Erdoğan: Nuk do të tolerojmë mizorinë e Izraelit në Palestinë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, lidhur me sulmet e Izraelit është shprehur se "nuk do të tolerojmë mizorinë e Izraelit në Palestinë edhe sikur e gjithë bota ta injorojë atë", raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan mbajti një fjalim në programin përshëndetës me rastin e Bajramit me anëtarët e AK Partisë nga 81 qytete të vendit, që u mbajt nëpërmjet video konferencës.

Presidenti Erdoğan tha se për shkak të historisë së vjetër, qytetërimit dhe lidhjeve kulturore, Turqia është një vend i madh i cili mbart mbi të përgjegjësinë e një gjeografie të gjerë, duke shtuar se çdo ngjarje pozitive ose negative që përjetohet në këtë gjeografi të gjerë nga Azia e Mesme në Ballkan, nga Turkistani në Krime e nga Azia e Mesme në Afrikën e Veriut, ka të bëjë drejtpërdrejtë me ta.

"Problemi, hidhërimi dhe gëzimi i miqve dhe vëllezërve tanë janë edhe problem, hidhërim dhe gëzimi ynë. Kemi hyrë me hidhërim në këtë Bajram për shkak të sulmeve të cilat në territoret palestineze dhe kryesisht në Kuds janë intensifikuar goxha në ditët e fundit të muajit të Ramazanit. Ne jemi të trazuar, kemi probleme. Ne jemi të trishtuar dhe të zemëruar përballë mizorive të Izraelit, shtetit të terrorit, fuqia e të cilit është e mjaftueshme vetëm për fëmijët e pafajshëm, gratë e pashpresa dhe njerëzve të shtypur", tha ai.

Erdoğan theksoi se qëndrimi i Turqisë për këtë çështje është plotësisht parimor.

"Me të njëjtin entuziazëm që mbështetëm më parë luftën e Azerbajxhanit për të çliruar Malësinë e Karabakut dhe territoret e tij në okupim, me të njëjtën ndjenjë po veprojmë edhe sot përballë mizorisë që po përjetohet sot në Kuds dhe qytetet palestineze. Sot me të njëjtën vendosmëri ne kundërshtojmë duart që zgjaten mbi shenjtërinë e Xhamisë Al-Aksa, ashtu si nuk lejuam dje (më parë) përpjekjet për formimin e korridorit të terrorit përgjatë kufijve tanë me Sirinë. Ashtu si nuk lejuam ndarjen e Libisë vitin e kaluar, ashtu si nuk injoruam braktisjen e Somalisë në fatin e saj kur të gjithë i kthyen shpinën, ashtu sikur nuk miratuam aneksimin e Krimesë, ashtu sikur ngritëm zërin kundër brutalitetit të kryer më parë në Bosnje dhe Hercegovinë, edhe sot ne nuk do të tolerojmë mizorinë e Izraelit në Palestinë, edhe sikur e gjithë bota ta injorojë atë", ka deklaruar presidenti Erdoğan.

Ai rikujtoi se që nga fillimi i sulmeve të Izraelit kanë zhvilluar një diplomaci intensive si në nivelin e liderëve si dhe në praninë e organizatave ndërkombëtare.

Ai njoftoi se deri më tani ka kryer biseda telefonike me krerët e shteteve dhe qeverive të 19 vendeve ku edhe janë përshëndetur me rastin e Bajramit por edhe kanë ndarë shqetësimet lidhur me ngjarjet e shënuara në Kuds dhe qytetet e tjera palestineze.

"Shkurtimisht kemi zhvilluar një diplomaci, ku me bashkëbiseduesit tanë kemi ndarë ndjenja të ngjashme. Bashkë me këtë jemi të pikëlluar nga pa ndjeshmëria në përgjithësi e komunitetit ndërkombëtar. Ata që heshtin ose që mbrojnë hapur gjakderdhjen dhe mosrespektimet e kryera nga Izraeli, duhet ta dinë se një ditë do t'u vijë radha atyre. Nëse nuk ndalojmë sot agresivitetin që Izraeli shfaq në Palestinë dhe kryesisht në Kuds, nesër të gjithë do të jenë në objektivin e këtij mentaliteti të egër", theksoi Erdoğan.

"Ky shtet i terrorit i cili përpiqet të grabisë pa kriter një qytet si Kudsi i cili në strukturën e tij mbart vendet e shenjta edhe të muslimanëve edhe të krishterëve dhe të hebrenjve, tani i ka tejkaluar të gjithë kufijtë. Për këtë arsye theksojmë se Kudsi është e gjithë bota, dhe të gjithë muslimanët atje janë e gjithë njerëzia. Është detyrë nderi për të gjithë njerëzinë që të kundërshtojë agresivitetin e Izraelit në qytetet palestinez dhe Kuds", shtoi ai.

Ai njoftoi se gjakderdhja dhe dhimbjet e përjetuara përgjatë historisë në këto territore e kanë tërhequr të gjithë botën.

Duke theksuar se nuk dëshirojnë që bota të përjetojë të njëjtin makth edhe një herë në këtë periudhë kur mijëvjeçari i tretë sapo ka filluar, Erdoğan vlerësoi:

"Për këtë arsye, çdo shtet, çdo institucion pavarësisht cilit besim, prejardhje dhe sekti i përkasin, ne i ftojmë të gjithë që të veprojnë sa më shpejt të jetë e mundur. Është e nevojshme që Këshilli i Sigurimit të OKB-së të ndërmerr hapa që do të sigurojnë paqen dhe qetësinë në Kuds. Nëse Organizata për Bashkëpunimin Islam (OBI) nuk merr menjëherë një qëndrim konkret dhe efektiv, ajo do të mohojë ekzistencën e saj".

"Ne si Turqi jemi të gatshëm të marrim përgjegjësi për paqe dhe të mbështesim çdo iniciativë që do të fillohet në këtë drejtim nën strukturën e OKB-së. Edhe njëherë dua të nënvizoj se ajo çfarë duhet bërë, duhet të bëhet menjëherë. Në të kundërtën do të jetë e pashmangshme përballje me pasojat e tmerrshme që do të shfaqen. Me këto ndjenja uroj edhe njëherë Fitër Bajramin dhe përshëndes nga zemra çdo vëlla që përpiqet të shpëtojë nderin e të gjithë umetit dhe njerëzisë në Kuds dhe qytetet e Palestinës. Uroj që kryengritjet e tyre të jenë të bekuara. E lus Krijuesi që të na mundësojë të arrijmë bajrame ku ne nuk sprovohemi me pandemi dhe mizori", shtoi Erdoğan./AA