Basha i quan zgjedhjet e 25 prillit masakër elektorale, reagon Rama: Ftesa për bashkëpunim është e hapur!

Kreu i PD-së, Lulzim Basha komunikim për mediat e ka cilësuar 25 prillin si një masakër elektorale.

Basha thotë se viktimat e ‘masakrës elektorale’ të 25 prillit nuk janë PD dhe kandidatët e saj, por qytetarët shqiptarë.

Kryedemokrati akuzon Edi Ramë, Tom Doshin bashkë me 3 deputetët e PSD, Aqif Rakipin dhe djalin e dhëndrin e tij që dolën deputetë, Vangjush Dakon bashkë me 3 deputetët e Durrësit, Ilir Ndraxhin, Jurgiis Çyrbjen dhe Rrahman Rrajën, si dhe Aurora Marën.

Ai garanton se përfundimi i betejës që ka nisur PD tashmë do të jetë në të gjitha frontet për të sjellë në fund ‘rrëzimin e regjimit’.

25 prillit masakër elektorale viktima nuk është PD, por besimi shpresa që zgjuam dhe bashkuam pavarësisht rolit të paprecedente të krimit dhe parave të pista dhe shkrirjes së vijave ndarëse të partisë dhe shtetit nuk ia doli që të ulte përmasat e shqiptarëve ndaj dhe detyrimi ynë është ndaj shqiptarëve, teksa ne vazhdojmë mbledhjen e fakteve të masakrës së 25 prillit, ju drejtojini mikrofonin te Rama, Rakipi dhe Tom Doshi. Beteja do bëhet në çdo front”, tha Basha.

Pas kesaj deklarate të Bashës Kryeministri, Edi Rama ka reaguar përmes një shkrimi në Twitter, ku u shpreh se lufta politike nuk është prioritet për qeverinë e tij dhe gjithë energjitë e përpjekjet do i fokusojë të kthimi i Shqipërisë në “kampione të Ballkanit”.

Në reagimin e tij Rama shtoi se fituesit duhet të fokusohen te fitorja e se mandati i tretë për qeverinë e tij nuk do i ngjajë dy të parëve në raport me Partinë Demokratike, që humbi zgjedhjet.

Postimi i Ramës

Humbësit fokusohen tek fituesit. Fituesit fokusohen tek fitorja! Mandati ynë i Tretë nuk do t’i ngjajë dy të parëve në raport me humbësit. Ata le të merren me ne, ne do të merremi me ngjitjen e Shqipërisë në majë. Dora jonë për ta do jetë e shtrirë. Ftesa jonë për ta është e hapur!

Shqipëria meriton shumëfishimin e përpjekjeve tona dhe të gjitha energjitë ne do t’i harxhojmë vetëm për triumfin e këtij vendi, që e duam kampion të Ballkanit në turizëm, energji, bujqësi, inovacion e shërbime digjitale për qytetarët! Lufta e vjetër politike s’është më puna jonë!