Mes mosmarrëveshjeve, diplomatët amerikanë, kinezë dhe rusë bëjnë thirrje për bashkëpunim

Kryediplomatët e Shteteve të Bashkuara, Kinës dhe Rusisë bënë thirrje të premten për forcimin e bashkëpunimit global, duke pranuar nevojën e përballjes me sfidat globale në rritje dhe një pandemi të pakrahasueshme, por duke u përplasur njëkohësisht për botëkuptimet e ndryshme dhe se kush është fajtor për kërcënimet ndaj multilateralizmit.

Takimi i nivelit të lartë i Këshillit të Sigurimit të OKB-së shënoi edhe pjesëmarrjen e parë të përbashkët, megjithëse virtuale, të Sekretarit të Shtetit Antony Blinken, Ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov dhe Ministrit të Jashtëm kinez Wang Yi, i cili drejtoi sesionin në cilësinë e kryesisë së Këshillit të Sigurimit për këtë muaj.

Megjithë dallimet e mëdha, në veçanti për të drejtat e njeriut dhe demokracinë, të tre thanë se ishin të gatshëm të bashkëpunonin me të gjitha vendet për sfidat ndërkombëtare – që nga pandemia e COVID-19 dhe ndryshimet klimatike, deri tek puna për të ndalur konfliktet dhe asistenca për njerëzit në nevojë.

Sekretari Blinken tha se angazhimet e ndërmarra pas-Luftës së Dytë Botërore, për të bashkëpunuar në parandalimin e konfliktit, lehtësimin e vuajtjeve dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut janë seriozisht të rrezikuara. Ai përmendi rikthimin e nacionalizmit, represionin në rritje dhe rivalitetet e thelluara.

“Disa madje ngrenë pyetjen nëse bashkëpunimi shumëpalësh është ende i mundshëm”, i tha ai Këshillit të Sigurimit. “Shtetet e Bashkuara besojnë se kjo është jo vetëm e mundshme, por edhe e domosdoshme”.

Bashkëpunimi është jetësor

Sekretari Blinken tha se “asnjë vend, pavarësisht sa i fuqishëm është, nuk mundet t’i trajtojë sfidat i vetëm”. Për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara do të punojnë në kuadrin e institucioneve shumëpalëshe për të ndalur COVID-19, për t’u përballur me krizën klimatike, për të ndalur përhapjen dhe përdorimin e armëve bërthamore, për të dhënë ndihmë humanitare që shpëton jetë dhe për të menaxhuar konfliktet.

“Do të bashkëpunojmë me çdo vend për këto çështje, përfshirë vendet me të cilat do të kishte dallime serioze”, tha Sekretari Blinken. “Në të njëjtën kohë, do të vazhdojmë të kundërshtojmë me forcë vendet që i shohim të dëmtojnë rendin ndërkombëtar, që pretendojnë se nuk ekzistojnë rregullat që i kemi vendosur së bashku, ose që thjesht i shkelin ato me dëshirë”.

Sekretari Blinken bëri thirrje që të gjitha vendet të përmbushin angazhimet e tyre sipas Kartës së OKB-së, traktateve, rezolutave të Këshillit të Sigurimit, ligjeve humanitare ndërkombëtare, në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe organizata të tjera globale.

Shtetet e Bashkuara nuk dëshirojnë zbatimin e këtyre angazhimeve me qëllim “ngadalësimin e vendeve të tjera”, tha Sekretari Blinken, duke vënë në dukje se rendi ndërkombëtar që Shtetet e Bashkuara ndihmuan të krijohet, dhe të cilin e mbrojnë, “ka mundësuar rritjen e disa prej konkurrentëve tanë më të fortë”.

Sekretari Blinken theksoi se “të drejtat e njeriut dhe dinjiteti duhet të mbeten në thelbin e rendit ndërkombëtar”.

Qeveritë që këmbëngulin se ajo që bëjnë brenda kufijve të tyre mbetet punë e tyre, nuk kanë “çekun e bardhë për të skllavëruar, torturuar, zhdukur, apo spastruar etnikisht popullin e tyre, ose për të dhunuar të drejtat e tyre të njeriut në çfarëdo mënyre tjetër”, tha ai. Kjo ishte një referencë e qartë ndaj trajtimit që Kina i bën minoritetit uigur, si dhe ndaj vendeve të tjera, përfshirë veprimet e Mianmarit ndaj myslimanëve rohinga.

