusinë dhe Ukrainën. Marrëdhëniet tona me secilin shtet nuk duhet të ndikojnë në marrëdhëniet me shtetet e tjera. Në krizën mes Rusisë dhe Ukrainës nuk mbështesim asnjërën palë“, deklaroi Mevlut Çavushoglu në programin e televizionit turk NTV. Shtoi gjithashtu se politika e Turqisë është e qartë, përfshirë edhe Krimenë.

“Sinqerisht dhe në mënyrë të hapur ndajmë qëndrimet me të dyja palët, kemi politikë konstruktive. Tani situata ka filluar të qetësohet, gjë që na bën të lumtur. Turqia është e gatshme të japë kontributin e saj në këtë proces“, konkludoi Çavushogllu

Kjo deklaratë e shefit të diplomacisë turke duhet analizuar nga dy aspekte: i pari, biseda e pardjeshme telefonike e presidentit amerikan Xho Bajden me kolegun rus Vladimir Putin me ftesën për një takim të përbashkët; dhe i dyti, qëndrimi i qartë dhe kategorik i Rusisë dhe thirrja e paradokohëshme drejtuar Turqisë dhe vendeve të tjera që të mos ndezin “ndjesitë militariste ukrainase“ (deklaratë e dhënë personalisht nga ana e Sergej Lavrovit, ministri rus i punëve të jashtme), sepse qeveria në Kiev mund të bëjë “lëvizje të pamenduara mirë“, të cilat mund të përfundojnë keq.

Përsa i përket aspektit të parë – nëse ndodh ndonjëfarë përparimi në marrëdhëniet amerikano-ruse, ai do të shtyjë automatikisht mënjanë të gjithë të tjerët, lojtarët shumë më të vegjël, që mund ti quajmë ”xhuxhë gjeopolitikë”, të cilët, jo rrallë, për shkak të qëllimeve politike të udhëheqësve të tyre dhe të të ashtuajturave interesa kombëtare, arrijnë deri aty sa pothuaj shtyjnë dy superfuqitë bërthamore në konflikt njëra me tjetrën. Nëse Turqia përfshihet në këtë kategori, gjykoni vetë pasi të keni lexuar këë tekst.

Përsa i përket aspektit të dytë që përmendëm më sipër, duhet të theksojmë se paralajmërimi i Sergej Lavrovit drejtuar shteteve të tjera për të mos nxehur konfliktin në Ukrainë, është thënë një ditë pasi presidenti turk Rexhep Taip Erdogan priti kolegun ukrainas Volodimir Zelenski me bashkëshorten Elena. Me këtë rast, Erdogani në konferencën e përbashkët për shtyp me Zelenskin, përsëriti, kushedi për të satën herë, se Ankaraja nuk e njeh “aneksimin rus të Krimesë” dhe lajmëroi se është rënë dakord për furnizimin e ushtrisë ukrainase me avionë pa pilot (dronë) të tipit Bayraktar. Krahas kësaj Erdogani mbështeti antarsimin e Ukrainës në NATO, por edhe të ashtuquajturën “Platformë e Krimesë” të inicuar nga Kievi, e cila ka si qëllim rivendosjen integritetit territorial në tërë vendin, natyrisht përfshirë (mbi të gjitha) Krimenë.

Kjo ishte dukshëm “pika” që “derdhi ujin në gotën” e durimit rus (duhet theksuar se Erdogani vetëm një ditë më parë, kishte biseduar në telefon me kolegun rus Putin në lidhje me një sërë problemesh ndërkombëtare).

Përveç paralajmërimit të hapur politik të mësipërm  drejtuar Turqisë, një ditë më vonë erdhi edhe  reaksioni praktik i  Moskës: kompanitë ajrore ruse ndërprenë të gjithë fluturimet me Turqinë (dhe me Tanzaninë, por kjo haptazi sa për formë) për shkak të rritjes së shpejtë të të sëmurëve nga Covid-19 ditëve të fundit në këto dy vende. Sipas të dhënave të turoperatorëve rusë, deri tani janë rregjistruar 6 milionë turistë rusë që synonin të bënin pushimet në plazhet e Turqisë (Në këtë kuptim themi se Tanzania është e parëndësishme-“për formë). Bëhet fjalë pra, për shuma të mëdha valute që rusët planifikojnë të hedhin në arkën shtetërore turke, e cila është edhe kështu e dëmtuar për shkak të pasojave të pandemisë globale.

