“Karton i Zi”! Darkë dhe muhabet! C-5 apo BE - 27? Arktiku dhe Euro-Atlantiku! Primare Realpolitika! Brukseli pro&kundra Bjellorusisë!

Realpolitik “ flash” Nr. 33  

 18 - 31 MAJ 2021

 EKSKLUZIVISHT te ARGUMENTUM, pikat mbi “ i” për 6  ngjarjet kryesore vetëm me 1000 fjalë nga diplomati dhe analisti i njohur Dr. Jorgji KOTE

 ***

1.“Karton i Zi” është termi më i butë për shpalljen  “ non grata” në SHBA të ish Presidentit/Kryeministrit  Berisha me familjarët. Këtë “ bombë atomike “ në politikën shqiptare e hodhi vetë zoti Blinken; edhe pse “ paudhësitë”  Berisha i ka bërë me dijeninë  e SHBA-ve dhe të Perëndimit, “ karton i zi” është i drejtë, edhe pse tejet i vonuar. Tani pritet që kjo praktikë denoncuese demokratike të vazhdojë, veçse në kohë e jo si “ kofini pas të vjelit” Plus, pse jo, me një analizë të qëndrimeve në 3 dekadat e fundit të kryediplomatëve të plotfuqishëm amerikanë në Tiranë dhe Uashington; ndonëse kanë parë e dëgjuar shumë për “bëmat” e Berishës, disa prej tyre i  anashkalonin madje dhe me superlativa si “ burrë shteti” derisa “ nuk mbante më ujë pilafi”.  Kryesorja, këto “ kartona të zinj” ndaj të këqiave të  të “mëdhenjve“ tanë, me ndihmën e aleatëve, duhet të jepen kryesisht  brenda vendit. Ndryshe,  ato  humbasin  jehonën dhe efektivitetin e tyre.                         

2. Darkë dhe muhabet ishte praktikisht Takimi Informal i 6 liderëve të Ballkanit Perendimor më 18 Maj në Bruksel me ftesën e Josep Borrell, Shef i Politikës së Jashtme të BE-së. Miqësore dhe pa protokoll, me delikatesat e  shijshme të Brukselit. Asgjë tjetër për t’u shënuar. Jo se nuk ka, përkundrazi, madje shpërthyese, por mjedisi i tanishëm nuk premtonte asgjë më tepër se “ ha dhe fol” Madje atë darkë nuk mund të quash as “nxemje”, siç e pati ideuar Mogherini, por takim post - Covid, njohje me “ menunë” politike djegëse dhe  aperitiv i këndshëm.

3. C-5 apo B-27? Më 22 Maj, Ministrat e Jashtëm të  C-5 ( Austri, Çeki, Sllovaki, Hungari dhe Slloveni) ishin në Tiranë dhe Shkup, ku shprehën mbështetjen për çeljen në Qershor të negociatave të antarësimit në BE. Problemi është se duke parë lajme të tilla pozitive të shpeshta nga shumica e vendeve, plus Ministrin gjerman të Europës M. Roth që më 27 Maj ishte në Tiranë, të krijohet ideja e gabuar se negociatat tashmë janë thjesht formalitet. Mirëpo BE-ja ka 27 vende antare; ndaj asgjë nuk është e sigurt, sepse fjalën e fundit  e ka Këshilli, dmth  të 27 vendet antare; sidomos Franca, Holanda dhe Danimarka deri tani skeptike, të cilat ende heshtin! Ndërkohë, gjithçka është pezull pas bllokimit bullgar të Maqedonisë që prek dhe vendin tonë. Ja pse, emisarët e BE-së  bëjnë mirë që të shkojnë në Sofje, Hagë, Paris dhe Kopenhagen, pastaj në Shkup dhe Tiranë. Le të shpresojmë për një mrekulli nga Sofja deri më 24 Qershor, kur është Samiti i BE-së. Ndryshe do na duhet të presim Tetorin.

