Vals rus në Levant, rruga Veriore detare dhe Pakti strategjik kinezo-iranian

Zoran Meter, Gjeopolitika

Përktheu për Argumentum.al: Xhelal FEJZA*

***

Ndryshim dramatik i raporteve gjeopolitike.

Dy janë ngjarjet që kishin karakter gjeopolitik ditët e fundit: bllokada e plotë e një prej arterieve më të qarkulluara në botë- kanalit të Suezit; dhe nënëshkrimi i “Marrëveshjes gjithëpërfshirëse strategjike” mes Kinës dhe Iranit, që quhet  ndryshe (jo pa arësye) edhe “pakti kinezo-iranian”

Përsa i përket ngjarjes së parë, kujtojmë vetëm shkurtimisht se bllokimi i kanalit të Suezit ndodhi sepse ngeci në të anija e stërmadhe kontejner “Ever Given”, e gjatë 400 metër dhe me kapacitet mbartës 224 mijë ton, e cila një javë më parë ishte nisur nga Kina dhe drejtohej për në Roterdam. Bllokada zgjati 6 ditë dhe shkaktoi një ngjeshje të madhe të qarkullimit në Detin e Kuq, ku me qindra anije u rreshtuan në radhë duke pritur çbllokimin e kanalit.

Kjo ngjarje ishte precedent në 150 vitet qëkur është hapur kanali i Suezit (1869), të cilin e pati ndërtuar Europa, para të gjithëve Franca, në mënyrë që pas Luftës së Parë Botërore të vinte nën mbrojtjen e Britanisë së Madhe, e më vonë kontrolli mbi rrugët detare tregtare kaloi në duart e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pikërisht kësaj që tani i kundërvihen Kina dhe Rusia.

Gazetari dhe ekonomisti i gazetës franceze Le Figaro Fransua Lenglè në lidhje me këtë ngjarje shkroi si më poshtë: “Nëse pasojat ekonomike të incidentit janë të parëndësishme (këtu unë do të shtoja se nuk janë vërtetë kështu, sepse humbjet lëvizin në shifrat e qindra miljardë dollarëve, ndërsa shteti i Izraelit ka vlerësuar se, për shkak të këtij incidenti, çmimi i mallrave të zinxhirit të fuurnizimit nëpërmjet kanalit të Suezit do të rritet me 10 % e ky kryesisht ai i lëndëve të para. E gjitha kjo tabllo bëhet akoma më e keqe nëse shihet nga perspektiva e humbjeve të mëparshme që lindën për shkak të efeteve negative ekonomike të COVID-19. Shën. i autorit Z.M.), pasojat gjeopolitike janë tërësisht reale. Pas incidentit, Rusia propozoi si rrugë alternative mes Lindjes dhe Europës atë të Rrugës detare Veriore, e cila është 5 mijë kilometër më e shkurtër sesa ajo nëpërmjet kanalit të Suezit. Kina bëri të njëjtën gjë me rrugën e saj të mëndafshit. Të dy këto vende e shfrytëzuan këtë rast për të demonstruar fuqinë e tyre dhe propozuan rrugë alternative”.

Vitet e fundit Rusia po investon në mënyrë intensive në zhvillimin jo vetëm të infrastrukturës por edhe të kapaciteteve ushtarake përgjatë të ashtuquajturës Rruga detare Veriore që po fiton me shpejtësi rëndësinë e saj, duke patur parasysh ndryshimet klimaterike dhe ngrohjen globale, gjë që ka ndikuar në shkrirjen e përshpejtur të akujve në Arktik dhe mundësi më të gjatë kohore për lundrim në këtë rrugë më të shkurtër që lidh Lindjen e Largët aziatike me Europën, e cila më parë ishte e mundshme (kësisoj jo ekonomike) vetëm 3 muaj në vit, por tani zgjat deri në 6 muaj.

