Lukashenko – Tito europianolindor

Dragan Bisenić, [i]

Bjellorusia është përsëri lajm kryesor: Aleksandër Llukashenko përsëri bëri atë që (nuk) pritej prej tij. Vitin e kaluar nuk dha dorëheqjen pas fillimit të protestave për manipulime të zgjedhjeve presidenciale, e kur dukej se tashmë e kaloi edhe atë shkëmb në mandatin e tij të dytë presidencial 28 vjet të gjatë, kur ja, sapo erdhi një sfidë e re- aterrimi i avionit të Rajaner-it dhe arrestimi në Minsk i shtetasit bjellorus Roman Protaseviç, koordinator i protestave të vitit të kaluar, i cili ishte larguar nga Bjellorusia në muajin nëntor të vitit 2020. Për këtë akt Llukashenkoja u akuzua për terrorizëm shtetëror, ndërsa BE-ja kërkoi pezullimin  e hapësirës ajrore bjelloruse.

Është informuar se në takimin mes Bajdenit dhe Putinit do të flitet edhe për Rusinë. Llukashenko u tha atyre me ironi se është qesharake të ulen e të bisedojnë në Zvicër për Bjellorusinë, duke i ftuar në Minsk për një bisedë të hapur.

Deri edhe ministria e e punëve të jashtme të Kinës komentoi se e ka ndjekur me vëmendje lajmin, por për të rrethanat e incidentit nuk janë të qarta dhe bëri thirrje për vetëpërmbajtje dhe evitimin e përshkallëzimit.

Mënyra sesi e realizoi Bjellorusia tërë këtë aksion, nuk i pëlqeu aspak edhe Vladimir Zhirinovskit, liderit rus shpesh jodelikat të Partisë liberal-demokratike, i cili, gjithsesi këtë herë përdori një qëndrim të butë. “Nëse iu dashka ky shoku Protaseviç, çfarë na qënka këtu e vështirë ta vidhje?.. Në Athinë, Vilnjus, qetësisht, pa zhurmë, ta paketoje e ta sillje. Por të detyrosh uljen e tërë avionit kjo shkakton zemërimin e njerëzve... Ai nuk është ndonjëfarë spiuni me rëndësi, por një djalosh huligan”, tha Zhirinovski.

Të tjerët e kanë të qartë se shërbimet e fshehta të shumë vendeve herë pas here detyrojnë të ulen avionët në mënyrë që të arrestojnë persona që kanë interes për ta- këtë e dinë mirë jo vetëm amerikanët, por edhe Izraeli, Turqia, Irani...

Atyre që thonë se Llukashenkoja e ka bërë këtë më mënyrë jo të civilizuar dhe të ashpër, u përgjigjen se edhe situata e tij, thënë me të butë është e pazakontë: kundërshtarët vërtetë duan ta eleminojnë me çdo kusht.

Muaji maj ishte tejet i tensionuar për presidentin  bjellorus. Qëkur Rusia lajmëroi se ka arrestuar një grup njerëzish që po përgatisnin likujdimin e  tij gjërat u dramatizuan shumë. Në mesin e muajit prill Llukashenkoja informoi arrestimin e një grupi njerëzish që po përgatisnin atentat kundër tij dhe fëmijëve të tij. Tha  se në këtë aferë janë të përzierë shërbimet speciale amerikane, ndërsa shërbimi i fshehtë bjellorus (KGB) shtoi se komplotistët planifikonin kryengritje të armatosur dhe marrjen e pushtetit. Komandanti i forcave të brendshme të Bjellorusisë, Nikollaj Karpenkov në fillim të muajit maj kërcënoi se forcat e sigurisë do të neutralizojnë të gjithë mbështetësit e qëndrimeve radikale që tentojnë të ndërmarrin çfarëdo aksioni.

Duke folur në manifestimin në përkujtim të stemës shtërore, flamurit të Bjellorusisë dhe Ditës së Fitores 9 majit, Llukashenko bëri thirrje për ndërprerjen e provokimeve të panevojshme të brendshme, që të gjithë të jenë të gatshëm për sakrifica sepse vendi “rrezikohet për shkak të fatit gjendet në një udhëkryq gjeopolitik”, ku historikisht ka qënë “arenë e luftërafve të tjetërkujt”. Përsërim kësaj jave që kaloi ai paralajmëroi për rëndësinë gjeopolitike të Bjellorusisë, duke thënë se ajo është qendër e Europoës dhe “nëse këtu ndodh diçka, atëherë shpërthen luftë botërore”. Me këtë rast pothuajse e pranoi se ishte ai që kishe urdhëruar aterrimin e avionit, duke thënë se nuk e ka ditur se blogeri Protasheviç gjendej në avionin të cilit i ishte dhënë urdhëri për tu ulur në Minsk, por “gjithsesi do ta kishte urdhëruar aterrimin nëse do ta kishte ditur”.

Për ta kuptuar përse për pothuajse tre dekada në pushtet dhe njëkohësisht “halë në sy” për Perëndimin e fuqishëm, duhet thënë se këtu nuk është problem kryesor personaliteti i tij, siç ishte rasti në Libi, Irak apo në Siri.

