Rritja e Titanit Tregtar Kinez Veçse Përfitime u Sjell Vendeve të EQL-së

Genc MLLOJA

Çdo iniciativë ndërkombëtare, madje edhe kombëtare, e Kinës ka hasur gjithmonë në fillesat e saj në skepticizmin e botës perëndimore, veçanërisht të SHBA, dhe angazhimi i mediave të tyre si me zemberek është vënë në punë për tu futur në skutat më të errëta të imagjinatës diabolike për të gjetur jo vetëm të meta por për të ndjellur keq: dështimin. Mirëpo përvoja, rezultatet, perspektivat dhe puna e paepur e popullit kinez ka kapërcyer sfida nga më të ndryshmet duke i nxjerrë ata blof. Kësisoj disa qarqe e kanë kuptuar kotësinë e luftës imagjinare me ‘mullinjtë e erës’ dhe në pamundësi për të pasqyruar realitetin kinez se censura nuk i lejon në vendet e tyre që shiten si kampionë të lirisë së fjalës, kanë zgjedhur rrugën e heshtjes… Se duhet pranuar që ka me qindra gazetarë me dinjitet, që etika profesionale ua 'ndalon' penën të shkruajnë kotësi mjegullore deri në absurditet.

Raste të kësaj natyre janë të shumta por në këtë shkrim do të përqendrohem tek iniciativa midis Kinës me 17 vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL), e njohur si mekanizmi 17 + 1, që u nis si 16 + 1, por më kujtohet kur në takimin e radhës të Budapestit (nëntor 2017), ku pata rastin të isha në konferencë së bashku me Drejtorin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare në atë kohë, Gëzim Podgorica qarkulloi supozimi dhe për ne ishte lajm, i zgjerimit të këtij grupimi bashkëpunimi të gjithanshëm.

Për të rifreskuar kujtesën bazat e këtij mekanizmi bashkëpunimi u hodhën në Varshavë, Poloni, në vitin 2012 si iniciativë kineze për të nxitur marrëdhëniet e biznesit dhe investimet në vendet anëtare në kuadrin e megaprojektit ‘Një brez, Një rrugë’. Të 17 vendet themeluese (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Polonia, Rumania, Serbia, Sllovakia, Sllovenia dhe Republika Popullore e Kinës) u angazhuan për një bashkëpunim më të ngushtë me synimin e përshkallëzimit dhe zgjerimit të tij në fushat e investimeve, transportit, financave, shkencës, arsimit dhe kulturës. Në takimin e nivelit të lartë të vitit 2019, që u mbajt në Kroaci, mekanizmi 16 + 1 u bë 17 + 1 pasi Greqia iu bashkua atij si anëtare me të drejta të plota.

Për t’mos iu larguar objektivit kryesor - bashkëpunimit ekonomiko-tregtar të vendeve anëtare të kësaj iniciative- e shikoj me vend të sjell në vëmendje ritmin në rritje të shkëmbimeve tregtare të Kinës me 17 vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore me një normë mesatare vjetore rritjeje prej 8% gjatë nëntë viteve të fundit. Është shumë domethënës fakti se kjo shifër është më shumë se dyfishi i rritjes së shkallës së tregtisë midis Kinës dhe Bashkimit Europian çka tregon efikasitetin dhe efektivitetin e një iniciative të tillë. E çfarë është për t'u vënë në dukje është se edhe gjatë periudhës së rënies ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19, tregtia Kinë-EQL ka ndjekur trajektoren e rritjes së konsiderueshme dhe ndër zërat kryesore janë kryesisht artikujt jetikë aq të domosdoshëm si furnizimet mjekësore dhe mallrat e konsumit.

Ka patur shumë arsye që ky bashkëpunim na paraqet këtë tablo se në radhë të parë ka patur si parim kryesor moton e përfitimit reciprok (win-win principal), duke mos u influencuar nga ngjyra politike aq më pak nga tendenca që më të madhit e më të fortit i takon ‘pjesa e luanit’. Nga ana tjetër, analistë ekonomikë vërejnë se periudha që nga 2012 e deri tani u ka dhënë mundësi të gjithë vendeve pjesëtarë të këtij grupimi të bashkëpunimit ekonomik të zbulojnë fushat më me leverdi dhe rentabël, si dhe të ‘njohin’ më mirë jo vetëm Kinën dhe politikën e saj ekonomike por edhe njëri-tjetrin. Ndërkohë ata shtojnë se si Kina ashtu edhe shumë vende të EQL-së kanë patur rritje ekonomike duke krijuar hapësira të reja bashkëpunimi të frytshëm, si dhe kanë qenë në kërkim të rrugëve të reja për të lehtësuar mjetet e shkëmbimeve tregtare.