Jo pa arësye, Oqeanin e ngrirë të Veriut mund ta quajmë në mënyrë kolokiale edhe “Deti Mesdhè i ri”- mjedisin e ardhshëm detar të botës bashkëkohore në kuptimin e rrugëve detare (shih hartën më poshtë). Dhe këtë e dinë mjaft mirë të gjithë lojtarët kyç: Pekini në kuptimin e investimeve ruse në atë rrugë detare i bashkohet me shpejtësi Moskës, gjë që shkakton pakënaqësinë e madhe të Uashingtonit. Sepse, ndërsa është real kontrolli amerikan i pothuajse të gjithë arterieve më të rëndësishme të transportit detar global dhe i të ashtuquajturave ngushtica, nëpërmjet të cilave mund të bllokohet mundësia e kalimit të tankerve kinezë për furnizimin e ushtrisë kineze me naftë në rast lufte me këtë shtet, në Rrugën detare Veriore një mundësi e këtillë nuk ekziston. Shumica e transportit në këtë rrugë kryhet nëpër ujërat teritoriale ruse ose ekskluzivisht në zonën e saj ekonomike. Rusia nuk synon të ndalojë askënd shfrytëzimin e kësaj rruge për qëllime tregtare sepse një gjë e tillë është edhe në interesin e saj financiar, por gjithsesi ka paralajmëruar se lundrimi duhet të kryhet sipas rregullave që përcakton Moska.

Me fjalë të tjera, zona e Arktikut po bëhet rajon i ri për konflikte gjeopolitike të superfuqive botërore kryesore. Për këtë duhet të themi se Moska, duke patur parasysh statusin e saj, si edhe faktrin se çështja e Rrugës nëpër detin e Veriut të zgjidhet nëpërmjet marrëveshjes së lojtarëve kryesorë, gjë që përbën humbje të kontrollit amerikan në këtë rrugë sepse definitivisht kjo marrëveshje do të përfshinte kalim plotësisht të sigurtë të flotës së stërmadhe tregtar kineze në drejtim të Europës dhe anasjelltas, dhe kjo  shumë më shkurt dhe shumë më lirë sesa ishte deri tani kanali i Suezit

Egjipti humbësi më i madh, Izraeli si fitimtar.

Ndërsa Kina dhe Rusia mund të “fërkojnë duart” me situatën e krijuar, Egjypti mund të gjendet para problemeve të paparashikuara për shkak të zvoglimit të pritshëm të qarkullimit nëpër kanalin e Suezit. Ky shtet për çdo vit arkëton 4 miljardë dollarë fitim nga qarkullimi nëpër kanal. Për këtë kreu shteti egjiptian po përpiqet të bindë botën se me investimet që parashikon të bëjë në kanalin e Suezit do të bëjë të mundur rritjen e kalueshmërisë së anijeve nëpër të. Gjithsesi, në mënyrë të domosdoshme, fluksi i qarkullimit nëpër kanal do të bjerë, madje edhe nëse Kajro do të arrijë të bëjë atë që premton (prej disa vitesh)

Një shtet që gjithashtu mund të “fëkojë duart”, në këtë rast për shkak të “shqetësimeve të Egjyptit” është edhe Izraeli. Bllokimi i kanalit të Suezit përbën për të një nxitje serioze për përpunimin e strategjisë së zhvillimit të infrastrukturës së tij me pjesëmarrjen e partnerëve të huaj. Bëhet fjalë para së gjithash për lidhjen mes Detit të Kuq dhe atij Mesdhe nëpërmjet territorit izraelit me ndërtimin e hekurdhave, ndër të tjera edhe ajo që mund të lidhë Izraelin me Gjirin Persik, duke kaluar nëpër territorin e Arabisë Saudite por gjithashtu edhe të naftësjellësit Eilat-Ashkelon, fillimisht të planifikuar për transportin e naftës nga Irani, nëpër Izrael deri te konsumatorët europianë. Pas normalizimit të vitit të kaluar të marrëdhënieve arabo-izraelite, ky projekt tërhoqi interesimin e përfaqësuesve të Emirateve të Bashkara Arabe të cilët vitin e kaluar nënëshkruan një marrëveshje paraprake me kompaninë izraelite EAPC (Euro-Asia Pipeline Co). Parashikohet që realizimi i suksesshëm i kësaj iniciative do të arrijë të ulë 13-16% qarkullimin nëpër kanalin e Suezit.

