Basha nis nga Durrësi turin e takimeve: Rezultati i 25 prillit nuk do të pranohet kurrë, zero bashkëpunim me Ramën!

Lulzim Basha, kryetari i Partisë Demokratike ka nisur turin e takimeve me qytetarët, 2 javë pas humbjes së zgjedhjeve.

Në një takim me mbështetës të Partisë Demokratike në Durrës, Lulzim Basha renditi arsyet pse sipas tij, qeveria fitoi.

Basha tha se bandat ishin me qeverinë, ndërsa opozita nuk i pranoi lidhjet okulte.

Kryetari i PD deklaroi se rezultati i zgjedhjeve të 25 prillit 2021 nuk do të pranohet kurrë nga opozita.

“Ne morëm përsipër një mision. Një mision për ta drejtuar këtë vend pas 8 viteve lëngate, vjedhje, krimi dhe poshtërimi, drejt një të ardhme më të mirë. Ky ishte misioni ynë. Me këtë mision iu përveshëm fushatës derë më derë. Një fushatë qytetare, një fushatë europiane, me program, me ide, me zgjidhje, me ofertë konkrete, me pastërtinë e shpirtit të demokratëve që na ka karakterizuar prej ditëve të para të fillesave tona si një familje e madhe politike. Shumëkush më ka thënë këto ditë se beteja i përngjiste 91-shit. Njësoj si në 1991 ne u futëm në këtë betejë të barabartë me qytetarët. Njësoj si ta por me peshën dhe përgjegjësinë mbi supe për të arritur diçka që vetëm ne mund ta udhëhiqnim; ndryshimin që të gjithë prisnin.

E dimë fare mirë dhe e dinim edhe atëherë se përballë do të kishim bandat. Bandat e Durrësit, bandat e Shijakut, bandat e Krujës dhe të Fushë Krujës të bëra njësh me pushtetin më të korruptuar dhe të inkriminuar që ka njohur Shqipëria në këto 30 vite të Edi Ramës. E dinim fare mirë se në muajt, madje në vitin pararendës, ky pushtet bëri gjithçka për të tjetërsuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë.

Të gjithë e dimë, demokrat e socialiste, blerjen masive të votës të orkestruar nga Edi Rama me ndihmën e të pandehurve akoma të padënuar të dosjes 339 të Ergys Çyrbes dhe bandës së Jul Ballës, të Ilir Ndrazhit dhe bandës  së  Altin Hajrit dhe klanit kriminal Rrahja dhe klaneve të tjera kriminale në Durrës dhe po kështu anë e mbanë Shqipërisë. Jemi dëshmitarë, madje edhe mediat ndërkombëtare kanë publikuar sesi  keqpërdorën thesarin e shtetit, paratë tuaja duke i mbajtur në fije të perit për bukën e gojës dhe pastaj në çastin e fundit duke shpenzuar vetëm 5 ditë para zgjedhjeve  në kundërshtim flagrant me Kodin Zgjedhor, 89 herë më shumë para për të blerë votën e njerëzve të goditur dyfish nga varfëria dhe tërmeti dhe nga tradhëtia dhe braktisja e Edi Ramës.

Të gjithë jemi dëshmitarë sesi kërcënuan administratën publike sesi e përdorën atë, sesi punësuan në mënyrë të paligjshme dhe pastaj kanë filluar largimin nga puna, që nga Ardian Çela i OSHEE tek Benet Beci i KESH-it e Laert Duraj i Postës Shqiptare e dhjetëra e dhjetëra të tjerë dosjet e të cilave dergjen prej dy muajsh në SPAK dhe në Prokuroritë e vendit”, tha Basha.