Në thelb, shkaku gjeopolitik, argumenti për të cilin paralajëmron Llukashenko, gjendet në vendin e  dytë. Ai është shkaku kryesor i shqetësimit të fuqive të jashtme për shkak të krizës bjelloruse, por duket edhe përzierjes së tyre direkte në ngjarje.

Në anën drejt Polonisë dhe Balltikut gjendet Koridori Suvalki, ndërsa në anën tjetër, drejt Rusisë, gjenden Dyert e Smolenskut nëpër të cilat historikisht kanë kaluar tëv gjithë sulmuesit europianë drejt Rusisë. Koridori dhe Dyert janë dy arësyet më të rëndësishme të vëmendjes që tërheq drejt vetes Bjellorusia. Vendi më i kërcënuar në Europë është vendi i liqeneve të kulluar, hoteleve dhe llixhave luksoze dhe i historisë së errët të Polonisë Verilindore, në afërsi të Liqeneve Mazurianë.

Lukašenko - istočnoevropski Tito 1

Hitleri e kaloi më shumë se gjysmën e kohës së Luftës së Dytë Botërore duke komanduar operacionet ushtarake nga Çerdhja e Ujkut në afërsi të Kentrzinit. Pas thyerjes së nazistëve, Stalini e ndau këtë territor në dy pjesë, duke ia bashkuar Rusisë Kaliningradin dhe një pjesë të bregdetit të Balltik që sot nuk ka lidhje tokësore me Rusinë, por rruga deri aty kalon nëpërmjet Bjellorusisë. Tani kjo pjesë e gjelbër e Europës Lindore, ka dalë përsëri në plan të parë- kësaj here për shkak të konfrontimit gjithnjë e më të madh të NATO-s dhe Rusisë të forcuar. Koridori Suvalki, është koridori tokësor mes Polonisë dhe Lituanisë me gjatësi 100 kilometër, dhe është gjithçka që lidh Shtetet Balltike me territoret europiane të NATO-s. Në rast konflikti ushtarak në territoret europiane, depërtimi i forcave ruse drejt enklavës ruse me 15 mijë ushtarë, Kaliningradit, do ta ndante krahun Verior të NATO-s në dy pjesë. Lituania, Letonia dhe Estonia do të mbeteshin të ndara në Polonia dhe pjesa tjetër e NATO-s. Ndërsa përparimi i shpejtë i trupave ruse nga Kaliningradi dhe Bjellorusia është gjithçka që duhet për izolimin e tyre.

Interesi i Perëndimit është që territori bjellorus në rast konflikti luftarak të mos jetë pikënisje e depërtimit rus drejt Kaliningradit nëpërmjet Koridorit të Suvalkit, ndërsa interesi i Rusisë është që ndikimi Perëndimor të mos mbizotërojë në Bjellorusi dhe Minsku të mos hyjë në integrimet perëndimore dhe ushtarake, sepse në këtë rast rruga tokësore drejt rajonit kaliningradas dhe Koridori tokësor strategjik Suvalki do të ishte plotësisht i mbyllur për të. Nëse pala ruse nuk do të arrinte të vendoste kontrollin mbi Koridorin Suvalki, vlerësohet se ajo do ta humbiste territorin e Kaliningradit në 48 orët e para.

Në këto kushte, presidenti bjellorus është rojtar i kalimit të këtij ekuilibri delikat të synimeve të NATO-s dhe Rusisë, i cili e ka kuptuar rëndësinë e tij për të dyja anët dhe kësisoj mbahet me sukses mes dy botëve. Në njëfarë kuptimi, nuk do të ishte i gabuar krahasimi i pozitës së Llukashenkos me atë të Titos së Jugosllavisë gjatë Luftës së Ftohtë, për hir të së vërtetës pa aurën dhe lavdinë e Titos. Por Llukashenko nuk ka nevojë fare për këto.

Titoja gjithashtu ishte rojtar i Kalimit të Lujbljanës dhe garanci për të dy blloqet që ky burim strategjik do të mbetej jashtë kapjes së grupimeve të kundërta. Pavarësia që e mundësointe një gjë të këtillë ishte jo vetëm e tolerueshme, por edhe e mirëseardhur dhe  e ndihmuar.

Njëlloj sikurse Titoja ishte digë për ndalimin e shkrirjes së Jugosllavisë në komunizmin e tipit sovjetik, po ashtu edhe Llukashenko, në sytë e Perëndimit, është digë për mbrojtjen e shkrirjes së Bjellorusisë në Rusi. Nga pikëpamja ruse, Bjellorusia është pjesë e zonës tampon mes saj dhe Perëndimit e Jugperëndimit, në drejtimet që historikisht i është dashur të përballet me disa invazione, në mënyrë të veçantë kur bëhet fjalë për gjermanët dhe francezët.

