Abuzimi ndaj 15 vjeçares në Mirditë, qytetarët, dhe kisha katolike në protestë. Reagon BE: "Përdhunimi është një krim, indiferenca vret"

Qytetarë të shumtë ,përfaqësues të Shoqërisë civile dhe Kisha Katolike protestuan sot në Mirditë për sigurinë dhe mbrojtjen e vajzave  pas ngjarjes tronditëse  ku një e mitur 15 vjeçare u përdhunua në grup.

Mësohet se qytetarët kanë mbërritur në Rrëshen nga qytete të ndryshme të vendit, të cilët kanë filluar marshimin nga sheshi kryesor dhe më pas i janë drejtuar Komisariatit të Policisë së Mirditës.

“Përdhunimi është krim”, “nuk ka marrëdhënie pa dëshirë, por vetëm përdhunim”, “bashkë kundër përdhunimit”, “përdhunimi i vetmi krim ku akuzohet viktima”, “vajzat në rrezik, shteti asgjëkundi”, ishin disa nga pankartat që mbanin në duar të rinjtë.

Protestuesit kanë duke bërë marshim në rrugët e qytetit ndërsa i pranishëm është edhe Ipeshkvi i Rrëshenit Gjergj Meta.

“Me fenomenet që kanë ndodhur shpresoj të merren organet kopetente. Ky organizim i sotëm synon një sensibilizim, shpresoj që ngjarje të tilla të mos ndodhin me. Mesazhi im është respekt, për tjetrin, për trupin e tjetrin, për gratë fëmijët, adoleshentët. Respekti është në bazën e gjithçkaje. Për këtë nuk mund të flas.”, tha Dom Gjergj Meta.

Fatkeqësisht do të thoja se shpeshherë zgjohemi vetëm kur ndodhin gjërat, por duhet bërë një punë e përditshme, me këta të rinj, që të kenë respekt për njëri-tjetrin. Të respektosh trupin e tjetrit, vullnetin e tjetrit, lirinë e tjetrit, dhe aq më tepër kur tjetri është i mitur”, u shpreh Dom Gjergj Meta

Edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka dënuar përdhunimin e 15-vjeçares në Mirditë.

“Mbroni vajzat në #Shqipëri! Drejtësia, policia, shërbimet sociale dhe të gjitha institucionet duhet të veprojnë kundër kësaj dhune të tmerrshme. Përdhunimi është një krim dhe indiferenca vret.”, thuhet në reagimin e BE.

Autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë janë: Artan Kaçorri, Albert Molla, Ermal Tarazhi, Nike Lleshi, dhe Adriano Gjikola. Ndaj tyre është caktuar masa “arrest me burg”, pasi rëndonte akuza “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur”.