Çështjet kufitare dhe territoriale

Sekretari Blinken tha gjithashtu se disa vende nuk respektojnë një parim themeltar të OKB-së për barazinë mes shteteve sovrane, kur “kërkojnë të ndryshojnë kufijtë e një tjetër” vendi, kur kërcënojnë se do të përdorin forcën për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve territoriale, kur pretendojnë se kanë të drejtën e influencës në një zonë të caktuar ose kur sulmojnë me dezinformim një vend tjetër, kur dëmtojnë zgjedhjet ose përndjekin gazetarët apo disidentët.

Megjithëse nuk përmendi vende të caktuara, komentet duket se u bënë për veprimet e Kinës në Detin e Kinës Jugore dhe aneksimin nga Rusia të Krimesë së Ukrainës, për përpjekjet e Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane dhe arrestimin e udhëheqësit opozitar rus Alexei Navalny dhe të gazetarëve.

Ministri i jashtëm kinez Wang dhe ai rus Lavrov theksuan rëndësinë e ruajtjes së Kombeve të Bashkuara në epiqendër të multilateralizmit, gjë të cilën nuk e theksoi Sekretari Blinken.

Ministri i jashtëm kinez Wang Yi
Ministri i jashtëm kinez Wang Yi

Ministri kinez Wang rikujtoi deklaratën e shtatorit të kaluar nga udhëheqësit botërorë me rastin e 75-vjetorit të Kombeve të Bashkuara se “multilateralizmi nuk është opsion, por domosdoshmëri”.

Ai e quajti OKB-në “flamurin e multilateralizmit” dhe se “qëndrojmë të gatshëm të punojmë me të gjitha palët për të avancuar multilateralizmin dhe OKB-në... dhe për të ndërtuar së bashku një komunitet me të ardhme të përbashkët për njerëzimin”.

Kundër “hegjemonisë dhe përndjekjes”

Ministri kinez Wang tha se sa më komplekse të jenë çështjet globale, aq më e madhe është nevoja për bashkëpunim mes vendeve me baza të barabarta, dhe jo për lojëra pa rezultat praktik.

“Asnjë vend nuk duhet shpresojë që të tjerët të humbasin”, tha ministri kinez. “Vendet duhet të punojnë së bashku për t’u siguruar se të gjithë dalin fitues drejt arritjes së sigurisë dhe begatisë për të gjithë”.

Zoti Wang gjithashtu bëri thirrje për “barazi dhe drejtësi, jo përndjekje apo hegjemoni”, duke theksuar se ligji ndërkombëtar duhet të vlejë për të gjithë “pa patur vend për përjashtime apo standarte të dyfishta”. Zoti Wang paralajmëroi se “ndarja e botës përgjatë linjave ideologjike është në kundërshti me frymën e multilateralizmit dhe është një regres i historisë”.

Ministri i jashtëm rus Sergey Lavrov
Ministri i jashtëm rus Sergey Lavrov

 

Minstri rus Lavrov u tregua më konkret kundër Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera perëndimore.

Ai tha se arkitektura e qeverisjes globale e ngritur në fund të Luftës së Dytë Botërore, “po testohet ashpër”.

“Fatkeqësisht, jo të gjithë partnerët tanë udhëhiqen nga parimi i veprimeve të ndershme për ngritur një bashkëpunim të vërtetë shumëpalësh”, tha zoti Lavrov.

Në mungesë të aftësisë për të avancuar “prioritetet e tyre unilaterale apo në bllok brenda OKB-së”, tha zoti Lavrov, “vendet perëndimore po përpiqen tashmë të kthejnë mbrapsht procesin e krijimit të një bote shumëpolare e policentrike dhe po përpiqen ta frenojnë rrjedhën e historisë”.

Rregullat e Perëndimit

Ministri rus Lavrov akuzoi vendet perëndimore se po zhvillojnë rregullat e tyre, duke ia imponuar gjithë të tjerëve, dhe se po ndërmarrin veprime që anashkalojnë OKB-në, veprime të cilat ai i quajti të dëmshme.

Zoti Lavrov përmendi thirrjen e Presidentit amerikan Joe Biden për një samit të demokracive, duke paralajmëruar se “ngritja e një klubi të ri të interesave të posaçme të bazuar haptazi në ideologji, mund të rrisë më tej tensionet ndërkombëtare dhe të krijojë vija ndarëse në një botë. së cilës i nevojitet një axhendë unifikuese, tani më shumë se kurrë”.

Ai gjithashtu përmendi Aleancën franko-gjermane për Multilateralizmin, duke thënë se ajo duhet të shqyrtohet nga brenda OKB-së dhe jo jashtë saj. Ministri rus tha se Perëndimi ka ngritur “partneritete të ngushta” për çështje si hapësira kibernetike, ligjet humanitare, lirinë e informimit dhe demokracinë, aspekte të cilat janë subjekt i diskutimeve në OKB dhe agjensitë e saj./VOA