Thelbi i pushtetit të Llukashenkos reduktohet në një gjë: stabilitet. Më shumë se dy dhjetëvjeçarë vendi i tij ka jetuar në qetësi dhe gjithsesi mirë. Por lufta është bërë pjesë e përditëshmërisë në shumë republika postsovjetike që udhëhiqen nga Ukraina, ndërsa në Bjellorusi, Llukashnko ka krijuar një Zvicër të vogël me pyje dhe liqene. Shfrytëzoi kushtet që u krijuan dhe u mbështet në njohuritë që zotëronte, që janë njohuritë e ish kryetarit të kolkozit shtetëror, shtetas sovjetik. Projekti i tij ishte i destinuar për njerëz si ai vetë. Nëse banorët e vendeve të Europës Qendrore, duke marrë në këmbim benefice sociale, janë dakord me ndryshime të ligjit nëpërmjet të cilëve hiqet parimi i ndarjes së pushteteve, përse u dashka të befasohen me mungesën e gatishmërisë së bjellorusëve për t’iu bashkuar luftës për demokraci?

Duke e shenjuar si diktatori i fundit europian, të gjithë prisnin që të humbiste pozitën si rezultat i ndonjëfarë revolucioni me ngjyrë, por ai qëndroi dhe arriti të mbijetojë periudhën e triumfit të demokracisë liberale dhe të presë epokën e gjysëm të vërtetave. Rusia e subvencionin Bjellorusinë nëpërmjet eksportit të 22 miljardë metër kub gaz me çmimin e brendshëm të tregut rus, të cilin Bjellorusia e shet me çmimin  e tregut, dhe 28 milionë ton naftë të papërpunuar që gjithashtu përfundon në Europë, ndërsa Bjellorusisë i sjell një dhjetë miliardë dollarësh fitim.

Në vitin 2019, Bjellorusia dhe Rusia nënëshkruan një dokument mbi thellimin e integrimit politik dhe ekonomik. Është parashikuar që vitin  e ardhshëm, viti 2022, të krijohet shteti konfederal ruso-bjellorus. Ambicja e Bjellorusisë për të rritur fitimet e saj ekonomike nga ky afrim, megjithëse ekonomia ruse është 30 herë më e madhe se ajo bjelloruse, kësisoj Minsku naftën  dhe gazin do ta blejë me çmimet e brendshme ruse, sipërmarrjet bjelloruse do të fitojnë tendera të mëdhenj në tregun rus, ndërsa do të rritet ndjeshëm edhe vëllimi dhe aksesi për kreditë ruse.

“Nuk do të na duhet të zvarritemi përherë në gjunjë para vëllait të madh dhe të lutemi për thërrime”, paralajmëroi Llukashenko.

Ai thërret me të madhe se është mbrojtës i sovranitetit bjellorus. Natyrisht, ka patur edhe momente kur ai ka kërcënuar se, nëse Rusia e prek sovranitetinm e Rusisë, do tu dhurojë rusëve një Çeçeni tjetër. Nëse Rusia do të mendonte se nuk ia vlen ta mbështesë, ai do të demonstronte më pak luajalitet. Ai edhe tani nuk qëndron  përkrah Moskës në çdo problem, megjithëse është planifikuar që vitin e kaluar të nënëshkruajë një marrëveshje për konfederatë mes dy shteteve.

Krahas kësaj, Bjellorusia ka 10 milionë sllavë ortodoksë me gjak të pastër në Lindja (territor gjuhësor rus), gjë që ka vlerë të madhe në raport me faktin se Rusia vazhdon të jetë e ndërlikuar nga pikëpamja nacionale. Madje Llukashenko thotë se bjellorusët janë versioni i përmirësuar i rusëve,  sepse “pinë më pak alkool dhe punojnë më shumë”. Këta janë njëkohësisht edhe 10 milionë njerëz që janë të mësuar me paga dhe pensione të qëndrueshme. Nëse marrin pasaporta ruse, lëndët e para do të duhet ti shesin akoma më lirë, me të njejtat çmime si dhe rusëve që jetojnë në rajonet fqinjë të Federatës ruse. Vështirë të thuhet se cilat janë më të rëndësishme, përparësitë apo mangësitë e integrimit me Rusinë, të ardhurat nga Moska vërtetë që do të rriten me disa miliardë dolarë në vit, por nëse do të dalë në skenë shërbim i meteorologjik i përbashkët kjo është diçka që ende nuk dihet.

Por në këtë rast për presidentin bjellorus kishte rëndësi të tregonte se ka duar të gjata që mund të arrijnë edhe deri te kundërshtarët dhe opozita e tij që vepron jashtë vendit dhe se ai nuk është vetëm një kolkozian mustaqelli por edhe është në gjendje ti kthejë goditjet që pëson.

Kjo  tregon se ai ka besim  te forca e tij, sepse sikur të mos ishte kështu, ndoshta nuk kishte për ti hyrë këtij spektakli.

Apo mos ndoshta kjo mund të thotë se ka hyrë në qorrsokak, sepse jo gjithmonë gatishmëria për ti shkuar punëve deri në fund do të thotë se po ecën përpara.

Përktheu për Argumentum.al: Xhelal FEJZA

© Argumentum

 

[i] https://www.danas.rs/nedelja/lukasenko-istocnoevropski-tito/