Vendimi/KQZ: Fleta e votimit do të përmbajë edhe emrat e kandidatëve

Komisioni Qendor i Zgjedhjeve ka marrë sot vendimin për përmbajtjen e fletës së votimit për zgjedhjet e 25 Prillit.

Lajmi u bë i ditur nga kreu i këtij institucioni, Ilirjan Celibashi. Gjatë fjalës së tij, ai u shpreh se fonti i fletës së votimit do të jetë i ndryshëm në çdo qark.

“Kandidatët do të identifikohen me emër. Për çdo qark, mënyra e të shkruarit, fonti dhe karakteristikat e tjera të shkrimit do të varet nga numri i kandidatëve për çdo qark”, u shpreh Celibashi.

Në lidhje me këtë vendim, z. Celibashi nënvizoi faktin se subjektet zgjedhore kanë të drejtë ta ankimojnë në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), brenda tre ditësh.

“Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të KQZ-së, kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në KAS brenda tre ditësh, nga shpallja e këtij vendimi”. theksoi ai.

Kryekomisioneri po ashtu bëri të ditur se ka rrëzuar kërkesën e Partisë Socialiste, e cila kishte propozuar, që kandidatët për deputetë në fletën e votimit në zgjedhjet e prillit të identifikoheshin me numra.

“Në vlerësim të asaj që u parashtrua nga ana ime si komisioner dhe bazuar në dispozita  përkatës të KQZ vendos rrëzimin e kërkesës  së PS, për shqyrtimin e fletës së votimit, në përmbajtje të së cilës kandidatët janë të shënuar vetëm sipas numrit rendor në listën shumëemërore të paraqitur prej tyre si subjekt zgjedhor”, tha ai.