Miratohet raporti për shkarkimin e Presidentit/ Reagimi nga Presidenca: Zero shqetësim, Meta do të jetë në detyrë deri më 24 korrik 2022

Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta ka miratuar në mënyrë unanime raportin përfundimtar për gjetjet e shkeljeve kushtetuese të kryera nga Presidenti. Në raport cilësohet se presidenti ka shkelur 16 nene të Kushtetutës dhe se të hënën në Konferencën e Kryetarëve do të vendoset dhe data se kur do të votohet ky raport në Parlament.

Sipas relatorit Alket Hyseni, komisioni gjeti shkelje të 16 neneve kushtetuese nga Kreu i Shtetit: “Qartësisht rezulton se Presidenti ka kryer veprimtari të njëanshme partiake, antimazhorancë, që bie ndesh me nenin 89 të Kushtetutës, ku parashikohet se Presidenti nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari të tjera. Presidenti nuk duhet që të përfshihet në fushatë zgjedhore kundër një ose disa forcave politike, apo të mbështesë grupe të tjera. Qëndrimet e veta publike, të ashpra kundër mazhorancës, Presidenti i ka mbajtur në mënyrë konstante. Komisioni Hetimor çmon se Presidenti nuk qëndroi mbi palët dhe me qëndrimet e tij humbi funksionin e të qënit faktor ekuilibri”.

“Presidenti ka intimiduar votuesit duke thënë se ai vetë do i presë dorën, thirrje luftarake, vetëgjyqësie janë mesazhe të qarta drejt popullit. Kjo nxitje dhune detyroi ambasadoren e SHBA të apelojë presidentin meta të ndaloje këtë fushatë.  Në vend të ishte neutral, tregoi qartë anësi ndaj opozitës. Presidenti mori përsipër të jap leksione demokracie, që nuk gjendjen askund”, tha ndër të tjera Hyseni, sot, duke iu referuar raportit, për të cilin u shpreh se do i dërgohet Kuvendit për votim brenda 7 ditëve.

Ndërkohë Presidenca ka reaguar pas akuzave nga komisioni Hetimor për pjesëmarrjen e tij në fushatën e zgjedhjeve të 25 prillit kundër Partisë Socialiste.

Presidenca ka reaguar përmes zëdhënësit Tedi Blushi, i cili bën të ditur se nuk do të japin asnjë koment e se nuk kanë shqetësim në lidhje me vendimet nul apo veprimtaritë që po kryhen nga një Kuvend njëpartiak.

Në fund, Blushi bën të ditur se Meta do të jetë në detyrë deri më 24 korrik 2022.

“Asnjë koment dhe zero shqetësim për çdo vendim nul apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit njëpartiak, që tenton me dëshpërim të shmangë vëmendjen nga debati publik për krimet e faktuara zgjedhore të 25 prillit, autorët dhe frymëzuesit, tutorët dhe bashkëpunëtorët e tyre, të angazhuar në këtë farsë kundër të vetmit institucion, që respekton dhe mbron Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe sovranitetin e saj.

Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e Tij deri më 24 korrik 2022, me të njëjtën përgjegjësi të lartë, vetëm në respekt dhe mbrojtje të Kushtetutës dhe interesit kombëtar”, shkruan Blushi.