Besimtarët ortodoksë kremtojnë festën e Pashkës, urojnë politikanët

Besimtarët ortodoksë kremtojnë sot festën e Pashkës së madhe.  Në mesazhin e tij, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos shprehet se në një botë të mbushur me urrejtje le të lutemi që të fuqizohet bashkimi dhe harmonia mes njerëzve dhe popujve.

“Në një botë që vuan nga armiqësi vdekjeprurëse, le të luftojmë kundër urrejtjes dhe varianteve të saj të shumta”, shprehet Janullatos duke uruar shëndet dhe shpresë në këtë periudhë të vështirë të pandemisë.

Politika shqiptare ka ndarë urime për Pashkët Ortodokse, duke dhënë mesazhe se kjo situatë e vështirë që vendi dhe gjithë bota po kalon pas një viti pandemik, duhet të na japë dritë dhe shpresë për të ardhmen.

Urime për besimtarët ortodoksë ka shprehur dhe presidenti i vendit, Ilir  Meta duke uruar “më shumë shëndet, paqe e begati”.

Urime për festën kanë shprehur edhe zyrtarë të tjerë të lartë të vendit si Kryeministri, Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Lideri i opozitës, Lulzim Basha në urimin e tij shprehet për “shpresë dhe besim se e mira do të mundë çdo sfidë, dhimbje dhe padrejtësi”.

Festa e Pashkës e ka zanafillën e saj në zemrën e historisë fetare dhe kombëtare të popullit judaik, ku një nga simbolikat kryesore është flijimi i qengjit.

Për besimtarët e krishterë, Pashkë është momenti i kalimit nga vdekja në jetë dhe ky moment lidhet me Jezu Krishtin.

Një tjetër simbolikë e festës janë vezët e kuqe. Një nga gojëdhënat tregon se kur Maria Magdalena, pas ngjalljes së Krishtit, vajti te Pilati t’i njoftonte ngjarjen, i dërgoi si dhuratë një shportë me vezë të bardha.

Përgjigja e tij ishte se “sa mund të bëheshin ato vezë të kuqe, aq mund të jetë ngjallur Krishti”, por sipas gojëdhënës për çudi, vezët u bënë menjëherë të kuqe.