ASAP! Brukseli “bekon” Ballkanin! “Nxemje” në Brdo-Brijun! Bllokimi bullgar! Samiti social! Europa e qytetarëve! Paaftësia&Pafajësia.

Realpolitik “ flash” Nr. 32  

 2 - 18 MAJ 2021

 EKSKLUZIVISHT te ARGUMENTUM, pikat mbi “ i” për 7  ngjarjet kryesore vetëm me 1000 fjalë nga diplomati dhe analisti i njohur;

Dr.Jorgji KOTE

1.ASAP! Është eufemizmi i përdorur shpesh së fundmi në forumet e BE-së, vizitat e Komisionerit të Zgjerimit Varheley në Shkup/Tiranë më 4-5 Maj, takimin e Ministrave  të Jashtëm më 10 Maj, etj. ASAP është shkurtimi i “ as soon as possible” ose në shqip “ sa më shpejt të jetë e mundur” tashmë lidhur me çeljen  e negociatave  të antarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Qershor/Korriku mbetet ende i mundshëm, por me pak gjasa, për shkak të problematikës në hetim e sipër të 25 Prillit dhe bllokimit bullgar të fqinjit maqedonas. Kurse Holanda nuk thotë dot “ as po, as jo” në pritje të rivlerësimit nga Komisioni Europian dhe miratimit nga Parlamenti që kërkojnë kohë. Shpresa mbetet për në Tetor/Nëntor, POR, nëse deri atëhere është hequr bllokada bullgare, 25 Prilli është njohur nga faktori ndërkombëtar dhe me opozitën në Kuvend. Veç ndikimit të vendimit lidhur me çeljen për të dy vendet si çift. Ndryshe, gjithçka mund të shtyhet mbas muajit Mars 2022, pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale në Francë. Ja përse “ASAP”  vazhdon të jetë refreni i përditshëm politik.

2.Brukseli “ bekon” Ballkanin!  pas tronditjes që shkaktuan dy “ non-paperat” në atje, në Washington dhe metropolet Euro - Atlantike. “Defender Europe 21”, Stërvitja më e madhe ushtarake në rajon ishte demonstrim i qartë i forcës së NATO-s në mbrojtje të vendeve antare dhe vlerave të lirisë. Këto dy javë  vizitorë të lartë nga SHBA dhe BE-ja shkuan në vendet e Ballkanit;  më 10 Maj u zhvillua në Bruksel takimi i Ministrave të Jashtëm kushtuar rajonit, ndërsa më 18 Maj liderët e tij janë ftuar nga J.Borrell në një darkë informale në Bruksel. Dhënia falas e milliona dozave kundër pandemisë ishte rasti më i freskët i solidaritetit të BE-së ndaj rajonit. Vitin e kaluar ajo  akordoi 3,3 miliard Euro për anti-Covid - 19 dhe 9 Miliard Euro për Paketën e Investimeve në rajon, pas 1,15 miliard Euro për pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit.  Pika më e dobët mbetet mosçelja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut që u përmend më sipër.

3.”Nxemje” në Brdo-Brijun! ku më 17 Maj u zhvillua Takimi i Presidentëve të Ballkanit Perendimor. Pa ndonjë të re, përsëritje e dukurive dhe shqetësimeve të stërthëna dhe me” sherrin”  Prishtinë - Beograd lidhur me kufijtë, që e la atë në hije. Ishte me tepër“ nxemje” për takimin në Bruksel më 18 Maj dhe më tej. Sepse, samitet rajonale janë bërë rutinorë,  pa ndonjë jehonë dhe rezultat.

4.Samiti Social i BE-së më 7/8 Maj në Porto nën presidencën portugeze ishte i pari i këtij lloji dhe tejet i rëndësishëm. Mbi bazën e 20 shtyllave kryesore sociale të vitit 2017, BE përcaktoi tri drejtimet themelore  2030 - shtimin e punësimit me 78 për qind, realizimin e  60 për qind të trajnimeve falas për rininë dhe heqjen nga lista e varfërisë/ përjashtimit social të 15 milion  njerëzve, prej të cilëve 5 milion fëmijë, etj.

