JO KËSHTU NË EUROPË!

EDITORIAL i ARGUMENTUM 

 Më 21 Maj, Komisioneri i Zgjerimit Verhaley dhe Ministri i Jashtëm portugez, Augusto Santos Silva ishin në Shkup dhe në Sofje, në tentativat e fundit mbi një kompromis të mundshëm për daljen nga ngërçi bullgaro-maqedonas e për çeljen e negociatave të antarësimit në BE. Me një propozim kompromis, pranimi i të cilit do të mundësonte që në takimin e ardhshëm të Këshillit të BE-së më 24/25 Qershor, të bëhej e mundur thirrja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, çka praktikisht i hapte rrugën nisjes së negociatave. Një objektiv ky ku dështoi Gjermania vitin e kaluar, duke ia lënë këtë «  peshqesh dhe bela » Presidencës portugeze që përfundon më  30 Qershor. Ky draft-propozim u pranua nga pala maqedonase, por jo nga Bullgaria,  mbasi sipas saj nuk premton zgjidhje për aspekte thelbësore sidomos të kaluarës së tyre historike. Me këtë rast, bashkëpuntorët tanë diplomatë dhe ekspertë të fushës pohojnë se draft - propozimi i 21 Majit mund të kishte patur më shumë shanse po të ishte  përqëndruar më shumë te procedurat se sa te proceset politike dhe diplomatike.

Ky dështim i ri por i pritshëm diplomatik e bën të pamundur  një vendim pozitiv  brenda dy javëve të ardhëshme që i paraprijnë Samitit të BE -së më 24 Qershor; me përjashtim të ndonjë mrekullie të çasteve të fundit, fushë kjo gjithsesi ku këto dy vende nuk shquhen.

Dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe, sepse dhe  demarshet e 15 muajve të fundit janë bërë më shumë «  për të larë gojën » pa frymë europiane, dhe kryesisht me qejmbetje dhe inate ballkanike!

E keqja këtu fillon  nga Bullgaria, e cila s’do që s’do të « lëshojë pe ». Qeveria teknike që drejton vendin deri në zhvillimin e  zgjedhjeve të reja të parakohshme më 11 Korrik e ndoshta më tej e ka shpallur se nuk do të tërhiqet nga «  istikami », nëse fqinja e saj nuk tundet nga « «  istikami » i pozicioneve dhe qëndrimeve të saj të njohura lidhur me gjuhën dhe historinë. Për pasojë, ka një «  tërheqje litari » por që askush nuk e di dhe për  sa kohë do të vazhdojë.

Për hir të së vërtetës, qëndrimi i qeverisë teknike bullgare në prag të zgjedhjeve të dyta brenda këtij viti është disi i kuptueshëm. Por nuk është i tillë  aspak qëndrimi i saj i ngurtë i mëparshëm, si vend antar i BE-së dhe i ardhur nga ish lindja komunist. Ca më tepër kur dihet se BE-ja «  hoqi picirin »  më 2007 për ta antarësuar Bullgarinë dhe  Rumaninë, pas një kompromisi të madh, me mendimin se do të futeshin në rrugë të drejtë, do të linin pas të kaluarën dhe të shihnin nga e ardhmja me mirëkuptim, dialog dhe frymë europiane.

Ndaj, ky ngërç nuk i falet në radhë të parë Bullgarisë, si vend më i madh, që ka 14 vite në BE dhe NATO; me më shumë hapësira dhe tradita demokratike por që tani nuk  dëgjon askënd. Po aq sa ka dhe kapacitete dhe kanale  më të mëdha diplomatike.

POR, nuk është pa faj e përgjegjësi as Maqedonia e Veriut. Edhe pse e ka pësuar «  si frëngu pulën » 25 vitet e kaluara për shkak të bllokimit nga Greqia ; ndonëse ka 16 vjet që «  po pret në radë » për çeljen e  negociatave. Mesazhi negativ që ajo me Bullgarinë i japin euroskeptikëve europianë është se «  ja, shihni, kur dy vende fqinj nuk zgjidhin dot një mesele dypalëshe, si mund të pretendojnë për më shumë në BE ? » Pastaj dhe Maqedonia nuk ka pak përvojë në arenën ndërkombëtare, ajo ka kryesuar procese dhe forume  të rëndësishme ndërkombëtare deri në OKB, së fundi drejtoi bashkë me Bullgarinë Procesin e Berlinit, gjatë të cilit ndodhi dhe krisja e madhe mes tyre. Ajo duhet të tregojë më shumë «  takat se sa inat » sepse në fund të fundit «  uthulla e fortë prish enën e vet » ! Në vend të qëndrimeve «  majë më majë » ose « hidh e prit »  ajo duhet të bëjë tërheqje taktike, të tregojë mirëkuptim, të shfaqë vullnet të mirë me veprime dhe diplomaci më krijuese dhe pa retorikë boshe! Më së fundi, politika maqedonase duhet ta kuptojë  se në lojë janë shumë përfitime politike, ekonomike,  imazhi,  për të cilat brezat e ardhshëm nuk do t’ia falin!

Por ka dhe një palë të tretë më të rëndësishme - BE-ja me pjesën e vet të përgjegjësisë për këtë ngërç absurd. Në një kohë kur prej saj kërkohet të ndërhyjë në qendra krizash dhe konfliktesh të rënda politike dhe ushtarake, ajo «  mbytet me një pikë ujë » në Sofje dhe Shkup. Ku është diplomacia dhe politika e  saj e jashtme e përbashkët ? Si ka mundësi që Merkel dhe Macron «  kanë dalë jashtë loje » atje ? Përse BE-ja, ky gjigand ekonomik vazhdon të tregohet «  xhuxhmaxhuxh » politik dhe me këto dy vende të vogla në Ballkan ?

Ndaj, lind natyrshëm pyetja: a mos i duken si luks i tepërt negociatat dhe zgjerimi institucioneve dhe vendeve antare të BE-së? Ndonëse dihet tashmë  lodhja dhe alergjia ndaj zgjerimit, ndoshta ato po presin dhe rezultatet e Konferencës për të ardhmen e Europës. Por problemi është se nuk po kërkon njeri antarësim as sot as mot, por çeljen e negociatave, për të cilat dhe vetë Bullgaria ka dhënë PO-në politike !!

Pastaj, çkuptim ka që nga njera anë të çirremi dhe bërtasim për «  gogolin » rus dhe kinez, por nga ana tjetër tregohemi aq neglizhentë  sa nuk dalim dot nga ky ngërç absurd! Aq më tepër, kur si BE-ja dhe  Bullgaria kanë  në dorë «  gurin dhe arrën » dmth ato mund t’i bllokojnë kur të duan negociatat kur të kenë nisur, nëse Maqedonia e Veriut dhe kushdo tjetër nuk respekton parimet dhe kushtet përkatëse!

Shkurt hesapi, ngërçi bullgaro-maqedonas nuk do të gjejë dot zgjidhje, pa vullnetin dhe predispozicionin pozitiv të tria palëve të lartpërmendura dhe veçanërisht nga BE-ja.

Kësisoj, thirja që me zë të lartë në Bruksel, Berlin, Paris, Romë, Hagë ose në të 27 metropolet e BE-së është «  Boll më kështu  me Europën Ballkanike » siç po na quajnë! Sa më shpejt të ndryshohet marshi, toni dhe mentaliteti ! Ndryshe, siç i thonë  « ku ishim, hiç gjëkundi » !

 /Argumentum.al

© Argumentum