Zgjedhjet e 25 prillit/Arrestohet sekseri dhe nën hetim drejtuesi politik i LSI në Pukë

Është goditur rasti i parë i krimit zgjedhor në Pukë për zgjedhjet e 25 Prillit. Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin Vasil Shabani, i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje", pasi nga kontrolli i ushtruar në mjetin e tij tip Nisan u gjetën një shumë prej 528.000 Lekë (te rinj) dhe një fletë e ngjashme me fletën e votimit.

Gjithashtu në vijim të veprimeve hetimore u procedua në gjendje të lirë Kryetari provizor i Subjektit Politik LSI për Bashkinë Pukë, shtetasi Demir Syla.

Gjatë kontrollit të ushtruar ne ambientet e biznesit të drejtuesit të LSI-së, policia gjeti dhe sekuestroi dhe një tjetër fletë të ngjashme me fletën e votimit, si dhe një fletë format A4, ku pasqyroheshin lista emërore (emër, atësi, mbiemer) me 27 persona dhe numrat e ID.

Materialet hetimore në ngarkim të shtetasit Vasil Shabanin (i arrestuar) dhe shtetasit Demir Syla (i proceduar në gjendje të lirë) u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pukë për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe i rezultateve të zgjedhjeve” dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim".

Prokuroria e Pukës ditën e hënë do të vlerësoj nëse procedimi penal për korrupsionin zgjedhor do t’i kalojë SPAK-ut për hetim.