5.Europa e qytetarëve! Me një vit vonesë, për shkak të Pandemisë, më 9 Maj liderët e BE-së lançuan në Selinë e Europarlamentit në Strasburg “Konferencën për të Ardhmen e  Europës »  Për 12 muaj rresht, ajo do të zhvillohet si diskutim, konsultim dhe debat publik  në të 27 vendet antare dhe institucionet e BE-së  në të gjitha fushat, format dhe  formatet. Idenë për këtë Konferencë  e hodhi  4 vite më parë Presidenti francez Macron, i cili bashkë me drejtuesit më të lartë të BE-së i uroi asaj rrugtim të mbarë. Ajo pasqyron nevojën e brendshme, synon të japë përgjigjet e duhura për kapërcimin e sfidave serioze me të cilat po ndeshet BE-ja dhe të demokratizojë  Projektin madhor të filluar  71 vite më parë.

Nisur nga rëndësia e posaçme, Konferencën e  bashkëkryesojnë Presidentët e Parlamentit, Komisionit dhe Këshillit Europian. Ndërsa parlamentet e 27 vendeve antare kanë statusin e Vëzhguesit.

Ky debat publik gjithëpërfshirës vjen si përgjigje ndaj shqetësimit madhor për kthimin e BE-së në  “ xhungël “ traktatesh dhe rregullash të ngurta, ku vendimet merren nga grupe  burokratësh, pa mandat demokratik, ndërsa pjesëmarrja qytetare ka mbetur slogan.

Në këto rrethana, për të gjetur alternativa optimale kërkohet thithja e mendimit qytetar europian në mjedise të ndryshme publike; në vijim, do të ngrihen forume dhe struktura konkrete, si konsulente dhe oponente të institucioneve të BE-së, që çdo qytetar të jetë  i përfaqësuar në vendimarrje. Me synimin që krahas karakterit Ndërqeveritar dhe Supranacional, BE të institucionalizohet dhe si bashkëqeverisje  qytetare. Idetë dhe rekomandimet e këtij diskutimi pritet të pasqyrohen dhe me ndryshime në traktatet bazë të BE-së. Kjo do ta bëjë atë më shumë të besueshme  dhe efektive, brenda dhe jashtë, veçanërisht  në aspektin gjeopolitik, përballë rreziqeve nga fuqi të tjera të mëdha jashtë Aleancës.

Eshtë inkurajuese se qysh në ditët e para, në Platformën e Konferencës  kanë “ vërshuar” mijra propozime nga qytetarët e vendeve të ndryshme. Ato përfshijnë votimin, të ardhurat dhe shërbimin e njehsuar ushtarak europian, kartën e identitetit dhe gjuhën europiane, etj.

6.Bllokimi bullgar! U shkaktua nga paaftësia për të krijuar një koaalicion qeveritar funksional nga partia e ish Kryeministrit Borisov që doli e para në zgjedhjet e 4 Prillit por  me rënie të ndjeshme, për shkak të dukurive të njohura negative me protesta masive dhe tri partitë e  tjera.  Kësisoj, Bullgaria do të jetë e bllokuar deri në zgjedhjet e parakohshme më 11 Korrik. Gjithsesi, nuk përjashtohet mundësia për një bllokim të ri. Duket sikur “ tersi” i bllokimit të çeljes së negociatave ndaj Maqedonisë së Veriut  tashmë po ndjek dhe vetë Bullgarinë.

7.Paaftësia&Pafajësia janë të pranishme dhe në konfliktin e tanishëm të përgjakshëm në Lindjen e Mesme. Paaftësia nga komuniteti ndërkombëtar, sidomos SHBA&BE, bashkë me Izraelin dhe Palestinën që nuk kanë mundur të zbatojnë asnjë marrëveshje konsensuale dhe të qëndrueshme; ndërsa ajo e vjetshmja, e sponsorizuar nga SHBA-ja ishte e njëanshme, pa efekt dhe “sa për të larë gojën”. Për pasojë, drama tragjike Izrael - Palestinë, megjithë demarshet e tanishme diplomatike mund të mbulohet përkohësisht, por plaga e saj do vazhdojë të kullojë gjak dhe pa ndonjë  perspektivë zgjidhjeje të paktën afat-mesëm. Fitues të këtij konflikti janë Hamasi dhe sidomos Netianahu; që kërkon “ me hir dhe me pahir”  një mandat të ri, pas 4 zgjedhjesh në dy vjet, mes akuzave për korrupsion.. Ndërsa Humbësja më e madhe është PAFAJESIA, me pasigurinë dhe me mijra viktima civilë, sidomos  gra dhe fëmijë.

/argumentum.al

© Argumentum