Zgjedhjet e 25 prillit/ Kolegji Zgjedhor: Fleta e votimit do të jetë me numra

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi vendosi që fleta e votimit të ishte me emra. Partia Socialiste e dërgoi çështjen në KAS, i cili dje pranoi kërkesën e shumicës qeverisëse duke rrëzuar PD-në, që e ankimoi në Kolegjin Zgjedhor.

Vendimi u mor nga trupa gjyqësore e përbërë nga Asim Vokshi, Esmeralda Ceka, Gentian Media, Manjola Xhaxho dhe Alma Kolgjoka.

Pretendimet e palëve

Përfaqësuesi ligjor i PS-së, Eridjan Salianji u shpreh se fleta e votimit që kërkon PD me emra është si gazetë për zgjedhësin duke ia vështirësuar votimin.

“Fleta e Tiranës ka mbi 500 emra. Është e ngarkuar. Nuk shkohet në votim për të lexuar gazetë, por procesi duhet të jetë sa më i thjeshtë” tha ai.

Por Partia Demokratike këmbënguli që fleta të jetë me emra, pasi kështu qytetarët shqiptarë e kanë më të lehtë për të identifikuar kandidatin e tyre të preferuar dhe se numrat shkaktojnë shumë konfuzion.