Agron Shehaj, një nga deputetët më të votuar në Tiranë kandidon për kryetar të Partisë Demokratike

Agron Shehaj, një nga kandidatët më të votuar të Partisë Demokratike në Tiranë, i dyti për nga numri i votave të mbledhura pas kryetarit aktual Lulzim Basha, garon zyrtarisht për kryetar të Partisë Demokratike.

 Lajmin e ka dhënë vetë z. Shehaj përmes një postimi në Facebook, ku shprehet se konkurrimin nuk e sheh si garë për një post, “por si një përpjekje të përbashkët me të gjithë demokratët që dëshirojnë që PD të jetë një parti e vërtetë demokratike, moderne dhe e hapur”.

“Shqipëria ka sot nevojë për opozitë të fortë, parimore dhe frymëzuese. Shqipëria ka sot nevojë për Partinë Demokratike!

Ne demokratët do ta kapërcejmë gjendjen e vështirë ku jemi dhe do ngrihemi më të fortë se më parë. Përballë autokracisë, korrupsionit dhe paaftësisë së qeverisë, ne do të ndërtojmë alternativën e lirisë, ndershmërisë dhe aftësisë. Për këtë duhen energji të reja, vizion i ri, drejtim i ri.

Me ketë bindje, kam vendosur të kandidoj për kryetar të Partisë sime. Konkurimin nuk e shoh si garë për një post, por si një përpjekje të përbashkët me të gjithë demokratët që dëshirojnë që partia jonë të jetë partia e anëtarëve: një parti e vërtetë demokratike, moderne dhe e hapur”, shkruan z. Shehaj.

“Unë besoj se çdo njeri duhet të luftojë duke dalë në shesh për atë që beson. Unë besoj se shërimi nga humbja vjen nga veprimi dhe jo nga apatia e ankimit për padrejtësitë, që sigurisht kanë ndodhur. Unë besoj se përparimi vjen përmes ndryshimit dhe jo ripërsëritjes së të njëjtave gabime”, shpehet z. Shehaj.

Deri tani në garë për kreun e PD janë 5 kandidatë: kryetari aktual Lulzim Basha, 2 kandidatët e ‘Grupimit për PD’, Edit Harxhi dhe Ibsen Elezi; Fatbardh Kadilli, i cili e shpalli kandidaturën e tij që pas humbjes së zgjedhjeve nga PD, dhe Agron Shehaj.