Astrit Patozi dorëhiqet nga posti i kryetarit të partisë Bindja Demokratike

Kryetari i Bindjes Demokratike Astrit Patozi ka dhënë sot dorëheqjen nga drejtimi i partisë.

Përmes një njoftimi ai bën të ditur se ka marrë të gjitha përgjegjësitë për mosarritjen e objektivave elektorale.

“Duke falenderuar edhe një herë kandidatët, mbështetësit dhe të gjithë votuesit e Bindjes Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit, kam vendosur të marrë të gjitha përgjegjësitë për mosarritjen e objektivave tona elektorale dhe të dorëhiqem nga drejtimi i partisë. Fakti që ne bëmë një betejë dinjitoze dhe qytetare, në mesin e një polarizimi ekstrem, që erdhi nga egërsia dhe ashpërsia e forcave kryesore politike, nuk mund të shërbejë në asnjë rast si justifikim për askënd prej nesh, por sidomos për mua që udhëhoqa fushatën. E kemi ditur që në fillim se në kohë lufte njerëzit nuk kanë mundësi të dëgjojnë muzikë, por nuk kemi ndërmend të fshihemi prapa rrethanave të vështira dhe të pazakonta. Që nga dita e parë e krijimit të partisë, por sidomos gjatë kësaj fushate, pata fatin dhe privilegjin të njoh dhe bashkëpunoj me njerëz të shkëlqyer, politikanë me  eksperiencë apo edhe të rinj të supermotivuar, të cilët më kanë mbushur me besim se ky është një investim, që nuk do të tretet. Unë i inkurajoj ata të gjithë që ta vazhdojnë edhe më të vendosur këtë rrugëtim politik, i cili ka në epiqendër respektin për disa vlera dhe parime të qenësishme si dhe dëshirën për t’i shërbyer vendit dhe interesit publik”, shprehet ai.