KQZ certifikon zgjedhjet. Celibashi miraton rezultatet në 11 qarqe.

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve është mbledhur sot në orën 17:00 ku ka certifikuar zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, rrjedhimisht duke certifikuar fitoren e Partisë Socialiste që mori 74 mandate.

Gjatë mbledhjes u paraqitën tabela për rezultatin e votimit në 11 qarqet e vendit, për subjektet zgjedhore dhe për kandidatët për deputetë për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 prill 2021.

Për qarkun e Kukësit, rezultatet u certifikuan që më datë 1 maj. Duke mos pasur ankesa nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste përmes përfaqësuesve në KQZ, rezultatet u certifikuan.

Në tabela nuk rezultoi të kishte asnjë mospërputhshmëri apo problematikë në shifra. Konkretisht u miratuan rezultatet e zgjedhjeve për Tiranën, Durrësin, Fierin, Beratin, Elbasanin, Shkodrën, Dibrën, Lezhën, Vlorën, Korçën dhe Gjirokastrën.

Nga sot, secila parti ka 5 ditë afat të bëjë ankimim zyrtar në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) nëse kanë pretendime për rezultatin, apo kërkesa për rinumërim. Vetëm pasi KAS të shqyrtojë të gjitha ankesat dhe të dalin vendimet nga Kolegji Zgjedhor, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi do të shpërndajë mandatet me emrat e deputetëve të rinj.

I pranishëm në mbledhje ka qenë edhe kandidati i pavarur Boiken Abazi, i cili shtroi problematikat e tij.

Sipas Abazit, disa KZAZ nuk i kanë vënë në dispozicion pamjet filmike për të verifikuar procedurën e numërimit të votave dhe jo vetëm. Ishte vetë Abazi që kërkoi të kishte pamjet filmike, por disa KZAZ i kanë thënë se në disa qendra nuk ka pasur pamje.

“Nuk më dhanë pamjet filmike për të kontrolluar procedurën. Disa KZAZ janë shprehur se nuk kanë pamje filmike”, ka thënë Abazi.

Celibashi e ka ftuar Abazin të depozitojë ankesën zyrtarisht. Përsa u përket ankesave të depozituara për njësinë nr.10 ku u votua elektronikisht, tha se subjektet politike janë lajmeruar në orën 08:00 të mëngjesit të datës 26 Prill mbi rezultatin e zgjedhjeve, por të dhënat nuk ishin hedhur online për çështje teknike.

“Rezultati i shpallur në orën 8 të datës 26, e kanë marrë përgjigjen në këtë zonë zgjedhore menjëherë, në zonën zgjedhore numër 40. Të dhënat janë hedhur me vonesë prandaj nuk janë përputhur, ndaj dhe të dhënat e tabelave qoftë për subjektet dhe kandidatët janë hedhur në mënyrë manuale ndaj ka pasur dhe gabime. Nuk ka për shqetësime në këtë zonë pasi përgjigja është marrë në orën 8 e mëngjesit, nuk vjedh KQZ vota”, tha Celibashi.