Fitër Bajrami/ Mijëra besimtarë myslimanë festojnë Bajramin në Sheshin Skënderbej

Mijëra besimtarë myslimanë falën sot namazin e Fitër Bajramit në sheshin “Skënderbej” në Tiranë dhe mijëra të tjerë në sheshet kryesore qyteteve të vendit.

Pas faljes së namazit të mëngjesit, imami i xhamisë së “Et’hem Beut”, Elton Karaj, këndoi pjesë nga Kurani dhe pas tij mbajti fjalë përshëndetëse Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu. Ky përcolli për të pranishmit urimet dhe përshëndetjet e kësaj dite gëzimi për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë.

“[…] Festa e Bajramit është festë gëzimi, për ata që agjëruan, është gëzimi i shpresës se kemi dalë nga ky muaj më të pastër nga sa hymë në të. Bajrami është gëzim në çdo vatër shqiptare, ju sot do të shkoni te njëri-tjetri për t’i uruar Bajramin, do të shtrini dorën e pajtimit nëse keni qenë të hidhëruar me dikë, kjo botë nuk duhet të ketë mërira, ajo nuk do t’i mbetet askujt. E pazakonta e pandemisë, falë Zotit, duket se po shkon, ne sivjet kaluam një ramazan normal, dhe po kalojmë një Bajram siç e shohim. Falënderimet i takojnë Zotit!” – tha Spahiu gjatë fjalës së tij.

Fitër Bajrami është festa që vjen si shpërblim për besimtarët myslimanë pas 30 ditësh agjërim gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.