Miroslav Lajcak dhe Carl Bildt: Vonesat e BE-së për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor nxjerrin në skenë "non-papers"

Diplomatët veteranë evropianë Miroslav Lajcak dhe Carl Bildt thanë se vonesat e BE-së për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor ishin një arsye për shfaqjen e sugjerimeve "shumë të rrezikshme" për ndryshimin e kufijve në rajon.

Miroslav Lajcak, Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë, dhe Carl Bildt, ish i Dërguari Special i Kombeve të Bashkuara për Ballkanin, thanë të martën se rënia e ndikimit të BE-së është arsyeja kryesore për planet e rrezikshme që hidhen për të rishkruar kufijtë në rajon.

Në një panel diskutimi të titulluar “Geopolitical Gambles in the Balkans”, Lajcak dhe Bildt shprehën shqetësimin në lidhje me dy të ashtuquajtura ‘non-papers’, njëra prej të cilave u qarkullua nga kryeministri slloven dhe tjetra nga Franca dhe Gjermania, megjithëse kjo është mohuar.

E para raportohet të ketë sugjeruar që pjesë të Bosnjës dhe Hercegovinës, por ndoshta edhe të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, do të bëheshin pjesë e një “Kroacie të madhe” dhe një “Serbia të madhe” dhe se Shqipëria dhe Kosova do të shkriheshin në një “Shqipëri të madhe”.

E dyta thuhet se sugjeroi krijimin e një rrethi autonom në pjesën veriore të Kosovës me shumicë serbe si pjesë e një marrëveshjeje në të cilën Serbia do të njihte pavarësinë e Kosovës. Të dy ‘non-papers’ kanë shkaktuar polemikë të gjerë, edhe pse askush nuk ka pranuar që qëndron pas tyre.

“Ideja e rishikimit të kufijve nuk është diçka e re. Ajo ka qenë këtu për shumë vite, por u soll në pah tani. Unë nuk jam aspak dakord me këto ide. I konsideroj jashtëzakonisht të rrezikshme dhe një ide që provokon luftë”, tha Lajcak.

“Për fat të keq, vizioni i anëtarësimit në BE për Ballkanin Perëndimor është bërë më i paqartë, më i largët dhe për këtë arsye edhe më pak i motivuar. Kur ne krijuam një boshllëk në rajon, të tjerë do të vijnë me ide të tjera”, shtoi ai.

Lajcak argumentoi se vënia në zbatim e ndryshimit të kufijve do të ishte “përmbushje e ëndrrës së Sllobodan Millosheviçit dhe Franjo Tuxhmanit”, liderët e kohës së luftës së viteve 1990 të luftës të Serbisë dhe Kroacisë.

Ai iu referua një plani të përbashkët të rënë dakord nga Tuxhman dhe Millosheviç në vitin 1992 për ndarjen e Bosnjës dhe Hercegovinës përgjatë vijave etnike.

“Kur ne (BE-ja) krijuam një boshllëk në rajon, të tjerët po vijnë me ide të tjera. Nëse nuk jemi seriozë me Planin A (anëtarësimin në BE për shtetet e Ballkanit), do të vijnë njerëz të tjerë me një Plan B dhe kjo është pikërisht ajo për të cilën flitet në ‘non-paperi’-in e parë”, tha ai.

Bildt ishte dakord me këtë: “Nëse Plani A nuk funksionon, i cili humbi besueshmërinë për BE-në, atëherë keni Planin B, ‘non-papers’ dalin në tryezë”, tha ai.

Ai gjithashtu i përshkroi sugjerimet për rishikimin e kufijve si “shumë të rrezikshme”.

“Të gjithë po thonë se nuk janë dakord me ‘non-papres’, por të gjithë ata që janë marrë me Ballkanin e dinë se ka mjaft njerëz rreth këtyre ‘non-papers’”, tha ai.

Bildt argumentoi se lojtarët e tjerë ndërkombëtarë nuk po bëhen më të fortë në Ballkan, por BE-ja po bëhet më e dobët.

“Nuk është se Rusia, Turqia dhe të tjerë janë aktorë të fortë në Ballkan, por nëse BE-ja bëhet më e dobët, të tjerët mund të bëhen më të fortë nga përkufizimi pa qenë veçanërisht të fortë”, tha ai.

Paneli i diskutimit u organizua nga Instituti Italian për Studime Politike Ndërkombëtare, ISPI, dhe u moderua nga Tim Judah, korrespondent i Ballkanit për The Economist dhe president i bordit të BIRN./reporter.al