Për tërmetin gjeopolitik që lindi për shkak të bllokimit të kanalit të Suezit dëshmon edhe fakti që situatën e krijuar u përpoq ta shfrytëzonte edhe Irani. Teherani tani ofron, sikurse deklarohet zyrtarisht, koridorin ndërkombëtar të transportit Veri-Jug (ITC) “me rrezik të ulët” për lidhjen mes Europës dhe Azisë, në të cilin po punon sëbashku me Indinë dhe Rusinë, por për këtë projekt është e interesuar edhe Turqia (shih hartën më poshtë). Ky koridor detar dhe rrugor do ta ulte me 40 ditë kohë, e sëbashku me të edhe shpenzimet për kalimin e mallrave indiane në Europë, gjë që tani kryhet nëpërmjet kanalit të Suezit. Për këtë qëllim Irani i vë në dispozicion Indisë portin më jugor të tij Chabahar në detin Arabik prej ku nisen lidhjet hekurudhore nëpërmjet Iranit deri në detin Kaspik ose Rusi dhe Armeni.

Përveç kësaj, në kuptimin e qarkullimit, Irani është hallka më e rëndësishme për projetkin infrastrukturor kinez “Rruga e mëndafshit” (zyrtarisht “Një shteg, një rrugë”). Në këtë mënyrë Irani u bën me dije të gjithëve sesa është i rëndësishëm në kuptimin gjeostrategjik dhe gjeoekonomik, jo vetëm në kuadrin rajonal por edhe në atë global.

“Pakti strategjik” mes Kinës dhe Iranit.

Për atë se Irani e ka seriozisht përsa më sipër, flet edhe nënëshkrimi i marrëveshjes për bashkëpuunim strategjik i këtij vendi me Kinën, në Teheran me 27 mars 2021. E nënëshkruan ministrat e punëve të jashtme Xhavad Zarif dhe Wang Yi. Sipas palës iraniane dokumenti, që është ideuar dhe parashikuar për një afat prej 25 vitesh, përbëhet nga komponentet politike, strategjike dhe ekonomike. Që para dy vitesh, kur mes dy vendeve u nënëshkrua vetëm memorandmi, mediat botërore flisnin për shumën e investimeve kineze në Iran në shifrën prej 400 miljardë dollarë për 25 vitet e ardhshme.

Vëzhguesit Perëndimorë e konsiderojnë këtë memorandum mes Iranit të pasur me naftë dhe energjentë dhe Kinës së etur, “ndryshim loje” në Lindjen e Afërt dhe krijimin e një “kanxhe strategjike” të re për SHBA-të dhe aleatët e  saj.

Marrëveshja gjithëpërfshirëse strategjike mes Iranit dhe Kinës ishte e para e këtij lloji. Para saj Teherani nuk ka lidhur marrëveshje kaq afatgjata me fuqitë e mëdha. Irani dhe Rusia në vitin 2001 nënëshkruan një marrëveshje me afat dhjetëvjeçar mbi bashkëpunimin, kryesisht në planin nuklear, e cila mezi u rinovua dy herë nga pesë vite.

Kina synon  të investojë 400 miljardë dollarë në Iran në këmbim të furnizimeve stabël me naftë. Marrëveshja mbulon lloje të ndryshme aktivitetesh ekonomike, nga energjetika te industria minerale e deri te zhvillimi industrial në Iran, bashkëpunim në sistemin bankar, transportit dhe bujqësisë me theks të veçantë te sektori privat i të dyja palëve. Në këmbim të investimeve të mëdha kineze në dhjetra projekte, Pekini do të marrë furnizim të qëndrueshëm me naftë gjatë 25 viteve të ardhshme me ulje të ndjeshme çmimi. Detajet e kësaj marrëveshje nuk janë bërë publike.

Shefi i diplomacisë kineze Wang Yi u takua edhe me presidentin e Iranit Hasan Rohani dhe deklaroi se “marrëdhëniet tona me Iranin nuk do të varen nga situata momentale por do të jenë të vazhdueshme dhe strategjike”. Shtoi se “Irani vendos në mënyrë të pavarur mbi marrëdhëniet e tij me shtetet e tjera, gjë që e dallon nga ata shtete që e ndryshojnë pozicionin e tyre pas një thirrje telefonike”. Kina është e gatshme të kundështojë hegjemoninë dhe shantazhet, të mbrojë të drejtën ndërkombëtare  dhe të mbështesë normat ndërkombëtare sëbashku me Iranin dhe vendet e tjera, tha më tej shefi i diplomacisë kineze.

