Kreu i SPAK, Kraja raporton në KLP: Grupi i parë i punës në BKH nis punën në gusht

Arben Kraja, kreu i SPAK së bashku me Altin Dumanin, zv. drejtor të Prokurorisë së Posaçme dhe  Klodian Brahon, prokuror në Prokurorinë e Posaçme prezantuan në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, raportin e SPAK për vitin 2020.

Në këtë seancë dëgjimore, Kraja u shpreh optimist se 28 hetuesit e parë të Byrosë Kombëtare të Hetimit do të nisin punë në muajin gusht, teksa theksoi gjithashtu se shpresonte që të plotësoheshin sa më shpejt me 20 prokurorë.

Bashkëpunimi me Policinë e Shtetit ka qenë i shkëlqyer, pohoi kreu i SPAK ndërkohë që përmendi dhe bashkëpunimin e ngushtë me shërbimet informative apo agjenci të tjera si Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Eurojust është institucioni të cilit i është besuar forcimi i luftës kundër krimeve të rënda brenda Bashkimit Europian në fushën e zbatimit të ligjit dhe sipas Krajës janë 6-7 skuadra të përbashkëta hetimore që janë ngritur nga bashkëpunimi me Eurojust.

Kreu i SPAK bëri me dije se së shpejti do të jetë në funksion edhe një laborator për eksperimentimet digjitale.

Gjatë raportimit u tha gjithashtu se aktualisht po vijohej puna për të pasur akses në sistemet e të dhënave në Republikën e Shqipërisë.

Nga ky raportim u bë me dije se ndryshe nga çdo vit më parë, vjet janë çuar në gjyq për pastrim të produkteve penale shtatë persona. Viti 2020 shënoi gjithashtu, 700 persona në hetim, 493 persona me vendim përgjimi me kërkesë të prokurorisë dhe mbi 1000 persona objekt përgjimi.

Nga Operacioni Forca e Ligjit (OFL), Kraja deklaroi se kanë marrë mbi 250 referime nga Policia e Shtetit.

Ndërkaq, sipas raportimit të tij për vitin 2020, një sfidë ka qenë dhe aplikimi për herë të parë i regjimit 41-bis.

Në fund të këtij raportimi, kreu i SPAK, Arben Kraja theksoi se synimi kryesor i tyre është mbledhja e sa më shumë provave për të arritur të fajtorët dhe jo të krijuarit zhurmë për të marrë si rezultat dështimin.