4. Euro-Atlantiku dhe Arktiku! Më 19 Maj u takuan në Reikjavik ministrat e jashtëm të Këshillit të Arktikut. Ai përfshin 5 vendet nordike, Rusinë, SHBA-të dhe Kanadanë. Ky Këshill synon mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit, burimeve të shumta natyrore dhe peshkimit në Arktik. Tërhoqi vëmendjen takimi Blinken - Lavrov, me tone pajtuese dhe premtuese për të ardhmen e bashkëpunimit jetik SHBA- Rusi. Ata ranë dakord dhe për Samitin Putin - Biden më 16 Qershor në Gjenevë. Kjo “ ulje gjakrash” erdhi pas klimës tejet të ndezur politike ndërmjet tyre, kur gjërat janë “ majë më majë” Megjithë divergjencat e shumta e të mëdha, sërish të dy këto fuqi të mëdha janë “ të dënuara” të bashkëpunojnë në disa fusha madhore jetike. Arktiku e konfirmon qartë këtë domosdoshmëri. Kështu, më 2014 vendet nordike u larguan nga tryeza e thirur atje nga Moska, në shenjë proteste ndaj aneksimit të Krimesë. Por pas disa vitesh ato u bashkuan sërish, sepse e panë që nuk mund t’i jepnin  “ dum” punëve pa Rusinë tejet aktive, të pranishme dhe ushtarakisht  në Arktik.

5. Primare Realpolitika! Më në fund, SHBA-të hoqën dorë nga sanksionet lidhur me ndërtimin e gazsjellësit Nord Stream II që do lidh Rusinë me Gjermaninë nëpërmjet Ukrainës. Kësisoj, përpara turit të tij të parë në Europë në Qershor, Presidenti Biden shoi një “sherr” të madh  brenda Aleancës Transatlantike. Logjik një vendim i tillë dhe për faktin se kanë mbetur kilometrat e fundit të  gazsjellësit 1200 km të gjatë; ndaj, siç  pohon Presidenti Biden do të ishte kundraproduktive ta ndaloje. Pastaj, Nord Stream II do të jetë urë lidhëse, e vetmja që ka mbetur me Rusinë. Gjithashtu, qeveria gjermane i ka akomoduar rezervat ndaj saj, duke shmangur bllokimin e mundshëm të Ukrainës. Ajo ka krijuar mundësi tregtare dhe për firmat amerikane të gazit në Europë. Dihen tashmë qëndrimet e Rusisë muajt e fundit që shërbyen si shkak për sanksionet e mundshme. Mirëpo, megjithë rëndësinë e madhe të diplomacisë etike në mbrojtje të vlerave dhe parimeve demokratike, ajo nuk mund t’i kundërvihet Realpolitikës, dmth interesave strategjike. Pastaj, askush nuk jep garanci se pas ndërprerjes së gazsjellësit në fjalë, Rusia nuk do të përshkallëzonte veprimet e saj, duke e shfrytëzuar si sebep bllokimin e Nord Stream II. Ndaj  vendimi amerikan është i drejtë dhe i mirëpritur, pavarësisht nga kritikat e pajustifikuara brenda dhe jashtë SHBA-ve.

6. Brukseli pro&kundër Bjellorusisë Kështu u pozicionua BE-ja në Samitin e 24 - 25 Maj në Bruksel pas  uljes  me forcë të një avioni të Ryanair në Minsk dhe arrestimit të dy kundërshtarëve të rregjimit. BE-ja bëri shumë mirë me sanksionet që vendosi ndaj rregjimit me bllokimin e hapësirës së saj ajrore për avionët bjellorusë. Pas “ anemisë”  lidhur me protestat masive Gushtin e kaluar në Bjellorusi, ky rast tregoi dhe më  qartë  mungesën e një strategjie tërësore të BE-së ndaj Bjellorusisë në  30 vitet e fundit. Për pasojë, ajo ndihet e pafuqishme përballë diktatorit Lukashenko dhe Rusisë; siç tregoi dhe takimi i tij me Presidentin Putin në Soçi më 27 Maj, Rusia e konsideron atë “ sferën e saj të influencës” BE-ja e ka kuptuar me shumë vonesë këtë gabim gjeopolitik dhe vetëm këto ditë Komisioni Europian njoftoi për një projekt masash dhe fondesh prej 3 Miliard Euro, në mbështetje të  një Bjellorusie demokratike. Por, sipas disa ekspertëve, prapë kjo është shumë pak; veç të tjerash,  BE-ja duhet të hapë dhe tregjet e punës për Bjellorusinë. Kështu dhe trysnia nga brenda ndaj rregjimit do të jetë më e efektshme. Sepse blokimi i udhëtimeve nga Minsku ndëshkon më së shumti njerëzit e thjeshtë që duan të lidhen me Europën. Ndaj, bashkë me SHBA-të po mendojnë seriozisht. Më mire vonë se kurrë!

/argumentum.al

© Argumentum