Shkarkimi i Metës/ Presidenca përgjigje Komisionit të Ligjeve

Institucioni i Presidentit të Republikës i ka kthyer sot përgjigje, Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, për dijeni edhe të kryetarit të Kuvendit, me anë të një letre të drejtorit të kabinetit, Edmond Panariti në lidhje me njoftimin për mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve.

Më tej në letër thuhet se, “e gjithë veprimtaria parlamentare e Kuvendit, prej më shumë se dy vitesh tashmë, përpiqet të godasë veprimtarinë dhe aktivitetin kushtetues të Presidentit të Republikës, që për një kohë të gjatë ka qënë dhe mbetet i vetmi institucion kushtetues legjitim dhe i pa kapur nga partia në pushtet. Në këto përpjekje të dëshpëruara të këtij Kuvendi ilegjitim, ky i fundit ka vijuar të përfshihet nëpër procese fiktive, të pambështetura në Kushtetutë dhe ligje, por vetëm të orientuara verbërisht politikisht”.

“Kjo përpjekje e rradhës, që bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin, nuk synon asgjë tjetër, veçse shmangien e vëmendjes nga problematikat reale që po evidentohen dita ditës mbi këtë proces zgjedhor, të shoqëruara me konsumimin ekzemplar masiv të krimeve zgjedhore, të frymëzuara, dirigjuara dhe ekzekutuara nga partia në pushtet, për interesat e saj. Kjo nismë e Kuvendit njëpartiak, është keqpërdorim i veprimtarisë ligjvënëse, si një vegël e rradhës e partisë shtet, për të zbehur vëmendjen nga kërkesat e Presidentit të Republikës, opozitës, dhe organizatave ndërkombëtare me integritet, për zbardhjen e veprimeve kriminale të kryera nga partia shtet për manipulimin e procesit zgjedhor të zhvilluar në 25 prill”, thuhet në letër.

“Eshtë momenti, që para së gjithash, t’i risillet në kujtesë Kuvendit edhe një herë, përmes Komisionit të Ligjeve se është ky Kuvend dhe kjo mazhorancë, që prishi marrëveshjen e 5 qershorit 2020, dhe realizoi ndryshime të njëanshme në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor, pa konsensus dhe me një procedurë të përshpejtuar, me qëllim krijimin e epërsive elektorale në një garë politike siç ishin zgjedhjet e 25 prillit 2021 dhe dëmtimin e opozitës së bashkuar në garën elektorale;

Është ky Kuvend dhe kjo mazhorancë që përgjatë këtyre 2 viteve ka miratuar 62 ligje antikushtetuese, duke minuar parimin e shtetit të së drejtës, kontrollit dhe balancës mes institucioneve, barazisë përpara ligjit, në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut;

Është ky Kuvend dhe kjo mazhorancë që përmes ligjeve klienteliste, ka dhënë me koncesion pasurinë publike të shtetasve shqiptarë, në përdhunim të interesave të tyre;

Është ky Kuvend dhe kjo mazhorancë që nuk ka kryer asnjë proces hetimor parlamentar, për të gjithë veprimtarinë e korrupsionit legjislativ që ka shoqëruar procesin e miratimit të ligjeve klienteliste, të posaçme, të bëra me porosi;

Është ky Kuvend dhe kjo mazhorancë, që së bashku me anëtarët e tij në KQZ, realizoi votimet një partiake në 30 qershor 2019 për pushtetin vendor, pa garë, për të emëruar përfaqësuesit e tyre;

Është pikërisht ky Kuvend dhe kjo mazhorancë që në bashkëpunim me përfaqësuesit e tij të emëruar në pushtetin vendor, prishi Teatrin Kombëtar në 17 maj 2020, përgjatë periudhës së pandemisë;

Është ky Kuvend dhe kjo mazhorancë, që në këto kushte, kohë e rrethana, nuk gëzon legjitimitet për të kryer veprimtari hetimore, pasi veç të tjerave, si në asnjë vend tjetër demokratik, ky Kuvend nuk ka opozitë brenda tij”, thuhet në letër.

“Por gjithsesi, nëse ju mendoni se jeni të aftë, jeni në kohë dhe keni ndonjë grimcë legjitimiteti, dhe dëshironi të zbardhni vërtet krimet zgjedhore, që disa prej jush aty brenda në Kuvend kanë konsumuar, apo për të hetuar se përse autorët e krimeve zgjedhore nuk u dërguan përpara drejtësisë, atëherë i bëjmë me dije Kuvendit se, mund ta filloni këtë proces me mbledhjen dhe vlerësimin e disa fakteve ulëritëse”, thuhet në letrën e dërguar nga Panariti.

“Mund ta filloni këtë proces, minimalisht nga rasti i ngjarjes së Kavajës ku një Sekretar i Partisë Demokratike mbeti i plagosur me armë brenda në zyrën e kësaj force politike. Në datën 20 Prill, kanë hyrë në zyrën elektorale të PD-së dhe kanë qëlluar me armë Sekretarin e Partisë Demokratike të kësaj zyre elektorale, Bledar Okshtuni.  Autorët e identifikuar, janë në lidhje direkte me Kryebashkiakun socialist të emëruar të qytetit të Kavajës dhe shtabin e tij elektoral.  Presidenti, si dhe opozita e  vërtetë, i kanë bërë publik autorët dhe lidhjet e tyre me partinë-shtet”, thuhet në letër.

“Ngjarja e Elbasanit e datës 21 prill 2021. Në datë 21 prill 2021, në Elbasan, pavarësisht thirrjeve dhe denoncimeve të opozitës për parandalimin dhe hetimin e një krimi zgjedhor konkret, për shkak të mosveprimit të policisë dhe prokurorisë, situata përshkallëzoi në një konflikt dhe shkëmbim zjarri të armatosur, ku për fat të keq humbi jetën shtetasi Pjerin Xhuvani dhe pati disa persona të tjerë të plagosur. Kjo ngjarje nuk do të kishte ndodhur nëse Policia e Shtetit dhe Prokuroria do të kishin kryer veprimet e tyre në kohë, si për të hetuar nxitësit e konfliktit që ishin kallëzuar ditë më parë nga Partia Demokratike, ashtu dhe për të neutralizuar personat e përfshirë në këtë konflikt”, theksohet në letër.

Në letër theksohet gjithashtu edhe keqpëdorimi i materialeve propagandistike në shkelje të Kodit Zgjedhor.

Gjithashtu theksohet edhe dërgimi i mesazheve me përmbajtje fyese dhe kërcënuese në emër të Presidentit të Republikës

“Sa më sipër, dhe duke mbajtur në konsideratë volumin e informacionit që duhet diskutuar, Presidenti i Republikës, mbetet në pritje të reflektimit dhe përgjigjes suaj për sa më sipër, dhe është i gatshëm për t’u takuar, diskutuar e për t’u shprehur me Komisionin e Ligjeve edhe pse virtualisht nëpërmjet platformës CISCO-WEBEX, në datën 10 maj 2021, datë kjo që përkon edhe me Ditën Kombëtare të Drejtësisë Shqiptare. Nëse ky ka qenë qëllimi i njoftimit tuaj, lutemi të na konfirmohet paraprakisht, orari i takimit, në rrugë shkresore dhe elektronike”, përfundon letra e Panaritit.