Ministrja për BE-në e Austrisë dhe Xhaçka: Anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE duhet të përshpejtohet

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka priti sot në një takim ministren federale për BE-në dhe Kushtetutën të Republikës së Austrisë, Karoline Edstadler.

Gjatë këtij takimi ministrja Xhaçka si dhe ministrja austriake u shprehën se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE duhet të përshpejtohet.

“Shqipëria ka arritur rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme në fushat kryesore të identifikuara. Kemi plotësuar të gjitha kushtet e vendosura nga Këshilli për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveriatre. Tani është radha e BE-së për të vlerësuar arritjet tona konkrete, duke nisur bisedimet e anëtarësimit”, u shpreh Xhaçka.

Sipas saj, rigjallërimi i perspektivës së integrimit evropian të rajonit është instrumenti më efikas për forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Xhaçka vlerësoi mbështetjen e Austrisë pas tërmetit dhe gjatë pandemisë.

“Austria shpërndau në vendet e Ballkanit Perëndimor 651 mijë vaksina”, tha ajo.

Duke folur për certifikatën e vaksinimit, një çështje kjo që po diskutohet në BE, Xhaçka tha se po ndjekim diskutimet për lehtësimin e kufizimeve.

Sipas saj, është emergjente nevoja për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve të rajonit.

Ministrja tha se janë 60 kompani austriake që ushtrojnë aktivitetin në vendin tonë, por, u shpreh ajo, potencialet janë për të rritur me tej këtë bashkëpunim.

Edstadler ka thënë se Austria do të mbështesë integrimiin e vendeve të Ballkanit Perëndimor por këtu shtoi se Shqipëria duhet që të vazhdojë reformat që ka nisur.

“Është kënaqësi që jam në Shqipëri dhe të shoh vullnetin e vendit për të ecur me reforma, që të hedhe hapa të rëndësishme drejt BE-së. Austria e ka përparësi që të mbështesë procesin e integrimit për Ballkanin Perëndimor. Është e nevojshme që ju të vazhdoni reformat tuaja. Ka shumë për të bërë. Ne do bëjmë maksimumin që të bindim miqtë tanë edhe në BE, që të mos bllokojnë procesin integrues për Shqipërinë”, tha ajo.

Ministrja për Bashkimin Evropian dhe Kushtetutë të Republikës së Austrisë, Karoline Edtstadler është shprehur se për aq koha sa vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë të integruara, BE nuk është e plotë, teksa ka vlerësuar zgjedhjet e 25 prillit.

"Urime për zgjedhjet e 25 prillit. Jemi angazhuar dhe Austria po mbështet 5 projekte në shtetin e së drejtës. Shteti i së drejtës janë vlera thelbësore të Unionit tonë dhe për aq koha sa vendet e Ballkanit nuk janë pjesë e BE, ky projekt nuk është i plotë. Ju jeni të rrethuar nga anëtarë të BE dhe meritoni perspektivën atje dhe ne po luftojmë për këtë. Nga dita e parë kam avokatuar për nisjen e kësaj konference dhe kjo ka qenë para pandemisë, që atëherë kam menduar që duhet të përfshihen këto vende në këtë konferencë se po flasim për të ardhmen e BE, Shqipëria dhe Ballkani duhet të përfshihet të dielën, në 9 maj për ditën e Europën dhe të jetë kjo një ogur i mirë", tha Edtstadler.