SHQIPËRI E DASHUR, ZGJOHU!

Nga Mons. George Frendo O.P.

Kemi nevojë për një orë me zile, që të zgjohemi, të çohemi, e të shohim simptomat e sëmundjeve të shoqërisë. E t’i lutemi Shpirtit Shenjt të na ndriçojë që, duke parë këto simptoma, të pyesim: Çka po kërkon Zoti prej nesh këtu dhe tani, në këtë situatë dhe në këtë moment? Le të jemi guximtarë e t’i japim një përgjigje kësaj pyetjeje.

Në vitin 1992 në Angli ndodhi një krim që tronditi gjithë shoqërinë angleze: një djalë dy vjeçar u vra në mënyrë barbare. E kush ishin vrasësit? Dy djem dhjetëvjeçar. Lexova një artikull shumë interesant nga një psikologe: “Si mund të bëhet vrasës një djalë dhjetëvjeçar?” Dy sociologë kanë shkuar tek familjet e tyre. Njëri vinte nga një familje me gjashtë fëmijë të lindur me gjashtë burra të ndryshëm. Tjetri vinte nga një familje që, gjatë vitit, në shtëpi kishin parë rreth dyqind video dhune ose pornografike.

Pak kohë pas vrasjes, Kardinali Basil Hume dhe Rabbi Jonathan Sacks, dy zëra “profetikë” të shoqërisë angleze të asaj kohe, kërkuan ngritjen e një komisioni mbretëror për të hetuar mbi shkaqet e dhunës së kësaj shoqërie. Por kërkesa e tyre u injorua. Në një intervistë dhënë gazetës The Independent të Londrës, Kardinali Basil Hume, duke përmendur këtë vrasje, komenton: “Një shoqëri e cila papritur sheh veten e saj në pasqyrë dhe nuk i pëlqen çka sheh në pasqyrë, ose do t’i ngrejë supet dhe të largohet, ose qëndron për të pyetur veten: Pse?”

Kjo është tragjedia e madhe e shoqërisë së sotme: sepse nuk ka guximin dhe ndershmërinë të pyesë veten: “Pse?” Ekziston një ndjenjë frike në këtë pyetje, pasi është një pyetje e papëlqyeshme. Është pikërisht frika nga përgjigja e kësaj pyetje. Dhe kur një shoqëri nuk kërkon Pse-në e plagëve të saj, atëherë ajo nuk dëshiron të shërohet nga këto plagë.

Cilat janë shkaqet e këtij dekadentizmi moral në shoqëri? Pse kjo rritje e tmerrshme e krimeve: vrasje, vetvrasje, vjedhje, dhunë fizike, droga? Pse kjo rritje në abuzime seksuale edhe me të miturit? Pse kjo rritje e rasteve të tradhëtisë bashkëshortore dhe divorceve? A guxojmë të pyesim për shkaqet? A kuptojmë rolin negativ të pornografisë shumë të përhapur në kinema, në televizor, në internet, në facebook, dhe në gazetat e përditshme?

Mjetet e komunikimit paraqesin modele të reja për jetën. Nuk janë shenjtërit, as mendimtarët e mëdhenj dhe as heronjtë. Janë personat e ekranit, të rinjtë e të rejat që shihen në “Big Brother”, vajzat dhe djemtë sexy. Mjetet e komunikimit paraqesin martesën e dytë pas divorcit si më të suksesshme se martesa e parë, dhe martesën e tretë si më të lumtur sesa martesa e dytë. Martesa ideale, për mjetet e komunikimit, është martesa që përjeton luksin e pasurisë, ku seksi dhe paraja marrin përparësi mbi dashurinë që fitohet me sakrificë. Një jetë pa asnjë normë morale, atëherë e hapur për promiskuitet seksual (përzierje seksuale), për abortin, etj.

Krishtërimi na paraqet heronj të ndyshëm: njerëz që kanë kërkuar të vërtetën, kanë jetuar për të vërtetën, disa kanë edhe vdekur për të vërtetën. Krishtërimi na paraqet edhe modele të ndryshme, njerëz që angazhohen për të përmirësuar shoqërinë si shën Nënë Tereza dhe Chiara Lubich; ose njerëz që kanë gjetur një rrugë të ndryshme drejt lumturisë, një rrugë e ndryshme nga rruga e pornografisë dhe seksit, nga rruga e drogës dhe pasurisë. Kam njohur shumë familje me shumë fëmijë të cilëve u mungon luksi që shohim në familjet e pasura, megjithatë nuk u mungon kurrë buzëqeshja.

Le t’i tregojmë botës rrugën e lumturisë, sepse Jezusi ka quajtur të lumtur ata që janë të varfër në shpirt, zemërbutë, të uritur për drejtësi, madje edhe ata që janë të përndjekur për shkak të drejtësisë.

/argumentum.al