Zgjedhjet 2021-Sovrani foli/ Ndërkombëtarët dhe liderit e partive politike: Durim deri në mbylljen e procesit të numërimit!

Zgjedhjet e 25 Prillit konsiderohen si zgjedhjet më të mira në Shqipëri kundrejt klimes së tensionuar politike.

Me një pjesmarrje prej 47.92% të votueseve, duket se sovrani e ka dhënë verdiktin e tij. Tashmë e gjithë vemëndja është te procesi i numërimit. Një proces që merr pak kohë por që duhet durim.

Ambasadorja e SHBA-së , Yuri Kim dhe Ambasadori i BE-së Luigi Soreca kërkojnë njëzëri që politika duhet të pranojë gjykimin e votuesve kur të mbyllet procesi i numërimit.

Po ashtu liderit e partive kryesore janë shprehur optimstë secili për fitoren, megjithatë thirrja është e njëjtë: ”  Të priten rezultatet e numërimit të votave”

***

Pas përfundimit të procesit të votimit ka reaguar ambasadorja amerikane në vendin tonë, Yuri Kim.

Në një postim në rrjetet sociale, ajo shkruan se autoritetet e zbatimit të ligjit kanë për detyrë të sigurojnë integritetin e votës, ndërsa politika duhet të pranojë gjykimin e votuesve kur të mbyllet procesi i numërimit.

“Votuesit në Shqipëri dolën me forcë të plotë për të shprehur vullnetin e tyre. Zgjedhjet dhe autoritetet e zbatimit të ligjit kanë për detyrë të sigurojnë integritetin e votës. Kandidatët dhe udhëheqësit, gjithashtu, kanë detyrën e tyre: të mos supozojnë rezultate, por të pranojnë gjykimin e votuesve kur përfundon numërimi”.

Edhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca e cilësoi një ditë të madhe për demokracinë ditën e sotme ku tha se pjesëmarrja ishte e madhe në votime. Ai tha se ekipet e BE do të ndjekin procesin e numërimit dhe se rezultati të pritet me qetësi e durim duke respektuar vendimmarrjen e zgjedhësit.

“Ishte një ditë e gjatë e filluam në orën 07:00 në Tiarën dhe e mbyllëm po sërish në Tiranë. Kemi qenë në Tiranë, Peqin, Elbasan, Kavajë, Durrës. Përveç disa problemeve që janë hasur që janë të pakta për aparatet e identifikimi elektronik, administrata zgjedhore ka funksionuar mirë. Ekipet e BE që vëzhguan zgjedhjet do të vëzhgojnë edhe procesin e mbylljes së votimit. Të gjithë informacionin që kemi mbledhur do ja kalojmë OSBE/ODIHR për të bërë raportin paraprak nesër. mbyllja e votimit dhe dërgimi i materialeve zgjedhore është vetëm fillimi i procesit. Komisioni i qendrave të votimit do të kryejnë procesin e tyre, por ne do të vijojmë me vëzhgimin e numërimit deri kur të kemi një rezultat. Personalisht mendoj se ishte një ditë e mirë për demokracinë dhe pash shumë qytetarët që kanë marrë pjesë në procesin e votimit dhe e ndjenë përgjegjshmërinë e tyre për të hedhur votën në kutitë e votimit. Është e rëndësishme që të jemi të qetë dhe të presim me durim rezultatin dhe të tregohet respekt për rezultatin e zgjedhjeve dhe të kemi këtë qetësi që kemi pasur deri tani“, tha Soreca.

Ambassadors Kim and Soreca in Durrës: Candidates and political leaders should await electoral outcome and judgement of people | Albanian Telegraphic Agency

Me përfundimin e orarit zyrtar të procesit të votimit, Presidenti Ilir Meta reagoi i pari duke falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen rekord sipas tij dhe i siguroi ata që asnjë votë nuk mund të tjetërsohet. Sipas Metës, Shqipëria ka fituar me këtë proces historik deri tani.

