Lindja e Afërt: Partnerët e mashtruar të Izraelit

Tensionet e dhunshme këto ditë në Jeruzalemin lindor po e rëndojnë marrëdhënien e Izraelit me botën arabe. Cilat mund të jenë pasojat për Izraelin?

Në Teheran dhe Ankara këto ditë me siguri që i bien supeve njëri-tjetrit. Përleshjet në rrugë në Jeruzalemin lindor që nga e hëna (10.05) në mbrëmje, të cilat u shkallëzuan edhe në një përballje ushtarake mes Izraelit dhe Hamasit që sundon në Rripin e Gazës çojnë ujë në mullirin e propagandistëve në postet më të larta në këto dy vende. Kur në gushtin e vitit të kaluar Emiratet e Bashkuara Arabe të parat, më pas Bahrejni, Maroku dhe Sudani nënshkruan me Izraelin marrëveshje të normalizimit të marrëdhënieve, si presidenti turk Erdogan edhe kreu shpirtëror i Iranit, Ajatollah Khomeini u shprehën ashpër. Në një kohë që shumë liderë të botës arabe më shumë heshtën apo nuk u shprehën hapur kundër marrëveshjeve të nxitura edhe nga presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump, krerët e shtetit të Turqisë dhe Iranit i quajnë këto marrëveshje si tradhti ndaj botës islame.

Edhe tani në kuadër të tensioneve që kanë shpërthyer në Jeruzalemin lindor së fundmi, ata janë shprehur sërish. Khomenei e quajti çdo lloj normalizimi të marrëdhënieve me Izraelin si "goditje me thikë ndaj Palestinës", kurse zëdhënësi i presidentit, Erdogan, Ibrahim Kalib bëri fjalë në twitter për një "agresion që nuk merr kurrë fund". Këto janë deklarata, me të cilat në kuadër të krizës aktuale mund të mbledhësh pikë kudo në botën arabe.

Bahrain Manama | Zeremonie Abkommen Diplomatische Beziehungen Israel VAENënshkrim i marrëveshjes për marrëdhënie diplomatike Izrael- Bahrejn, ministri i Jashtëm i Bahrejnit Abdullatif bin Rashid al Zayani dhe këshilltari izraelit për sigurinë, Meir Ben-Shabat, 18 tetor 2020

Turqia dhe Irani duan të fitojnë kapital politik

Sipas politologes, Cinzia Bianco në Këshillin Europian për Politikën e Jashtme me Vendet e Gjirit, këto reagime kanë treguar se "si Turqia edhe Irani nga zhvillimet në Palestinë duan të fitojnë kapital politik dhe të sulmojnë rivalët e tyre rajonalë, që lidhen me Izraelin." Kjo i shërben një objektivi tjetër. Si Turqia edhe Irani përpiqen të forcojnë vendet e tyre si fuqi rajonale në Lindjen e Afërt. Në këtë kontekst ata përdorin edhe një rrethanë tjetër. Shteti më i rëndësishëm sunit në botën arabe, Arabia Saudite i ka përmirësuar, jo hapur, por vazhdimisht marrëdhëniet me Izraelin. Me këtë Riadi u hap rrugën atyre që vijnë nga drejtimi i kundërt, pra që të forcohen vendet që janë kundërshtarë apo armiq të Izraelit.

Situata bëhet më e vështirë për vendet si Emiratet e Bashkuara Arabe dhe shtete të tjera që pas dekadash të marrëdhënieve të ngrira në armiqësi ndaj Izraelit po zgjedhin rrugën e një perspektive paqësore me këtë vend dhe që në fund nuk duan të përfitojnë vetëm ekonomikisht.

Ish-ministrja e Shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane, tani studiuese në Shoqatën Gjermane për Politikën e Jashtme, Kerstin Müller thotë në këto hapa diplomatikë, konflikti në Lindjen e Afërt ka luajtur një rol jo të drejtpërdrejtë. "Aty bëhej fjalë për tema të tjera, si për shembull për marrëdhëniet ekonomike dhe një aleancë të përbashkët kundër Iranit. Me konfliktin izraelito-palestinez kjo marrëveshje nuk kishte të bënte shumë."