Në mediat zyrtare kineze është informuar për drejtimet kryesore të kësaj marrëveshje. Sipas Global Times-it, versioni anglez i People’s Daily-t, gazeta kryesore e Partisë komuniste të Kinës, marrëveshja mund ti ofrojë Kinës furnizim të qëndrueshëm me naftë nga Irani, si dhe të lehtësojë investimet kineze në sektorin bankar, telekomunikacione, porte dhe hekurudha në Republikën Islamike. Krahas kësaj, nënvizohet se Kina do ta ndihmojë Iranin në zhvillimin e zonës së tregtisë së lirë dhe në krijimin e infrastrukturës për rrjetin 5G.

Sesa i rëndësishëm ishte takimi në Teheran dëshmon dhe fakti se iranianët me këtë rast shprehën gatishmëri për organizimin, as më pak as më shumë, por të bisedimeve direkte mes Izraelit dhe Palestinës, gjë që flet për zvoglimin e ndikimit amerikan në rajon. Nga ana tjetër, Wang Yi miratoi  synimin e administratës së re amerikane për të rishikuar politikën e saj dhe për të kthyer marrëveshjen bërthamore me Iranin.

Uashingtoni ditët e fundit nuk këmbëngul më në atë që Teherani fillimisht duhet të ndalojë me pasurimin e uranumit mbi vlerat e lejuara nga marrëveshja e përmendur në këmbim të heqjes së sanksioneve (Teherani nga ana e tij kërkon që Uashingtoni fillimisht të heqë sanksionet që ka vendosur kundër tij Trampi). Me 27 mars zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se nuk ka rëndësi se “cili do të jetë i pari” që u kthehet kushteve të marrëveshjes bërthamore dhe se kjo “mund të ndodhë njëkohësisht”. Sipas fjalëve të tij, “ne (SHBA-të) do të jemi pragmatikë në lidhje me këtë çështje”, gjë që do të thotë zbutje e qëndrimit të Uashingtonit ndaj Iranit.

Pas Kinës, Irani dëshiron të nënëshkruajë marrëveshje për partneritet strategjik edhe me Rusinë.

Teherani, me hapa viganë po e zgjeron aktivitetin e tij diplomatik, duke forcuar aksionet e tij dhe duke zvogluar ato amerikane, pikërisht me 6 prill në Vjenë në bisedimet e filluara në lidhje me programion e tij bërthamor. Pasiqë nënëshkroi marrëveshjen strategjike me Kinën, Irani tani synon të lidhë marrëveshje të të njejtit lloj edhe me Rusinë. Që të dy marrëveshjet me dy fuqitë botërore janë ideuar në mënyrë të tillë që të neutralizojnë të ashtuquajturën politikë të presionit maksimal ndaj Republikës Islamike të Iranit, informoi me 30 mars agjensia iraniane Mehr.

Vendosja e marrëdhënieve afatgjatë të Teheranit me Pekinin dhe Moskën është një prej mjeteve më të rëndësishme për neutralizimin e sanksioneve të ashpra dhe të padukshme që ka vendosur administrata parardhëse e Trampit, deklaroi kryetari i Komisionit për sigurinë dhe politikën e jashtme në Mejlis (parlamenti iranian) Mojtab Zonnur. Ai deklaroi se Teherani tani këmbëngul të lidhë marrëveshje afatgjatë strategjike me Moskën, gjë e cila do të forcojë ndërveprimet bilaterale ekonomike dhe do ti shtrojë rrugën realizimit të projekteve të mëdha të përbashkëta. “Kërkojmë bashkëpunim dhe ndërveprim bilateral me këto vende në fushën e hekurdhave, autostradave, makinerive, rafinerive të naftës, petrokimisë dhe kompanive që kërkojnë dije, sepse kjo mund të ketë rol efektiv në neutralizimin e sanksioneve të huaja”, deklaroi Mojtab Zonnuri.

Valsi rus në Levant

Paralelisht me sa u përshkrua më sipër, vazhdon edhe rritja e ndikimit rus në Lindjen e Afërt. Deri ku do të shpjerë “politika e përçarjes” e Bajdenit në këtë rajon, dëshmojnë edhe  vizitat e paradokohëshme në Moskë-pothuajse paralele- të delegacionit të Hejsbollahut libanez (të cilin Rusia, në ndryshim nga SHBA-të, Britania e Madhe dhe disa vende antare të BE-së nuk e  konsiderojnë organizatë terrorisrte) dhe e ministres izraelite të punëve të jashtme Gabi Ashkenazi. Vështirë se mund të ketë tregues më të mëdhenj të ndryshimit të gjendjes në Lindjen e Afërt.

