Dokumenti/ Më 13 qershor PD zgjedh kreun e ri të saj

Partia Demokratike vendos të hapë garën për kreun e ri të saj dhe zhvillimin e votimit sipas parimit një anëtar një votë, në 13 Qershor. Vendimi, i marrë mbrëmjen e së dielës nga kryesia, afron me pak më shumë se një muaj, këtë proces, i cili sipas statutit do të duhej të zhvillohej në muajin korrik. Nga ana tjetër, hapja e kësaj gare, anashkalon kërkesat e zërave të ndryshëm brenda Partisë Demokratike, që i kërkuan zotit Basha largimin, pas humbjes së zgjedhjeve të 25 Prillit.

Kryetari aktual i cili ka ndërmarrë gjatë gjithë javës së fundit një tur në bazën e PD, edhe në mbledhjen e kryesisë i është përmbajtur linjës së zgjedhur prej tij se zjedhjet kanë qenë një “masakër elektorale”, duke hequr përgjegjësitë e tij për rezultatin. “Në këtë parti ka vend për të gjithë, ka vend për idetë e gjithsecilit mbi mënyrën se si duhet cuar përpara beteja me regjimin Rama-Doshi. Megjithatë, kam bindjen dhe ndjesinë e fortë se nuk mund të kemi vizione të ndryshme mbi 25 prilllin. Sepse nëse zgjedhjet e 25 prillit janë një episod që do të mbulohet nga turpi në historinë e pluralizimit, nëse e kemi të qartë se 25 prilli ishte masakra më e madhe zgjedhore në historinë e pluralizimit, atëherë nuk mund të pranojmë që gishti duhet drejtuar në këtë sallë, përpara se ta drejtojmë te kundërshtari që kemi përballë”, mësohet të ketë deklaruar zoti Basha në mbledhjen e kryesisë.

Por nga ana e tij, anëtari i Kryesisë Fatbardh Kadilli, i cili kërkoi që dy ditë pas zgjedhjeve, largimin e zotit Basha, dhe shpalli ambicien për të kandiduar për drejtimin e partisë, edhe në mbledhjen e sotme ka drejtuar direkt gishtin e përgjegjësisë ndaj kryetarit të Partisë. “Nuk dhe shpresë. Nuk ngjalle besim. Nuk bashkove flukset, profilet, kontributet, por ndave. Kanë dalë më shumë parti nga P-ja, në vitet që drejton ti, se në 20 vitet para teje. Drejtove çdo gjë vetëm dhe pa forume, pa përfshirë askënd” mësohet të jetë shprehur zoti Kadilli, duke kritikuar dhe turin e ndërmarrë nga zoti Basha. “Mos u fshih pas mbështetjes që kërkon lart e poshtë në Parti. Edhe Berisha kishte mbështetje absolute në parti, por kishte realizmin të ikte”, ka theksuar zoti Kadilli.

Ndërsa gjatë ndërhyrjes së tij, ai i është drejtuar gjithnjë zotit Basha, anëtari i Kryesisë Kadilli, mësohet të ketë thënë gjithashtu se “luftën politike e bëjmë me një koncept te ri, me qasje të re dhe me frymëzim të ri, me besueshmërinë, me vërtetësinë dhe me vendosmërinë si tipare që ty të kanë munguar”.

Në mbledhjen e kryesisë, përveç zotit Kadilli ka patur dhe disa zëra të tjerë që kanë kërkuar reflektim dhe që PD-ja të mos mjaftohet duke folur vetëm për një “masakër elektorale”, por dhe të ketë ndryshim dhe strategji të re. Ndërsa të tjerë kanë mbrojtur linjën e kryetarit.

Ndërsa në Këshillin Kombëtar, të thirrur menjëherë më pas, kritikat ndaj zotit Basha janë rishfaqur dhe nga drejtuesi i këtij forumi, ish presidenti Bujar Nishani, i cili po ashtu menjëherë pas zgjedhjeve ka kërkuar dorëheqjen e parevokueshme të kryetarit të Partisë. Duke pranuar se dhe sipas tij më 25 Prill ka patur një “masakër elektorale”, zoti Nishani u shpreh në Këshill se “kjo është vetëm gjysma e të vërtetës. Gjysma tjetër, po aq e hidhur, është dështimi ynë për të fituar, cka përbën pjesën tonë të përgjegjësisë”.

Sipas zotit Nishani “pasi nuk fituam dot këto zgjedhje, na duhet të reflektojmë fort, të ndryshojmë katërcipërisht, të reformohemi tërësisht, të ringrihemi fuqimisht, të rritemi masivisht e vetëm kështu do të jemi gati të fitojmë ! Ky është momenti! E vetmja alternativë është nisja e një projekti të ri politik”, u shpreh kryetari i Këshillit kombëtar të PD, i cili ripërsëriti kërkesën për largimin e zotit Basha. “Thirrja ime për këtë akti civil prej z. Basha është pikërisht si një shërbim që z, Basha ka për detyrim ti bëjë Partisë Demokratike”, theksoi ai.

Por zoti Basha, jo vetëm që nuk do të dorëhiqet, por do të kërkojë sërish rikonfirmimin në krye të PD-së. Përballë tij, i vetmi që ka shpallur ambicien për të kandiduar, është zoti Kadilli. Deri më 22 Maj, do të jetë periudha e paraqitjes së kërkesave për kandidim, dhe më pas një periudhë 18 ditore nga 24 Maji deri në 11 Qershor, për fushatë në të gjitha strukturat.

Ajo që bie në sy është koha e shkurtër e fushatës, aq më tepër që kryetari Basha, mund të quhet se e ka nisur tanimë atë, me turin që po zhvillon ku në thelb, mbetet argumenti i mbrojtur prej tij për zgjedhje të manipuluara. Nga ana e tij zoti Kadilli hodhi hije të qarta dyshimi mbi procesin, duke saktësuar megjithatë se ai do t’i shkojë deri në fund. “Sido që të jetë gara, sado e pabarabartë, sado jashtë standarteve të mundshme për të bërë një garë korrekte, jam i vendosur t’i qëndroj deri në fund projektit për një PD të pastër, të bashkuar, të hapur e fituese. Duhet t’i japim sot shpresë të gjithë shqiptarëve, se nesër do kemi një PD më të madhe se kryetari”, u shpreh zoti Kadilli.