Shembull tipik është bërë vënia në punë e linjës hekurudhore Kinë-Evropë, diçka e paimagjinuar dekada më parë dhe si pasojë rritja e tregtisë së Kinës me 17 vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore ka vijuar përshpejtimin e rritjes.

Kështu numri i trenave të mallrave Kinë-Evropë arriti në 1218 në prill, me 24 për qind rritje nga viti në vit, sipas të dhënave të Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës (NDRC). Trenat e mallrave lëvizën rreth 117.000 kontejnerë mallrash muajin e kaluar, duke u rritur 33 për qind nga një vit më parë, shkruante agjencia e lajmeve “Xinhua”.

Në pesë vitet e fundit, shërbimet e trenave janë bërë gjithnjë e më të njohura në të gjithë globin pasi kanë lehtësuar lidhjen e infrastrukturës dhe kanë thelluar bashkëpunimin tregtar për vendet përgjatë rrugës hekurudhore, tha Jin Xiandong, zëdhënës i NDRC.

Tashmë, numri i përgjithshëm i trenave të mallrave Kinë-Evropë ka arritur në 38.000. Mallrat e transportuara nga shërbimet e trenave arrijnë në 151 qytete në 22 vende evropiane, me një rrjet logjistik që mbulon të gjithë rajonin, shtoi Jin.

Kemi të dhëna edhe për raste konkrete dhe dua të sjell si shembull terminalin e madh hekurudhor të mallrave Alataw Pass i vendosur në Rajonin Autonom të Xinjiang Ujgur, në veriperëndim të Kinës, i cili ka parë një rritje të fuqishme të numrit të trenave të mallrave Kinë-Evropë në tremujorin e parë të këtij viti, rarporton agjencia “Xinhua”.

Interporti hekurudhor u përshkua nga një total prej 1918 trena mallrash Kinë-Evropë, një rritje prej 56.7% me bazë vjetore, e cila transportonte mallra për një vlerë prej 10.01 miliardë dollarë, një rritje prej 80.5% krahasuar me një vit më parë, sipas autoriteteve lokale.

Aktualisht, interporti përshkohet nga 22 rrugë që lidhin 13 vende duke përfshirë Gjermaninë, Poloninë, Belgjikën dhe Rusinë. Artikujt kryesorë të eksportuar përmes Alataw Pass përfshijnë automjete dhe pjesë auto, pajisje shtëpiake dhe produkte të përditshëm, ndërsa importet përfshijnë makina dhe pjesët e tyre, fije pambuku dhe lëndë drusore.

Por vitaliteti i këtij mekanizmi bashkëpunimi po jep frytet e tij për të kapërcyer goditjet që kanë marrë pa përjashtim vendet e EQL nga pasojat e pandemisë disa prej të cilëve edhe pse anëtarë të Bashkimit Europian nuk e gjetën ‘oksigjenin’ e duhur prej tij për rikuperim. Aktualisht, në procesin e rimëkëmbjes ekonomike pas epidemisë, tregtia midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore ka treguar rritje të konsiderueshme. Në tremujorin e parë të këtij viti, vëllimi i tregtisë midis Kinës dhe 17 vendeve në EQL u rrit me 50.2% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë në 30.13 miliardë dollarë. Mes tyre, importet e Kinës nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore janë rritur në mënyrë të konsiderueshme me një kurbë ngjitëse prej 44.7%.

A qëndron ndonjë supozim i ndonjë burimi perëndimor, kryesisht amerikan, se Kina po përpiqet të përdor bashkëpunimin ekonomik me vendet e EQL për të ‘përçarë’ BE? Para se ti përgjigjemi kësaj sajese, se njihet botërisht qëndrimi zyrtar i Pekinit mbi kohezionin e BE-së, duhet theksuar se kontradiktat e mosmarrëveshjet midis vendeve të atij grupimi, e rasti i largimit të Anglisë prej tij (Brexit) është kuptimplotë, nuk ua solli e as ua shkaktoi Kina; ajo i gjeti në mes tyre dhe pas Brexit-it ata u shtuan. Kurse pandemia dhe pasojat e saj i kanë majisur ata keqas.