Pas dekaratës së mësipërme të shefit të diplomacisë turke, nuk duhet dyshuar se fluturimet ruse drejt plazheve turke do të rivendosen para fillimit të sezonit të pushimeve verore (natyrisht, në rast se nuk vjen puna deri te ndonjë situatë tejet e vështirë epidemie e cila do të mund ti dilte nga kontrolli pushtetit turk).

Kur të gjithë këtyre më sipër u shtojmë edhe faktin se presidenti amerikan Xho Bajden edhe tre muaj pas inaugurimit nuk e ka thirrur në telefon kolegun turk Erdogan (ndërsa deri tani ka biseduar në telefon me më shumë se 50 kryetarë shtetesh të mbarë botës, madje pardje bisedoi edhe me presiedentin Putin), nuk është e vështirë të supozohet se për çfarë bëhet fjalë dhe se çfarë mendon për politikën e Erdoganit shefi i administratës amerikane. Bajdeni nuk pret nga Turqia asgjë tjetër veçse të “kthehet” në qarkun e “vendeve të qytetëruara Perëndimore”, në kuadrin e planit të inicuar të “rirreshtimit” të shteteve Perëndimore dhe provës së cilësisë së raporteve të tyre me SHBA-të, në kontekstin e rivalitetit në rritje e sipër të SHBA-ve me Rusinë dhe Kinën.  Ato vende që në këtë kuptim nuk i pëlqejnë, Bajdeni do të këmbëngulë ti disiplinojë dhe ti kthejë në “rrugë të drejtë”.

Në këto rrethana Erdoganit nuk i intereson aspak ashpërsimi i raporteve ruso-turke, aq më shumë që ai personalisht sëbashku me Putinin ka ndërtuar me aq mund këtë nivel bashkëpunimi  si kurrë më parë, pavarësisht nga këndvështrimet e ndryshme për një sërë problemesh rajonale e globale. Ukraina është gjithsesi një prej tyre.

Përveç kësaj një numur jo i vogël vendesh Perëndimore nuk do të kishin asgjë, jo vetëm kundër konfliktit të hapur politik mes Moskës dhe Anarasë, por nuk do të ishin kundër as konfliktit luftarak, sikur të ishte e mundur që ky konflikt të kufizohej vetëm mes këtyre dy vendeve.

Pikërisht për këtë pozicion aspak të këndshëm të Turqisë, që shtyhet në konflikt me Rusinë, të cilin asnjëri vend nuk e dëshiron, ka paralajëmruar para disa kohëve edhe media proqeveritare turke Jeni Shafak.

“Të gjithë kërcënimet e SHBA-ve janë drejtuar kundër nesh. SHBA-të dhe NATO-ja ndoshta dëshirojnë ta shtyjnë mënjanë Rusinë nga Perëndimi. Por kjo gjithashtu do ta shtyjë edhe Turqinë drejt një zgjidhje vdedkjeprurëse. Ata do të përshkallëzojnë tensionet në Detin e Zi deri në atë masë saqë do ta vendosin Turqinë para alternativës: ‘A jeni me ne apo me Rusinë?’ Për këtë Turqia, vendi që ka ndërmarrë iniciativa të mëdha gjeopolitike, nga Nagorni- Karabahu  deri në Libi, nga Siria deri në detin Egjé, do të shtyhet në një rrugë qorre. Në masën që kriza ukrainase është e orientuar që Rusinë ta  vërë në qoshe të ringut, po aq e keqe është edhe kundër Turqisë”, nënvizon, mes tjerash, kryeredaktori i medias së lartpërmendur turke

Dhe për në fund, gjë që është shumë esenciale: Turqia e deklaratën që përmendëm në hyrje të këtij teksti të ministrit të punëve të jashtme bën atë që i mbetet si zgjidhje e vetme racionale. Me shpalljen e neutralitetit në krizën mes Rusisë dhe Ukrainës, Ankaraja de facto shpall neutralitetin edhe në konfliktin gjeopolitik mes SHBA-ve dhe Rusisë në të cilin nuk synon të përfshihet. Sepse Ukraina është “fushëbetejë” në të cilën në një masë të madhe zgjidhen çështje me karakter gjeopolitik global dhe në të cilën Uashingtoni është në anën e  Kievit.

Tani për tani nuk po spekulojmë se çfarë do të ndodhë më tej me Ankaranë për shkak të këtij  vendimi.

[i] https://www.geopolitika.news/vijesti/top-vijesti/top-tema-turska-proglasila-neutralnost-u-krizi-izmedu-rusije-i-ukrajine/

Përktheu për Argumentum.al: Xhelal FEJZA