Shqipëri-Kosovë intensifikojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, Peleshi: Ballkani në NATO, garanci për stabilitet

Ministria e Mbrojtjes së Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë nënshkruar marrëveshje, e cila përfshinë rritjen e bashkëpunimit mes tyre në këtë fushë.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, rikonfirmoi gatishmërinë e Shqipërisë për mbështetje ndaj Kosovës në të gjitha proceset integruese.

“Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet mbështetëse e pakursyer e të gjitha proceseve integruese të Kosovës me strukturat euro-atlantike. Ne kemi përshkuar atë rrugë të cilën Kosova aspiron, pra rrugën e anëtarësimit në NATO…Integrimin e gjithë Ballkanit perëndimor në strukturat euro-atlantike është i rëndësishëm për Shqipërinë, është i rëndësishëm për Kosovën, është i rëndësishëm edhe për vet Evropën. Kështu që Shqipëria ngelet e interesuar përkrah gjithë vendeve të tjera në rajon për të ecur përpara drejt Bashkimit Evropian, drejt integrimit të tyre në NATO”, tha ai.

Nga ana tjetër, ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj tha se kanë miratuar bazën ligjore për koordinimin e aktiviteteve ushtarake të dy vendeve.

“Kam kënaqësinë të prezantoj arritjen e marrëveshjes midis Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Republikës se Kosovës, një bashkëpunim në fushën e mbrojtjes. Njëra prej marrëveshjes që e kemi diskutuar e arritur së bashku është realizimi i aktiviteteve të përbashkëta në nivel profesional, pra akademinë në mes dy ministrive, është koordinimi i këshillimit nga ana e ekspertizës nga Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë, rendimin e duhur në çështje politike, ushtarake, ligjore për integrimin e Republikës së Kosovës në drejtim te NATO-s dhe iniciativa rajonale. Një pikë tjetër e rëndësisë së madhe është ngritja e stërvitjeve te përbashkëta ushtarake dhe angazhime dhe pjesëmarrje në operacione ndërkombëtare në të ardhmen”, tha Mehaj.

Në konferencën e dy ministrave u tha se marrëveshja e re e nënshkruar është mbi bazën e disa marrëveshjeve ekzistuese, por përmes saj, synohet bashkëpunimin Shqipëri-Kosovë në nivel më të lartë.