Faleminderit qytetarëve për pjesëmarrjen rekord në këto zgjedhje dhe qytetarinë e treguar! Tani administrimi me integritet të lartë të procesit zgjedhor është sfida më e madhe.

Qytetarët të jenë të qetë se asnjë vote nuk mund të tjetërsohet nga askush. Mos u ndikoni nga sondazhet se me ato do qeshni të gjithë.

Shqipëria ka fituar me këtë proces historik deri tani. Përgjegjësia e komisionerëve tani dhe e numëruesve, e jashtëzakonshme për përmbylljen dinjitoze të zgjedhjeve”.

 Ndersa Kryeministri Edi Rama pas nje heshtje te gjate qe nga momenti i votimit per diten e sotme falenderoi sot socialistët e angazhaur në procesin zgjedhor teksa garantoi se rezultati ndodhet në kutitë e votimit.

Ai shtoi se pavarësisht sondazheve që e nxjerrin fituese PS, ato nuk duhen marrë të mirëqëna.

Rama shtoi se nga këto zgjedhje nuk pritet vetëm mandati i tretë, por fitorja e Shqipërisë.

“Falenderoj të gjithë ata që sollën këtë eksperiencë të re në Shqipëri. Dua t’i garantoj socialistët se votat janë në kuti të gjitha. Tani detyra jonë, e ccdo numëruesi është që me përgjegjësi të lart qytetare dhe ligjore të kontribuojë për të numëruar me korrektësi. Hamendjet, sondazhet, exit-pollet, pavarësisht se PS e nxjerrin forcë qeverisëse, i përkasin parashikimeve para ndeshjes. Rezultati i kutive të votimit është ai i ndeshjes. Dua ta përsëris se kam një falenderim nga zemra për patronazhistët në të gjithë territorin” – tha Rama ndër të tjera.

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi: LSI fiton 28 deri në 30 mandate.

Monika Kryemadhi ka bërë projeksionin e saj të fitores pak pas mbylljes së procesit të votimit.

Ajo tha se opozita e bashkuar ka fituar 85 deri në 90 mandate. Ndërsa LSI sipas saj ka 28 deri në 30 mandate.

“Shumë shpejt u takuam. Ka pasur një pjesëmarrje të jashtëzakonshme. 1.7 mln votues. Asnjë ndjenje euforie s’duhet të kapi komisionerët e LSI. Numëruesit të bëhen gati. Duhet të çojmë procesin deri në fund.

Numrat tregojnë një fitore të jashtëzakonshme. Ajo që duhet të veçojë është se opozita e bashkuar ka nga 85-90 mandate. Them se LSI ka 28-30 mandate. Duhet të çojmë deri në fund procesin e numërimit.”, tha Kryemadhi.

Kryetari i PD Lulzim Basha: “Fitore për popullin shqiptar, fitore për Aleancën për Ndryshim"

Lulzim Basha ka dalë sot për herë të parë në një komunikim për mediat pas mbylljes së procesit të votimit

Teksa mbështetësit e prisnin me duartrokitje dhe ovacione në kor “Rama ka mbaruar punë”, Basha tha se fitorja është e qartë për popullin shqiptar.

Lideri i opozitës tha se vullneti i popullit është në kutitë e votimit ndërsa shtoi se ka besim të plotë se komisionerët dhe numëruesit do e përmbyllin këtë proces me përgjegjësi.

“Fitore për popullin shqiptar, fitore për Aleancën për Ndryshim"

Faleminderit gjithë qytetarëve të Shqipërisë që zgjodhën ndryshimin. Kjo është nje fitore e qartë për popullin shqiptar, një fitore e qartë për Aleancën për Ndryshim.

Vullneti i popullit është në kutitë e votimit. Kam besim të plotë se komisionerët dhe numëruesit  do ta menaxhojne proçesin me përgjegjësi dhe durim dhe sipas ligjit.

Sic kam thënë në fillim të fushatës, në fund të këtij proçesi Shqipëria fiton.“-tha Basha.

©  Argumentum