Mësime për të mos u harruar

Aforizma

 Prof. Lisen BASHKURTI

 

-Fasadizmi është hyrje në gjeografi kur nuk ke vënd histori.

-Manipulimi zgjedhor prodhon pushtetin e karriges së kalbur.

-Njeriu që shet votën është më pak qënie politike e më shumë shtazore.

-Ëndrra e pushtetit të pamerituar është meritimi i pushtetit pa ëndrra.

-Zhngënjimi i humbjes dhe ekstaza e fitores prodhojnë rrënimin.

-Humbja me dinjitet e rikthen fitoren sërish, fitorja pa dinjitet sjell humbjen e pakthim.

-Konsumimi në politikë bëhet politikë e fermentuar.

-Politikanët fjalëshumë janë njerëz mëndjepakë.

-Ftesa për bashkëpunim politik mbas konsumimit është ftesë pas vakti.

-Njeriu që nuk ndan dot gënjështrën nga e vërteta është viktimë e mashtrimit të përhershëm.

-Më mirë një premtim i mbajtur se një mal premtimesh të rrejshme.

-Varfëria dhe injoranca prodhojnë autoritarizmin.

-Pema e demokracisë gjelbëron mbi prosperitet dhe dituri.

-Kujtohemi për mjekun kur sëmuremi, për mësuesin kur nuk dijmë, për politikanin kur varrosemi.

-Kemi kolaps kur pushteti nuk qeveris dot me mënyra të vjetra dhe opozita nuk vjen dot në pushtet pa mënyra të reja.

-Rinia është flakë pa prush që shuhet shpejt. Pleqëria është prush pa flakë që shuhet ngadalë. Shtresa e mesme është flakë dhe prush që zgjatë më së shumti.

-Njeriun e dalëboje, nuk ka bojë që e lyen.

-Njeriun e pabesë nuk ka besë që e mban.

-Njeriun mashtrues e vërteta e mundë.

-Pema e jetës është e sotmja mbi të djeshmen, e nesërmja mbi të sotmen, asnjëra pa tjetrën, askush i përjetshëm.

-Pushteti pa legjitimitet është shtëpi pa themel.

-Pushteti pa përgjegjësi është han pa porta.

-Pushteti pa transparencë është tunel pa dritare.

-Pushteti pa gjithëpërfshirje është kasolle e izoluar.

-Pushteti pa legjitimitet, përgjegjshmëri, transparencë e gjithëpërfshirje është rrënojë mbi kokat e njerëzve.

 

/argumentum.al