Sërish tensione në Jeruzalem: Qindra të plagosur në xhaminë Al-Aqsa

Përleshjet shpërthyen përsëri të hënën midis forcave izraelite të sigurisë dhe besimtarëve palestinezë pranë xhamisë al-Aqsa në Jerusalem.

Dëshmitarët thonë se forcat e sigurisë hodhën gaz lotsjellës dhe shashka në xhami, ndërsa besimtarët hodhën gurë dhe sende tjera mbi forcat izraelite. Ka njoftime për dhjetëra të plagosur, përfshirë të paktën 80 të cilët u dërguan në spitalet aty pranë.

Dhjetëra palestinezë u plagosën në përleshje të dhunshme me policinë në Jerusalem natën ndërmjet të shtunës dhe së dielës, kur myslimanët shënuan natën e Madhe të Kadrit, dita më e shenjtë e muajit të Ramazanit.

Përleshjet shpërthyen në kompleksin e xhamisë Al-Aqsa, një ndër vendet e shenjta më të rëndësishme për myslimanët dhe hebrenjtë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të dielën se autoritetet "nuk do të lejojnë asnjë ekstremist të prishë qetësinë", pas disa ditë përplasjesh midis protestuesve palestinezë dhe policisë së Izraelit jashtë Qytetit të Vjetër të Jerusalemit.

Ai tha se Izraeli "do të vazhdojë të ruajë lirinë e besimit për të gjitha religjionet, por nuk do të lejojmë trazira të dhunshme".

Përleshjet e së hënës ndodhën disa orë para parakalimit vjetor të Ditës së Jerusalemit, një shfaqje e valëvitjes së flamurit, që shënon pretendimet e Izraelit ndaj gjithë Jerusalemit. Parakalimi zakonisht kryhet përmes Qytetit të Vjetër, pjesë e Jerusalemit lindor, i cili u aneksua nga Izraeli në luftën e vitit 1967.

Por, autoritetet izraelite ndaluan përkohësisht vizitorët hebrenj të qëndrojnë në vendin e shenjtë për shkak të përplasjeve. Ngjarja vjetore, e parë nga disa si provokuese, po ndodh në një kohë veçanërisht të paqëndrueshme.

Përplasjet rifilluan për shkak të kërcënimit për dëbim nga Izraeli të dhjetëra palestinezëve në lagjen Sheikh Jarrah në Jerusalemin lindor, të cilët janë përfshirë në një betejë të gjatë ligjore me kolonët izraelitë, që përpiqen të marrin prona në këtë lagje.

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, tha javën e kaluar se "e konsideroj (Izraelin) përgjegjës për zhvillimet e rrezikshme dhe sulmet mëkatare që po ndodhnin në qytetin e shenjtë" dhe i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për një seancë urgjente mbi këtë çështje.

Presidenti i Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka planifikuar një diskutim privat për të hënën mbi tensionet në rritje. Kombet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Izraelit të ndalojë dëbimet e palestinezëve në Jerusalemin lindor.

Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit, akuzoi palestinezët për përdorimin e dëbimeve të paralajmëruara për të nxitur dhunë.

Grupi militant islamik, Hamas, ka paralajmëruar hakmarrje nëse dëbimet ndodhin.

Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan foli të dielën me homologun e tij izraelit, Meir Ben-Shabbat, "për të shprehur shqetësimet serioze të Shteteve të Bashkuara në lidhje me situatën në Jerusalem" si dhe shqetësimet në lidhje me dëbimet e mundshme të familjeve palestineze. Zoti Sullivan tha se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për sigurinë e Izraelit dhe për paqen e qëndrueshmërinë në Lindjen e Mesme.

Izraeli e konsideron të gjithë Jerusalemin si kryeqytetin e tij, ndërsa palestinezët duan që Jerusalemi lindor të jetë kryeqyteti i shteti të tyre të ardhshëm.