"Non papers" për kufijtë/ Heiko Maas: Dokument pa vlerë. “Gjermania nuk është e përfshirë”

“Non papers” mbajnë pikërisht emrin e duhur. “Non papers”, pra dokument jo zyrtar. Nuk kanë gjë tjetër veçse fjalë bosh dhe askush nuk duhet të merret seriozisht me to” Ky ishte reagimi i ministrit të Jashtëm gjerman Heiko Mass, lidhur me dokumentin jo zyrtar diplomatik që qarkulloi në Bruksel, për ndryshim të kufijve në Ballkanin Perëndimor sipas linjave etnike.

Mass përgënjeshtroi përfshirjen e Gjermanisë tek të ashtuquajturit “non-papers”.

“Nuk ka asnjë përfshirje të Gjermanisë në këto “non papers”. Nëse ka zëra që supozojnë të kundërtën janë, fake news. Politika e jashtme gjermane ka pasur gjithmonë parimin se kufijtë e Ballkanit Perëndimor nuk preken”, shtoi Mass.

Dokumenti u publikua fillimisht nga media sllovene, nën autorësinë e pretenduar të kryeministrit slloven Janez Jansa  e në adresë të presidentit të Këshillit Europian Charles Michell, si një propozim mbi trajtimin e problematikave në rajon pasi Sllovenia të marrë Presidencën e BE-së në korrik.

“Ne besojmë se çdo ripërcaktim i kufijve do të prekte të gjithë rajonin me pasoja të pakthyeshme në të gjitha nivelet. Ne nuk e duam këtë gjë dhe do ta refuzojmë gjithmonë”, shtoi Mass.