Vetë fakti se BE-së iu desh një kohë shumë e gjatë për të organizuar Konferencën për të Ardhmen e Europës që do të zgjasë më shumë se një vit dëshmon se grupimi, sikurse pohojnë shumë burime zyrtare, e ka domosdoshmëri të shpejtë të rregullojë punët e shtëpisë së vet, madje flitet edhe mbi rishikim të traktateve të vitit 1950.

Kina, valvolë lehtësuese për ekonomitë e EQL

Mirëpo në këtë konfiguracion ekonomik vendet e Europës Qendrore dhe Lindore kanë gjetur një valvolë lehtësuese tek Kina. Mjafton te citojmë çfarë zbulonte një analizë e Konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD) me titull: “Kina: Ngritja e një titani tregtar” me 27 prill 2021 ku vinte në dukje që në krye sa më poshtë: “Kina është ndoshta një ndër historitë krejtësisht e paprecedentë e zhvillimit ekonomik në historinë e kohëve të fundit. Në 25 vitet e fundit, ekonomia e vendit u zgjerua rrëmbimthi, duke nxjerrë më shumë njerëz nga varfëria se sa ndonjë vend tjetër i botës Por e gjithë kjo do të kishte qenë e pamundur pa një histori tjetër të shkëlqyer: dalja e Kinës nga periferia e botës tregtare për tu bërë një titan global tregtar”.

E ky titan u rrit vetë në sajë të një kuadri reformash të nisura nga fundit i viteve 1970 për të rritur ekonominë dhe për tu hapur ndaj botës në përputhje me parimet e sistemit socialist me karakteristika kineze. (Në atë kohë pjesa e volumit të tregtisë së saj në tregtinë globale ishte më pak se 1 përqind. Në 2020 pjesa e Kinës e tregtisë globale u rrit në afro 15 përqind).

Potencialet e këtij titani global tregtar me fuqi të mëdha investuese dhe gjithashtu me një treg të stërmadh të një popullsie prej 1.4 miliard banorësh janë bërë një burim i pashtershëm për të gjithë vendet e EQL-së. Takimi i nivelit të lartë Kinë-EQL, i nënti (2021) për nga numri dhe më specifiku sepse u organizua në kushtet e rënda të pandemisë si videokonferencë, ishte një rikonfirmin i vazhdimësisë por në nivele të reja dhe me forma më dinamike që i dikton koha dhe zhvillimet mbarëbotërore.

As Kina as vendet e EQL nuk janë të pakënaqur për atë që kanë arritur: shtrirjen e bashkëpunimit në më shumë se 20 fusha, që rrokin aspekte nga më të ndryshmet!!!

Dhe çdo gjë është zhvilluar mbi bazën e parimit të harmonizimit të interesave në konsultime të përbashkta. Nuk mund të mos kujtoj se kur dëgjonim termin e ‘pragmatizmit’ kinez në vitet 1980 nuk e kuptonim, por tani kur kjo qasje është bërë mbarëbotërore dhe ka zënë vend në politika ekonomike e tregtare të pjesës dërmuese të vendeve them se ‘po, Kina ka qenë një hap më përpara botës në mendimin politik dhe ekonomik’!

A nuk është potenciali i një titani si Kina që deri në fund të vitit 2020 kishte investuar 3.14 miliardë dollarë në sektorë si energjetika, mineralet, infrastruktura, logjistika, automjetet etj. në 17 vendet e EQL-së kurse këto të fundit kishin investuar 1.72 miliardë dollarë në Kinë gjatë kësaj periudhe. Vlera e përgjithshme e kontratave për projektet e reja të nënshkruara prej Kinës me këta vendet vjet është rritur me 34.6 përqind krahasuar me vitin 2019, duke arritur në 5.41 miliardë dollarë. Kurse numri i turistëve është katërfishuar.

Kina e ka shprehur qartë se rrugën e bashkëpunimit me vendet e EQL synon ta bëjë sëbashku, krah për krah dhe në një hap, domosdo me dëshirë e në përputhje me parimin e përfitimit reciprok dhe prandaj nxitja e bashkëpunimit të tregtisë dhe të investimeve reciproke për të rregulluar baraspeshimin tregtar dhe zhvillimin e vazhdueshëm u theksua nga Presidenti Xi në takimin e fundit të nivelit të lartë. Sipas tij, në pesë vjetët e ardhshëm, pala kineze planifikon të importojë mallra me vlerë mbi 170 miliardë dollarë nga vendet e Evropës Qendrore e Lindore, duke u përpjekur të realizojë dyfishimin e importit të mallrave bujqësore nga këto vende dhe të rritë me 50 përqind vëllimin e tregtisë bujqësore ndërmjet të dy palëve.

