Gjermania jep 50 milionë euro që transporti publik në Tiranë të jetë më i përballueshëm dhe më i gjelbër

Më 29 prill 2021 u nënshkrua marrëveshja ndërqeveritare për projektin “Transporti i Gjelbër i Tiranës”. Financimi për projektin u dha nga Qeveria Gjermane në maj 2019 dhe kredia e dhënë nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) kap shumën e 50 milionë eurove.

Marrëveshja ndërqeveritare i hap rrugën zbatimit të fazës fillestare të projektit “Transporti Ekologjik në Tiranë”, i cili ka si objektiv kryesor promovimin e një shërbimi transporti urban sa miqësor me mjedisin dhe klimën, aq edhe të besueshëm dhe përballueshëm për qytetarët në Tiranë, Në vitin 2019 Qeveria Gjermane, përmes KfW-së, ka dhënë një grant prej 1.7 milionë eurosh për një studim të thelluar fizibiliteti për një sistem të shpejtë autobusash në Tiranë, duke u përqendruar në problematikat teknike, financiare, sociale e mjedisore që hasen në tre korridorët kryesorë të kryeqytetit, përkatësisht linja lindje-perëndim nga Kinostudio në Kombinat, Unaza (unaza e tretë e Tiranës) dhe Tirana e Re (pjesa qendrore dhe perëndimore e qytetit).

Në Shqipëri, KfW-ja zbaton bashkëpunimin financiar dhe siguron grante dhe kredi të buta për investime kyçe në infrastrukturë dhe shërbime konsulence që lidhen me projekte të ndryshme. Bashkëpunimi Gjermano-Shqiptar filloi në vitin 1988. Që nga ai vit Qeveria Gjermane, përmes KfW-së, ka angazhuar një shumë totale prej 1.3 miliardë eurosh për sektorët kyç të furnizimit me ujë, menaxhimit të mbetjeve, energjisë dhe zhvillimit të qendrueshëm ekonomik, duke u bërë kështu donatori kryesor bilateral.

/argumentum.al