Kuvendi miraton ngritjen e komisionit hetimor ndaj Presidentit Meta/ Reagon presidenca: Nuk do të njohim asnjë vendim antikushtetues të Kuvendit

Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot projektvendimin për ngritjen e komisionit hetimor bazuar në kërkesën e një grupi deputetësh për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës.

Me 98 vota “pro” dhe 5 “kundër” Kuvendi votoi sot miratimin e komisionit hetimor për shqyrtimin e shkeljeve të bëra nga Presidenti Ilir Meta gjatë periudhës zgjedhore.

Kjo eshte herë të dytë qe  ky parlamente inicion nje komision hetimor per  shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta. Raporti i 'Ligjeve' për ngritjen e Komisionit Hetimor që do të shqyrtojë kërkesën e 49 deputetëve të mazhorancës është miratuar me votën pro të 98 deputetëve. Kuvendi miratoi gjithashtu edhe përbërjen e Komisionit Hetimor, me kryetar Alket Hysenin dhe nënkryetar Myslim Murrizin. Kuvendi miratoi me 97 vota pro gjithashtu edhe përbërjen e Komisionit Hetimor, me kryetar Alket Hysenin, nënkryetar Myslim Murrizin, sekretare Klotilda Bushka dhe 6 anëtarë të tjerë.

Ditën e djeshme Komisioni i Ligjeve miratoi kërkesën e deputetëve duke i hapur rrugë ngritjes së komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit.

Në argumentat e paraqitura, deputetët firmëtarë bazohen edhe në paralajmërimin e Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë datë 13.06.2019 sipas së cilës, ndër të tjera, “Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë dhe rivendosë institucionin e Presidentit brenda kufijve të kompetencave të parashikuara në Kushtetutë dhe të parandalojë ndërmarrjen e veprimeve të tjera që janë në shkelje flagrante të Kushtetutës”.

Kuvendi nisi seancën në orën 10:00 ku si fillim vijuan të rivotohen disa ligje të kthyera për rishqyrtim nga Presidenti.

Kryetar i komisionit pritet të jetë Alket Hyseni, ndërsa nënkryetar Myslim Murrizi.

Sekretare do të jetë Klotilda Bushka, ndërsa anëtarë: Vasilika Hysi, Elena Xhina, Spartak Braho, Halil Jakimi, Nikolin Staka dhe Arlind Çarçani.

Si zëvendësues janë propozuar emrat e Ermonela Felajt, Xhemal Qefalisë dhe Eugen Bojaxhi.

Seanca e sotme u shoqërua me fjalime shumë të forta për çështjen e shkarkimit të Presidentit Meta. Për kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kjo nismë është një detyrim moral dhe kushtetues për mazhorancën. Balla tha se me këtë nismë synohet t'i hiqet turp i madh Shqipërisë me këtë President. Duke nënvizuar se kurrë institucioni i Presidentit nuk është përdhunuar në mënyrë kaq banale së Meta, Balla kishte edhe një thirrje që shkon edhe për Lulzim Bashën. "Tashmë PD ka në këtë sallë deputetët që garuan në listat e saj më 25 prill. Do ishte në nderin e tyre të na bashkoheshin në këtë nismë", tha Balla.

Pasi Kuvendi i hapi rrugë ngritjes së Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta presidenca deklaron se nuk do të njohë asnjë vendim. Në një deklaratë për mediat, këshilltari për Mediat dhe zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi , u shpreh sot në një deklaratë për shtyp se Presidenti nuk do të njohë asnjë vendim apo veprimtari të Kuvendit, të cilin ai e konsideron “kukull” dhe “në shkelje të Kushtetutës“ pasi është “njëpartiak”.

Blushi kundërpërgjigjet ashpër: Qen rruge i UDB-së!

“Çdo produkt i një procesi fiktiv dhe antiligjor parlamentar, që bie ndesh me parimet dhe vlerat e shoqërisë sonë demokratike nuk meriton  vëmendje dhe është nul,” – u shpreh Blushi teksa e cilësoi shumicën socialiste “regjim kleptokratik”.

“Askush nuk mund të fshihet dot, as pas “etikës” dhe as pas “retorikës”, sepse kjo është një çështje sovraniteti. Presidenti Meta e di shumë mirë se çfarë ka ndodhur dhe është shumë i qartë në planin e Tij për atë që do të ndodhë në vijim,” – vijoi zëdhënësi i Presidentit duke theksuar se Meta do ta ushtrojë detyrën e tij deri më 24 korrik 2022.

Reagimi i plotë  i Këshilltarit për Mediat dhe Zëdhënësit të Presidentit të Republikës, z.Tedi Blushi

Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta shpreh keqardhjen e thellë, që Kuvendi njëpartiak e refuzoi mundësinë që ju dha prej Tij për t’u kthyer në shinat e Kushtetutës dhe të Ligjit.

Në këto kushte, bëjmë me dije se Institucioni i Presidentit të Republikës nuk do të njohë asnjë vendim apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit njëpartiak në detyrë, si  dhe vendimet e çdo institucioni tjetër kukull të këtij regjimi kleptokratik.

Çdo produkt i një procesi fiktiv dhe antiligjor parlamentar, që bie ndesh me parimet dhe vlerat e shoqërisë sonë demokratike nuk meriton  vëmendje dhe është nul.

Askush nuk mund të fshihet dot, as pas “etikës” dhe as pas “retorikës”, sepse kjo është një çështje SOVRANITETI.

Presidenti Meta e di shumë mirë se çfarë ka ndodhur dhe është shumë i qartë në planin e Tij për atë që do të ndodhë në vijim.

Garantojmë të gjithë qytetarët, se në respekt të betimit të tij me dorën mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Presidenti Meta do të ushtrojë me përgjegjësi të plotë, sikundër ka vepruar derimë tani, të gjitha funksionet e Tij kushtetuese deri më 24 korrik 2022 dhe nuk do të tolerojë asnjë lloj intimidimi të Institucionit të Presidentit nga mafia lokale, rajonale dhe ndërkombëtare.

/argumentum.al