Mbetem shpresëplotë se Memorandumi i Mirëkuptimit “Për Ngritjen e një Grupi të Përbashkët Pune për Bashkëpunim Investimi” në kuadër të nismës së përbashkët “Një Brez, Një Rrugë” i nënshkruar nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë, Anila Denaj me Ministrin e Tregtisë së Republikës Popullore të Kinës, Wang Wentao kohët e fundit do të materializohet në vepra konkrete. Ky Memorandum synon promovimin e marrëdhënieve dypalëshe ekonomike dhe tregtare, si dhe rritjen e investimeve dhe bashkëpunimit në fusha të ndryshme, duke përmirësuar mekanizmin e bashkëpunimit për investime nën kuadrin e Komisionit të Përbashkët për Bashkëpunim Ekonomik ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës, vinte në dukje njoftimi i botuar në faqen e internetit të Ministrisë në Tiranë.

Në kërkim të horizonteve të reja…

Gjithnjë në kërkim të horizonteve të reja është parashikuar që të mbahet ekspozita e dytë Kinë-vende të EQL nga 8 deri më 11 qershor këtë vit në qytetin Ningbo të provincës Zhejiang në Kinën lindore e organizuar bashkërisht nga Ministria e Tregtisë dhe qeveria e provincës Zhejiang.

Sikurse njoftohet nga burime zyrtare, ekspozita është një rast për të gjetur më shumë mundësi bashkëpunimi në tregtinë e mallrave të konsumit dhe shërbimeve me vendet e EQL. Duke dhënë hollësi Zëvendës Guvernatori i Provincës Zhejiang, Zhu Congjiu zbuloi se "ekspozita do të ndahet në tre zona paraqitjeje: ekspozita e vendeve të EQL-së, ekspozita ndërkombëtare e mallrave të konsumit dhe ekspozita e përhershme të mallrave të importuara, me një sipërfaqe të përgjithshme prej 200 mijë metrash katrorë”. Pritet të marrin pjesë mbi 6000 blerës dhe mbi 2000 ekspozues, tha Zhu.

"Ne do të thellojmë bashkëpunimin industrial dhe do të lejojmë plotësisht avantazhet përkatëse industriale të Ningbos dhe të vendeve të EQL-së, të tilla si materiale të reja dhe industri të pajisjeve të nivelit të lartë në Ningbo, si dhe industri të energjisë së hidrogjenit dhe baterive të litiumit në vendet e EQL-së," tha kryetari i Bashkisë së Ningbo-s, Qiu Dongyao.

Një itinerar i ri që lidh qytetin Jinhua të Kinës Lindore me kryeqytetin e Hungarisë Budapest, pjesë e “China Railway Express”, do të nisë gjithashtu gjatë ekspozitës, tha Zhu.

Do ta mbyll këtë shënim me një konkluzion të analizës së lartpërmendur të UNCTAD: “Pandemia COVID -19 ka demonstruar më shumë rolin kyç që Kina luan në ekonominë globale. Në fillim të 2020, kur infeksionet e COVID – 19 po përshpejtoheshin në vend, proceset prodhuese në të gjithë globin u bllokuan ose ranë si pasojë e ndërprerjes nga furnizuesit kinezë. Për më tepër, nivelet e larta të rikthimit të eksporteve bënë që Kina jo vetëm të rimëkëmb me shpejtësi eksportet nga pandemia, por gjithashtu solli përfitime të mëtejshme në një gamë sektorësh të eksportit, madje edhe kur këta sektorë kishin pësuar rënie të përgjithshme. Si pasojë, pjesa e Kinës e tregtisë globale u rrit më tej gjatë 2020 duke arritur në afro 15 përqind. Më 2021, rimëkëmbja e tregtisë së saj nga kriza ka qenë impresionuese. Në tremujorin e parë të këtij viti, eksportet e saj u rritën pothuajse 50 përqind në shumën 710 miliardë dollarë”.

Veç verbëria politike, jo e real ekonomisë, mund të jenë 'pengesa' e disa qarqeve të caktuara që këtë rritje meteorike të Kinës dhe zhvillimin e shpejtë dhe dinamik të bashkëpunimit të saj me vendet e Europës Qëndrore dhe Lindore të mos i admirosh dhe të mos përfitosh në interes të përbashkët, në interes të mirëqenies së popujve të secilit vend dhe mbarë njerëzimit!/CRI