Maqedonia e Veriut dëbon një diplomat rus

 

Ministria e Punëve të Jashtme, në pajtim me nenin 9 të Konventës së Vjenës për marrëdhënie diplomatike, vendosi të shpallë një diplomat të ambasadës ruse si person të padëshiruar në republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në njoftimin zyrtar thuhet se diplomati rus u shpall person “non grata” për shkak të veprimeve të tij, sikurse pohohet që bien ndesh me sjelljen e një diplomati të huaj që shërben në një vend mikpritës.

Duke iu referuar këtij vendimi më 14 maj, në hapësirat e ministrisë së Punëve të Jashtme është thirrur ambasadori i federatës ruse, ku i është dorëzuar “notë” me të cilën kërkohet që diplomati i apostrofuar të lëshojë territorin e Maqedonisë së Veriut në afat prej shtatë ditësh.

 "Ne konfirmojmë dëbimin e një diplomati rus nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut. Pala ruse po shqyrton hapat hakmarrës", deklaroi misioni diplomatik. Ambasadori rus Sergei Bazdikin u thirr në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë javën e kaluar, ku ai u informua se diplomati duhet të largohet nga vendi brenda shtatë ditëve, sipas faqes së lajmeve të MKD.

Shkaqet pas këtij hapi të Shkupit mbeten të paqarta.