Hapja e Spitalit Memorial të Fierit/ Rama-Manastirliu: Duam të jetë qendër e transferimit të dijes

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, kanë inspektuar Spitalin Memorial të Fierit, i cili ka filluar të jetë në shërbim të qytetarëve të të gjithë Rajonit të Jugut.

“Prej disa ditësh Spitali Memorial i Fierit ka filluar funksionimin, pacientët e parë janë shtruar dhe ekipi i mjekëve dhe infermierëve turq dhe shqiptarë janë në simbiozë. Ky spital pritet të ketë mbi 12 mijë të shtruar në vit dhe rreth 2 mijë do të jenë ndërhyrjet krirugjikale të planifikuara”, tha Manastirliu.
Duke folur për zhvillimin e mëtejshëm të Spitalit Memorial, Manastirliu theksoi se do të implementohet edhe Platforma e Digjitalizimit.

“Tashmë kemi një plan se si do të shtrijmë gjithë platformën e digjitalizimit. Në fakt duam që të huazojmë eksperiencën turke sepse kanë një sistem shumë të kompletuar, ku edhe nëndrejtori tashmë na e ka prezantuar. Dhe besoj që do ta aplikojmë së shpejti. Por do të jetë me të vërtetë fantastike sepse bëhet gjithë organizimi i punëve në spital që nga hyrjet në sistem, tek farmaceutika, imazheria dhe të gjitha”, tha Manastirliu.
Kryeministri Edi Rama, ka vlerësuar stafin mjekësor të ardhur nga Turqia, duke u shprehur se ky spital do të shërbejë si një qendër e transferimit të dijes.

“Jam shumë mirënjohës për gjithë personelin turk që ka ardhur. Dhe dua që t’ju them që edhe në diskutimin që kam bërë me Presidentin qysh në fillim kjo nuk është çeshtje thjesht e një spitali, edhe një shërbimi më shumë që nuk diskutohet është shumë e rëndësishme, por është mbi të gjitha transferim i dijes. Edhe në një farë mënyrë misioni juaj është i dyfishtë, edhe për të shërbyer siç bëni zakonisht, por edhe për t’ju përcjellë kolegëve shqiptarë gjithë dijen dhe eksperiencën tuaj. Ne duam që ky spital të jetë si një qendër e transferimit të dijes edhe për spitalet e tjera edhe për personelin shëndetësor në spitalet e tjera”, deklaroi Kryeministri Rama.

Nga data 27 maj Spitali Memorial i Fierit ka hapur dyert për pacientët dhe deri tani janë 100 pacientë që kanë marrë shërbimet në këtë spital, 18 pacientë janë shtruar dhe janë realizuar 2 ndërhyrjet e para kirurgjiikale me sukses. Pacientët janë referuar raste nga qarku i Fierit, Vlorës dhe Gjirokastrës.

Spitali Rajonal Memorial i Fierit, i ndërtuar në një kohë rekord, investim i Republikës së Turqisë, do të ofrojë shërbime të nivelit terciar, për të gjithë Rajonin e Jugut. Me një kapacitet 150 shtretër, në këtë spital do të aplikohet për herë të parë modeli i autonomisë spitalore.

Spitali Memorial Rajonal Fier do të ofrojë shërbimin e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardio-vaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë dhe traumatologjisë, etj.