Ndërsa administrata e Barak Obamës u muar me krijimin dhe ruajtjen e përçarjeve dhe konflikteve etnike dhe fetare në rajon, duke u mbështetur në luftërat proxy (me ndërmjetës), duke këmbëngulur në  zvoglimin e përdorimit të fuqisë së saj të drejtpërdrejtë ushtarake, nëpërmjet mbështetjes dhënë partnerëve të saj rajonalë kundër rivalëve të tyre (Irani, Siria, Iraku, Libia) dhe kësisoj, duke thelluar përçarjen mes vendeve kryesore të Lindjes së Afërt, Rusia hyri “e paftuar”, por nga dera kryesore, në lojën amerikane të Lindjes së Afërt.

Ahmad Vakhshiteh, profesor në Universitetin kombëtar Euroaziatik (Nur-Sultan), gjithashtu gazetar dhe publicist, duke analizuar rolin e Rusisë në Lindjen e Afërt gjatë shekullit të 20 dhe fillimit të shekullit 21 bën një koment interesant.

Pas rrëzimit të dinastisë Romanov, Lindja e Afërt për njëfarë kohe u shndërrua në drejtim sekondar të politikës së jashtme të Rusisë sovjetike, por në fillim të viteve njëzetë të shekullit të kaluar, udhëheqja sovjetike filloi të mbështesë në mënyrë aktive lëvizjet nacional-çlirimtare në këtë rajon, sëpaku ato që kishin orientim socialist. Gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, Lindja e Afërt u bë vatër beteje mes BRSS-së dhe SHBA-ve në luftën për ndikim dhe burime energjetike. Në vitet në vazhdim (1950-1970) politika sovjetike në rajon ishte kontradiktore: nga njëra anë Moska këmbëngulte në mbështetjen e rregjimeve anti-amerikane dhe anti-imperialiste, por nga ana tjetër edhe të kishte përfitim nga prania e saj në rajon, duke u përpjekur, ku të ishte e mundur, të bashkëpunonte me shtetet e tjera, përshembull me Iranin. Nga viti 2004, domethënë në erën e Vladimir Putinit, Moska filloi në mënyrë aktive të rinovonte lidhjet me partnerët tradicionalë: Irakun, Egjiptin, Algjerinë, Libinë, si dhe të zgjerojë praninë e saj në Lindjen e Afërt dhe të luajë rolin e ndërmjetëses në konfliktin arabo-izraelit. Roli i Rusisë në rajon u rrit befasisht pas vitit 2011 dhe ngjarjeve të së ashtuquajturës pranverë arabe, kur Moska filloi operacionin ushtarak në Siri, duke forcuar kësisoj marrëdhëniet me Iranin, thotë Vakhshiteh.

Nga kjo analizë nuk është e vështirë të konkludohet si më poshtë:

Lindja ne Afërt po bëhet përsëri vatër e përballjes gjeopolitike mes Perëndimit dhe Rusisë, krahas, kësaj here, me shtimin e një lojtari të ri dhe kyç-Kinës. Pekini, pas takimit të paradokohëshëm dhe të pakëndshëm në nivel të lartë me përfaqësuesit e SHBA-ve në Alaskë, ka vendosur përfundimisht për aksion politik në territorin e Lindjes së Afërt, duke bërë një devijim të madh nga veprimtaria e tij e deritanishme në këtë rajon e cila bazohej në segmentin  ekskluzivisht ekonomik: import dhe eksport (para së gjithash të naftës), investimeve, arranzhimeve kredituese etj, pa përzierje në qerthullin e brendshëm të rivalëve rajonalë. Presioni i fuqishëm i Uashingtonit ndaj Pekinit dhe demonizimi i Kinës, politikë të cilën, në një masë aspak më të vogël, po e vazhdon edhe administrata Bajden, nuk i ka lënë më asnjë dyshim Pekinit se dialogu normal dhe respekti i ndërsjelltë me Uashingtonin është i mundur të arrihet vetëm në një afat të mesëm kohor. Përveç kësaj, me hyrjen e fuqishme në rajonin e Lindjes së Afërt, këtë zonë tradicionale të Perëndimit dhe mbi të gjitha sferë e ndikimit amnerikan- Kina dëshiron të shpërbëjë kapacitetet amerikane, si ushtarake ashtu edhe diplomatike, dhe ta lehtësojë kësisoj presionin që po e forcojnë SHBA-të në “oborrin kinez”, rajonin e ri gjeopolitik: Indi-Oqeani i Qetë, ku këmbëngul të kufizojë ndikimin kinez nëpërmjet formimit të të ashtuquajturit koalicion QUAD me Japoninë, Australinë dhe Indinë.