Por për shkak se marrëdhëniet e rejanë disa pjesë të popullsisë nuk tingëllonin mirë, krerët e këtyre shteteve që nënshkruan marrëveshjen e justifikuan firmën e tyre zyrtarisht me shpresën e çtensionimit të konfliktit në Lindjen e Afërt. Kështu princi trashëgimtar i Abu Dhabit, Mohamed bin Said Al Nahjan në kuadër të nënshkrimit të marrëveshjes vitin e kaluar u shpreh, se ai ka zhvilluar një telefonatë me presidentin Trump dhe kryeministrin izraelit, Netanjahu dhe me gjasë kishin rënë dakord që të ndalej aneksimi izraelit i territoreve palestineze.

Tel Aviv | Erste Delegation der VAE landet in ISraelAvioni i Emirateve të Bashkuara Arabe me delegacionin e parë nga Emiratet zbret në Aeroportin e Tel Avivit, 20 tetor 2020

Dita e Jeruzalemit, të hënën (10.05), dita kur çdo vit Izraeli feston pushtimin e Jeruzalemit lindor në luftën gjashtëditore në vitin 1967, ishte një shkas për ashpërsim tjetër të situatës. Sipas Kerstin Müller problemi është themelor. "Organizata radikale të ngulimeve e përdorin këtë ditë me marshime proteste përmes lagjeve arabe të Jeruzalemit lindor për provokime të qëllimshme. Këtë herë situata u shkallëzua dhe kjo ka potencialin e një shpërthimi të gjerë të konfliktit."

Partnerët e rinj nën presion

Në kryeqytetet e vendeve të reja partnere të Izraelit nga bota arabe duhet të dihet, se çfarë pasojash ka ky tensionim i ri para një mbështetje të gjerë propalestineze në këto vende, dhe sa nën presion ndodhen ato tani për shkak të marrëdhënieve me Izraelin. Me shqetësim duhet të ndiqen aty jo vetëm postimet e shumta antiizraelite në mediat sociale në këto vende, por edhe komentet në mediat e mëdha që i drejtohen të gjithë botës arabe.

Kështu gazeta panarabe "Al araby al-jadeed" ka shkruar se të gjitha iluzionet u shuan. Kjo gazetë i quan jo drejtpërdrejt tradhtarë të gjithë ata "që e ngrenë si detyrim normalizimin e marrëdhënieve me armikun". Në fundjavë reagimet ishin të menjëhershme. Ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe e dënoi "qartësisht" mësymjen e xhamisë Al-Aksa nga forcat izraelite të sigurisë dhe e quajti qëndrimin izraelit si "represion". Edhe nga Maroku u shpreh "shqetësim i thellë" për dhunën.

A do të ketë pasoja?

Qeveria izraelite duhet tani të përpiqet të qetësojë situatën në Jeruzalemin lindor, është e mendimit ekspertja Kerstin Müller. Nëse tensionet vazhdojnë do të cënohen edhe interesat e vetë Izraelit. "Këtu përfshihen edhe përpjekjet për normalizim me botën arabe."

Por a do të ketë pasoja ky tensionim aktual? Politologja Cinzia Bianco thotë se interesat e Emirateve të Bashkuara me Izraelin janë më shumë strategjike se taktike. "Kjo do të thotë që nuk ka gjasa, që procesi i normalizimit të kthehet mbrapsht." Por sipas Biancos ka shumë gjasa që projektet aktuale të përbashkëta të bllokohen për sa kohë që situata është e tensionuar. "Emiratet e Bashkuara Arabe janë të vëmendshme kundrejt atmosferës që ekziston në rrugët arabe. Por ato nuk lejojnë që ato të diktojnë politikën e tyre rajonale."/DW