Erdoğan i quan "terror" sulmet e Izraelit në Kuds/ Turqia do të jetë mbështetës i kauzës palestineze,

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, zhvilloi biseda telefonike të ndara me Presidentin e Palestinës, Mahmoud Abbas, dhe kreun e zyrës politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit të bërë nga Drejtoria e Komunikimeve e Presidencës së Turqisë, në bisedat telefonike janë diskutuar sulmet e Izraelit ndaj Mesxhid al-Aksasë dhe palestinezëve.

Gjatë telefonatave, Erdoğan i ka cilësuar si "terror" sulmet e Izraelit në Kuds dhe i ka dënuar në formën më të ashpër këto sulme të ulëta që lëndojnë ndjenjën jo vetëm të muslimanëve, por edhe të gjithë njerëzimit, si dhe persekutimin e ushtruar ndaj palestinezëve.

Ai theksoi se do të bëjnë gjithçka të mundur për të mobilizuar gjithë botën, përfshirë botën islame, për të ndaluar terrorin dhe pushtimin izraelit, duke thënë se Turqia do të vazhdojë gjithmonë të jetë mbështetës i kauzës palestineze, të qëndrojë pranë vëllezërve palestinezë dhe të mbrojë dinjitetin e Kudsit.