Nuk përjashtohet mundësia që Kina, shumë shpejt pas lidhjes së paktit strategjik me Iranin dhe me bekimin e Rusisë, të hyjë në mënyrë më aktive edhe në arenën luftarake siriane- natyrisht në anën e Bashar al-Assadit, të cilit, përveç ndihmës ushtarake ruse dhe angazhimit të saj në fushëbeteja, domosdoshmërisht i nevojitet edhe ndihma financiare dhe ekonomike që mund  t’ia orfojë në mënyrën më të mirë Pekini. Natyrisht edhe në atë që ka lidhje me rinovimin e infrastrukturës së shkatërruar siriane, gjë në të cilën kinezët sot nuk kanë konkurentë.

Amerikanët luajtën një lojë ntë rrezikshme në dy  fronte- njëkohësisht kundër Kinës dhe Rusisë, “luks” që nuk ia patën lejuar vetes strategët më të mëdhenj amerikanë të administratave të mëparshme, madje edhe në kohën që Kina ishte më e dobët, ekonomikisht dhe ushtarakisht. Gabimi që bëri politika e jashtme amerikane, sa për interesat e saj për ruajtjen e hegjemonisë globale që nuk ekziston më dhe as ka për të qënë me e mundshme në të ardhmen, aq edhe për shkak të egos tejet të fuqishme- qëndron në faktin se asnjë prej aleatëve më të afërt amerikanë nuk është  i gatshëm për kurrfarë lufte- as me Kinën, e le më pastaj me Rusinë. Këtë gjë e dinë mirë Rusia dhe Klina dhe do të vazhdojnë me projeksionin e përbashkët të interesave të tyre, duke kërkuar partnerë dhe shtete të reja që janë të gatshëm të bashkëpunojnë me ta. Dhe, nëse vazhdon edhe më tej politika agresive amerikane, tani për tani vetëm “e kthyer mbrapsht”, retorika më e butë dhe më e këndshme për veshët e administratës Bajden në krahsim me atë të Trampit dhe asgjë tjetër, të tillë do të ketë akoma më shumë. Por, gjithsesi bashkëpunimi i këtyre shteteve me Kinën dhe Rusinë, kursesi nuk do të thotë se do t’ia kthejnë shpinën  SHBA-ve. Por kjo për Uashingtonin është shumë pak ngushëlluese parë nga perspektiva e synimeve maksimaliste që ai dëshiron të sendërtojë. Heret a vonë ai do të duhet ti reduktojë ata synime dhe ti sjellë në kuadrin e njëfarë ekuilibri interesash me lojtarët e tjerë kryesorë dhe ti bëjë më të përballueshme reciprokisht. Bisedimet direkte të nisura të SHBA-ve me Iranin e forcuar politikisht dhe diplomatikisht në Vjenë për këtë janë rasti më i mirë.

*Burimi: https://www.geopolitika.news/analize/z-meter-ruski-valcer-na-levantu-sjeverni-morski-put-i-kineski-strateski-pakt-s-iranom/
Z.XHELAL FEJZA është diplomat karriere, njohës shumë i mirë i rajonit dhe Ballkanit. Ka Punuar  prej  26 vitesh (1993-2019) si diplomat në MPJ, dhe në ambasadat e  RSH në Zagreb, Sarajevë dhe Beograd. Ai gjithashtu ka përkthyer disa libra të njohur si: Përkthyer nga Boshnjakishtja: "Feja, njerëzit dhe atdheu"- autori Mustafa CerićPërkthyer nga kroatishtja: "Konstantin Balša" - autor Milano Šuflaj .Përkthyer nga kroatishtja: "Shkatërrimi i Jugosllavisë" -autori Stjepan Mesić, ish-president i Kroacisë (2000-2010) .Përkthyer nga serbishtja: “Shtëpia e përkujtimit dheharresës ”, autor Filip David, 2017         

© Argumentum